Protesta e studentëve zhvendoset brenda fakulteteve

Protesta e studentëve zhvendoset brenda fakulteteve
Bojkot i mësimit duke qëndruar brenda mjediseve të fakultetit. Ka qenë kjo forma dhe protesta e zgjedhur nga studentët në shumë prej fakulteteve. Bojkoti vijoi duke nxjerrë në korridore bankat dhe karriget, situatë që solli përplasje edhe me policinë në Universitetin Politeknik.

Për shkak të kushteve atmosferike gjatë ditës se djeshme një grup i vogël studentësh të universiteteve të Tiranës kanë vijuar protestën kryesisht në oborret dhe korridoret e fakulteteve. Ndërkohë një grupim tjetër ka marshuar drejt Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë me pankarta dhe tymuese në duar.

Protesta në fakultete

Bojkot i mësimit duke qëndruar brenda mjediseve të fakultetit. Ka qenë kjo forma dhe protesta e zgjedhur nga studentët në shumë prej fakulteteve. Bojkoti vijoi duke nxjerrë në korridore bankat dhe karriget.

Po një situatë e tillë në Universitetin Politeknik është bërë shkak për përplasje mes studentëve protestues dhe policisë. "Një nga problemet nuk kemi karrige për auditoret dhe detyrohemi të marrim nga sallat e tjera. Është diçka minimale që ne nuk e kemi në universitetin tonë," thotë një studente.

Edhe studentët në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë jo vetëm kanë bojkotuar mësimin, një pjesë prej tyre edhe sheshin, dhe kanë vendosur që ditën e djeshme ta vijojnë protestën brenda mjediseve të fakultetit. "Do zhvendosim protestën me aksione të ndryshme në universitetin tonë. Do lexojmë libra, do shohim filma por do të vijojmë të bojkotojmë mësimin deri në plotësimin e kërkesave". Studentja thotë qeveria në radhë të parë duhet të rrisë buxhetin. "Ku do gjendet fondet nëse nuk rritet buxheti i arsimit për të mbuluar shpenzimet e tjera "

Po ashtu me megafon dhe të ulur nëpër korridore, ata kanë përsëritur kërkesat e tyre.

Protesta në rrugë

Ndërkohë disa studentë zgjodhën të shkojnë në mësim me frikën se u digjet viti akademik. Të tjerë sfiduan shiun dhe marshuan drejt MAS ku apeluan për zgjidhjen e kërkesave dhe ndezën tymuese. Aty dorëzuan dhe platformën që në thelb parashikon zgjidhjen e kërkesave brenda afateve më të shpejta. Synimet kryesore janë shfuqizimi i ligjit të arsimit të lartë dhe rritja e menjëhershme e investimeve në universitete. Më pas marshimi vijoi drejt kryeministrisë, ku studentët kërkuan dhe mos djegien e vitit akademik

Protesta parashikohet të vijojë sërish gjatë ditës së sotme në orën 11.

 

 

Tarifat, MASR apel universiteteve: Njoftoni studentët

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë kërkon nga sekretariatet mësimore pranë universiteteve që të njoftojnë studentët në lidhje me numrin total që përfitojnë ulje tarifash dhe përfitim bursash. Përmes një deklarate për shtyp, MASR shkruan se ka kërkuar pranë çdo institucioni, informacione lidhur me numrin total të studentëve që plotësojnë kriteret.

Në deklaratë, MASR ka edhe një paralajmërim për këdo që keqinformon në kundërshtim me vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave. “Tërheqim vëmendjen e sekretarive mësimore pranë universiteteve që të bëjnë njoftimin e nevojshëm për studentët dhe të garantojnë informacionin sipas vendimeve të sipërcituara. Veprimtaria e tyre do të monitorohet dhe do të mbahet qëndrim, bazuar në ligj, për këdo që keqinformon apo vepron në kundërshtim me vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

 

Rama: Fjalën ‘master’ e kam dëgjuar më shumë se gjelat e Surrelit. Dhe pedagogët në faj  

Kryeministri Edi Rama në kuadër të një takimi mbi bashkëqeverisjen iu bëri thirrje qytetarëve që t’i drejtohen portalit “Shqipëria që duam” për çdo ankesë. Teksa dëgjonte një ekonomist nga Vlora, i arsimuar jashtë vendit dhe me disa mastera, kreu i qeverisë nuk la pa thumbuar studentët që protestojnë.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë tha se fjalën master e kishte dëgjuar shumë herë, madje deri në orën 3 të mëngjesit, ndërsa shtoi: ‘më shumë sesa gjelat e Surrelit’. mes të tjerash Rama tha se ata që duan përjashtim nga tarifa e masterit do të duhet të dalin me rezultate të mira.

Por Kryeministri, Edi Rama, nuk nguroi të lëshojë akuza ndaj pedagogëve dhe drejtuesve të Universiteteve se po nxisin bojkotin e procesit mësimor të studentëve. Shefi i qeverisë e cilësoi të qëllimshme edhe mospasqyrimin e VKM në disa prej sekretarive të Fakulteteve. Kryeministri nënvizoi se për ciklin e parë të studimeve, të gjithë studentët do të paguajnë vetëm 50% të tarifës për këtë vit.

 

UT zëvendëson ditët e humbura të mësimit gjatë fundjavave të ardhshme

Në një njoftim të bërë në hollet e fakulteteve të cilat janë pjesë e Universitetit të Tiranës janë publikuar datat, të cilët do të zëvendësojnë orët e mësimit të humbura gjatë protestës së zhvilluar përgjatë muajit dhjetor.  Sipas njoftimit, mësohet se protesta e zhvilluar nga data 10 deri më 21 dhjetor, 10 ditët orëve mësimore për protestat e zhvilluara nga studentët janë marrë parasysh orët e mësimit do të zëvendësohen me ditët e fundjave (të shtunë dhe të diel) për 5 javët në vazhdim deri më datë 10 shkurt. "Në mbledhjen e Rektoratit të datës 08.01.2019 u mor në konsideratë situata mësimore pas përfundimit të protestës studentore , e cila u zhvillua nga data 10-21 dhjetor 2018, pra 10 ditë mësimore. Pas diskutimeve të shumta, për të mos prishur strukturën vjetore Rektorati  vendosi që Mësimi të plotësohet dhe të zëvendësohet ditën e shtunë dhe të diel për 5 javët në vazhdim, pra deri më datë 10 Shkurt 2019", thuhet në njoftimin e Rektoratit të Universitetit të Tiranës.

Ndërkohë që Universiteti i Shkodrës në mbledhjen më të fundit ka marrë vendimin për shtyrjen e sezonit të provimeve në një afat të dytë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: