Amarda Arkaxhiu: Dasma shqiptare është ajo që mbron folklorin

Amarda Arkaxhiu: Dasma shqiptare është ajo që mbron folklorin
Flet këngëtarja e njohur e muzikës popullore, Amarda Arkaxhiu: “Unë e kam shpirtërore, dua që këngët e mia të sjellin lumturi, hare e jo depresion e lot. Kam interpretuar edhe një këngë shumë të ndjerë, “Dashuri vrastare”, përpara 10 viteve, që pati shumë sukses por që nuk do e përsërisja më sepse kam mësuar se shumë njerëz kanë vuajtur shumë për lëndimet në jetën e tyre, prej asaj kënge. Ndaj ju them se unë dua që t’i bëj njerëzit vetëm të lumtur dhe muzika popullore, me ritmet e saja, më bën të jem vetvetja, të jem edhe unë mirë.”

***

Ka mbi dy dekada që vajza nga Kavaja është një nga zërat më të ëmbël e të bukur të panoramës së muzikës popullore shqiptare. me një pjesë të madhe të këngëve të saja që janë kthyer në hit-e dhe me disa prej tyre të cilat janë bërë  të domosdoshme në gëzimet familjare ose shoqërore të shqiptarëve, Amarda Arkaxhiu tashmë prej disa vitesh ka nisur një jetë të re në SHBA. Në ditët e këtij janari të ftohtë, ajo ndodhet bashkë me djalin e saj të vogël në Tiranë, pranë familjes, por me qëllimin për të përgatitur një projekt të ri, këtë herë në muzikën e lehtë. Vitet dhe mëmësia ishin treguar të mëshirshme me të, sepse Amarda që takova ishte po ajo biondja me sy të shkruar që kisha njohur shumë vite më parë. Një çaj iqësor me të solli këtë rrëfim të sinqertë, posaçërisht për Albanian Free Press.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju keni lindur në Kavajë, i përket asaj zone edhe në origjinë?

Babai im është kavajas 24 karat. Unë kam lindur në Kavajë dhe kam jetuar në atë qytet, ku kam vazhduar edhe shkollën, deri në moshën 14 vjeçare. Nga Kavaja ne familjarisht, kemi lëvizur për në Tiranë, ku familja ime jeton edhe sot.

Ishin vitet kur keni jetuar në Kavajë kur u zbulua talenti juaj?

Mamaja ime më thoshte që edhe kur linda, kisha një të qarë melodioze ha ha ha. Më përpara kam kënduar se sa kam folur. Unë jam një këngëtare autodidakte dhe e kam mësuar këngën pak nga pak që shumë e vogël. E para që e kuptoi ishte mamaja ime. Por edhe vëllai im, në qytetin tonë, ishte i njohur si tenor. Pasioni i tij më i madh ishte muzika lirike dhe ai më përkrahu shumë. Për arsye të kushteve ekonomike ai nuk mundi të vazhdonte arsimin për kanto në Tiranë, pavarësisht se kishte shumë talent. Ishin kushtet e vështira ekonomike që ma vështirësuan edhe mua shumë rrugën drejt Tiranës, kushte të cilat më detyruan që në fakt, të bëja një veprim të zgjuar, edhe pse shumë e re në moshë. Unë, si shumë këngëtarë të tjerë, u zhvendosa për një kohë që të punoja duke kënduar në Maqedoni, për shqiptarët atje. Sot shumë këngëtare e mohojnë këtë pjesë të jetës së tyre e thonë që nuk kanë qenë, por në fakt ishin vitet kur shumë këngëtare punuan në Maqedoni dhe në Zvicër. Pra në aspektin e rritjes time profesionale, më vlejti shumë puna në Maqedoni, sigurisht në dasma. Edhe pse më parë, në vegjëli kisha marrë pjesë në shumë festivale fëmijësh, madje edhe jashtë kufijve, në Turqi ose në Bullgari, një formim teknik profesional ma dha pikërisht ajo periudhë që për mua nuk zgjati shumë. Unë u ktheva në Shqipëri ku fillova angazhimet me muzikën live në gëzime familjare, kryesisht në zonën e Kavajës. Kjo periudhë 4 ose 5 vjeçare më bëri shumë mirë sepse më bëri të njohur për dashamirësit e këngës popullore. Në momentin e daljes së albumit tim të parë, bashkëpunim me të mirënjohurin Edi Balili, unë tashmë kisha bërë një emër të mirë në mesin e publikut. Kjo ishte dhe ajo që unë doja. Nëse dilja në treg me një album si këngëtare e panjohur, ishte rreziku që të mos kishte sukses. Ndërsa me terren të përgatitur, ka më garanci se albumi do të pritet mirë. Në gëzime familjare ndesh me mijëra njerëz që të dëgjojnë live ndaj reputacioni, nëse ke vlera, rritet vetvetiu. Pra në këto 5 vite unë kisha krijuar fansat e mi që i kam edhe sot. Përpara albumit, unë kisha marrë pjesë me sukses edhe në Festivalin e Këngës në RTSH dhe tek “Kënga Magjike” ndaj albumi erdhi kur duhej.

Pjesëmarrja juaj në festivalet e muzikës së lehtë është një detaj që nuk njihet shumë nga publiku..si ndodhi që mirët pjesë?

Është një kujtim i bukur për mua pjesëmarrja në Festivalin e RTSH-së. Ka qenë viti kur fitoi Frederik Ndoci dhe kur shkohej në Eurovizion. Merrnin pjesë shumë këngëtarë VIP, emra të njohur të muzikës, unë isha ende një fiurë e re për publikun. Ju them sinqerisht që në fillim nuk kisha pritshmëri të mëdha, madje mendoja se nuk do të hyja as në finale. Ishte kompozimi i parë për një festival nga një bashkëpunëtor i Edi Balilit, Klodian Qafoku. Unë shkova në studion e tij rastësisht dhe aty lindi mendimi që unë të interpretoja këngën e tij. Kur unë e interpretova demon, ai u habit që unë isha aq e përshtatshme edhe për muzikë pop. Në atë vit seleksionoheshin të rinjtë, ku unë fitova e më pas, në natën finale, u nderova me çmimin e tretë. Duhet ta pranoj që unë plotësoja edhe anën skenike, pra paraqitjen skenike dhe kjo e plotësoi të tërën. Unë në ato vite punoja shumë edhe në Austri dhe erdha në skenë me një look plotësisht ndryshe, në krehje, në grim, në veshje. Trupa e baletit, koreografia, ishin gjithashtu shumë profesionale.

Patët emocione në skenë, sepse skena e festivalit ngjall shumë emocione...

Kjo është një nga arsyet kryesore që unë nuk ju afrova më skenave të festivaleve. Unë jam një natyrë shumë e ndjeshme dhe në atë periudhë kisha edhe probleme familjare të rënda. Si shumë artistë, në shpesh e lidhim interpretimin me atë që po na ndodh në jetë, kjo është e pashmangshme. Ndaj unë sinqerisht performova si duhej, por brenda shpirtit tim përjetova një emocion që më bëri, madje, të ndihesha keq edhe fizikisht. Një ndjenjë të tillë, me ato rrahje zemre, nuk më ka ndodhur më ta përjetoj. Kënga u votua me pikë maksimale, energjia ime ishte maksimale dhe të gjithë madje e diskutonin këngën që do të shkonte në Eurovizion. Por nuk ishte kjo që më largoi nga skena, por ngarkesa e madhe emocionale. Kam qenë edhe shumë e re, ndoshta.

Po sot, pas kaq vitesh, po t’ju ofronin përsëri një këngë në festival, a do e pranoje?

Nuk e besoj, sepse edhe kohët kanë ndryshuar dhe kanë hyrë në skenë të tjera detaje, jo vetëm këtu por edhe jashtë Shqipërisë, hyjnë në lojë miqtë, grupet, klanet.

Me muzikën e lehtë si i keni raportet sot, do e përqafoje sërish?

Unë e dua shumë edhe muzikën e lehtë, në fakt më pëlqen çdo lloj muzike që është e bukur dhe e bërë mirë. Por unë e kam shpirtërore, dua që këngët e mia të sjellin lumturi, hare e jo depresion e lot. Kam interpretuar edhe një këngë shumë të ndjerë, “Dashuri vrastare”, përpara 10 viteve, që pati shumë sukses por që nuk do e përsërisja më sepse kam mësuar se shumë njerëz kanë vuajtur shumë për lëndimet në jetën e tyre, prej asaj kënge. Ndaj ju them se unë dua që t’i bëj njerëzit vetëm të lumtur dhe muzika popullore, me ritmet e saja, më bën të jem vetvetja, të jem edhe unë mirë.

Nuk ju ka munguar fakti që nuk jeni arsimuar për muzikë?

Jo, nuk e mendoj këtë. Eksperienca ma ka perfeksionuar teknikën dhe kam një vesh absolut, si më thonë specialistët e fushës. Kam hasur edhe këngëtarë të shkolluar por që nuk kanë shndritur në skenë. Është shumë relative kjo pjesë. Talentin nuk ta jep shkolla por sigurisht që shkolla është një plus.

Bashkëpunëtorët i ruani apo ndryshon staf?

Jam natyrë që eksploroj shumë pra ka ndryshuar shpesh bashkëpunimin me artistë. Edhe duete unë kam shumë dhe madje kënga “Loca loca” me Muharrem Ahmetin kujtoj që dëgjohej kudo në Turqi e gjetkë, ishte në vendet e para në Hit Parade.

Por ju më shumë performoni jashtë Shqipërisë, pse?

Për një arsye thjeshtë financiare. Unë kam marrë pjesë shumë tek Sofra Tironse e më vjen keq madje që këtë vit nuk do të jem. Por në përgjithësi preferoj të këndoj jashtë e kjo thjeshtë sepse pagesa është shumë më e mirë.

Më keni pëlqyer gjithmonë sepse, pavarësisht këngëve të përpunuara, keni qëndruar e lidhur fort me tabanin...

Kjo është e vërtetë, unë eksperimentoj, edhe në këngë, me ritme të ndryshme, por çdo vit unë nxjerr një këngë nga Shqipëria e Mesme, nga trevat e Tironës. Për këtë kujdesem maksimalisht. Eksperimentoj në ritme e në këngë nga teva të tjera sepse audienca për këngët e trevës së Tiranës është shumë më e ulët. Ne jemi shumë më pak. Edhe jashtë kufijve ka shumë këngëtarë Jug ose Veri. Janë shumë më të lidhur me traditën dhe janë shumë në numër. Kujtoj këtu vetëm një koncert ku u mblodhën rreth 400 veta publik nga zona e Tiranës në një koncert timin në Bruklin, në SHBA. Nuk jemi aq shumë në numër sa jugu ose veriu. Puna e muzikës është si puna e verës, disa duan atë të kuqen, disa të bardhën. Unë jam përpjekur t’i jap shije çdo lloj muzike. Muzikën e lehtë e kam lënë pak pas dore por mendoj se një projekt i ri që kam në duar do të jetë me shumë sukses. Një këngë moderne, ritmike që ja kushtoj bashkëshortit tim.

Meqë ju vetë më çuat tek kjo pyetje, mund të na rrëfesh se si erdhi njohja me bashkëshortin tuaj?

Është një nga ato gjërat që unë mendoj se i vendosi fati, që ka në dorë jetët tona. Ishte nga ato udhëtimet për punë në SHBA ku një zë brenda vetes më thoshte që të mos shkoja. Një mikeshë imja, që punon në një zyrë pasurish të paluajtshme atje, më ftoi në një udhëtim, me kolegët e saj, në Atlantik City, vend me kazino e lojëra fati. Shkova me shumë mëdyshje e me një dridhje në zemër. Parandieja diçka. Gjatë një vizite tonën në një kazino, ai më pikasi dhe më vështronte, sigurisht nga pamja mendoj. Ne shkuam të darkonim në një restorant oriental dhe ja ku e rigjej atje. Si të ishte shqiptar, edhe pse shtetas amerikan me origjina Irlandeze, ai me xhentilesë na ofroi darkën e në momentin që mikesha ime nuk ishte, me shumë elegancë u afrua e kërkoi të njihemi. Kemi filluar të bisedojmë gjatë, sa që, si në një film, në një moment pamë rreth nesh e të gjithë kishin ikur. Më ftoi për një shëtitje të gjatë buzë detit e atje lindën shkëndijat e para dhe një puthje që zgjati një orë ha ha ha. Pavarësisht ngurrimeve të mia, i thashë vetes që një herë në jetë duhet të ulja barrierat e të isha më e lirshme. Por ajo natë u mbyll ashtu. Unë jetoja në New York, ai në Virxhinia dhe komunikonim pa fund të telefon. Përpara se të largohesha nga SHBA, më ftoi të shkoja ta vizitoja në Virxhinia e pas pak ditëve bashkë unë erdha në Shqipëri. Pak kohë më vonë zbulova që prisja fëmijën e parë. Sigurisht që nuk ishte i lehtë vendimi se si do të shkonte më tej dashuria jonë, sepse ishim larg e sepse njiheshim edne shumë pak. Por jeta dhe dashuria bënë të vetën, durimi im dhe lufta për ta mbrojtur dashurinë time gjithashtu e sot jemi të lumtur e të martuar dhe rrisim bashkë djalin tonë. Kam edhe marrëdhënie të shkëlqyera me prindërit e tij të cilët janë mbështetës të mi të jashtëzakonshëm. Pra parandjenja ime doli e vërtetë ha ha ha.

Por ju nuk e keni ndërprerë asnjëherë karrierën...

Jo, në asnjë moment, madje kam kënduar deri në muajin e tetë të shtatzënisë. Nuk është e lehtë aspak por ai është pasioni im por edhe pavarësia ime si grua, duke qenë se kam të ardhurat e mia e nuk varem nga askush. Gjithsesi bashkëshorti im, inxhinier i realizuar, është mjaft familjar dhe pavarësisht se ka edhe xhelozitë e tija dhe e do gruan në shtëpi, si çdo burrë, e respekton profesioni tim, më respekton mua dhe nuk më ka penguar kurrë.

Tani që ju jetoni në SHBA e nëse një ditë do të këndoni më pak, cili është pasioni juaj me të cilin do të merreni?

Me siguri të plotë e them se do të merrem me stivime femrash e nusesh, në grim dhe krehje. Dua që një ditë të kem atje qendrën time estetike. Për këtë sigurisht më duhet edhe një shkollim i duhur, por e kam edhe me shumë pasion dhe kam eksperiencë, duke qenë se kam 20 vite në skenë.

A mendoni se femra shqiptare grimohet shumë gjatë ditës dhe a ndodh kjo në SHBA?

Ka kujdes për veten në SHBA, por ka grim dite, të lehtë, natyral, dhe grim nate. Ndërsa në Shqipëri këto ngatërrohen shumë. Mendimi im është se arsyeja për të cilën femrat shqiptare grimohen është e gabuar dhe varet nga meshkujt. Meshkujt shqiptarë shprehen se i duan femrat natyrale, por në impaktin e parë tërhiqen nga femra të lyera e të kuruara në detaj edhe gjatë ditës. Kjo sepse e shikojnë shpesh, fatkeqësisht, femrën si një ornament të bukur për ta ekspozuar se sa femër të bukur kanë në krah. Është ndryshim i madh stili por edhe mentaliteti. Këtë dimër shikoj aq shumë vajza me peliçe pasdite ose paradite. Por peliçet janë vetëm për në darkë, në një koncert ose në një gala’ ndërsa këtu mjafton të jetë në modë dhe i gjen kudo. Kjo është arsyeja se përse unë ndihem aq mirë në SHBA. E ndikuar keq nga ambienti shqiptar, ku mashkulli të do të bukur e mbi taka, por nuk i pëlqen kur jep një mendim dhe të thotë mbylle gojën se flas unë, unë shpesh heshtja në biseda me bashkëshortin. Ai shpesh më thoshte se përse nuk jepja unë mendimin tim dhe se ai e kishte të domosdoshëm atë. Nëse një femër është e tendosur në tryezë ose në një bar, me mendjen tek vetja dhe pamja, ajo humbet shumë nga vetja dhe ambienti rrethues, nuk merr informacion ose përvojë jete. Sa më komod të ndihet njeriu, aq më shumë zbulon nga vetja. Mund të kesh bukurinë por humbet dialogu. Ajo që më bën përshtypje dhe më gëzon shumë është se në familjet amerikane ka shumë dialog, por në qetësi dhe me shumë edukatë. Këtu kjo mungon, por ruhet fort fasada. Unë jetoj në ambient me më shumë amerikanë dhe shikoj me admirim që preferohen femra me personalitet të fortë, ato që dinë çfarë duan dhe kanë mendimin e tyre të prerë. Kjo është diferenca.

E kam hasur shpesh që ka pasur një lloj nënvlerësimi për të kënduarit në gëzime familjare, sot këndojnë të gjithë....

Të jesh një këngëtar i mirë në gëzime familjare kërkon shumë përvojë. Do të rrish deri në 7 orë, rraskapitëse dhe kërkon një zë shumë të fuqishëm dhe të menaxhosh shumë situata. Këngëtarët që këndojnë me disk, pra jo live, nuk ja dalin dot ta përballojnë këtë, ndaj gjithmonë e shikoni shtrembër të kënduarit live në dasma. Dasma shqiptare është ajo që po ruan folklorin më shumë se çdo institucion kulture në këtë vend. Po të mos ishin dasmat, një pjesë e madhe e tabanit, do të ishte zhdukur.