“Shqipëria kishte 35 tonë lëndë helmuese luftarake, të gjitha të fshehura në Dajt”

“Shqipëria kishte 35 tonë  lëndë helmuese luftarake, të  gjitha të fshehura në Dajt”
 

DOSSIER/ Flet ish-Drejtori i Laboratorit Qendror të Kimisë, Memush Habilaj: “Petrit Dumes çdo mëngjes i shkonte një tenxhere me paçe dhe një me pilaf, kurse ushtarët hanin vetëm fasule dhe pinin çaj”

 

“Shqipëria kishte 35 tonë

lëndë helmuese luftarake, të

gjitha të fshehura në Dajt”

 

“Lëndët helmuese erdhën në vitin 1973 dhe ishin plot 35 tonë. E kupton? 35 tonë... Ishin të gjitha helmet si Iprit, Luizit, etj”.

Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, ish-Drejtori i Laboratorit Qendror të Kimisë, Memush Habilaj. Sipas tij, “të gjitha këto ruheshin në tunelet e malit të Dajtit, në mënyrë sekrete dhe vetëm pak lëndë helmuese luftarake qarkullonin në reparte, për efekte mësimorë”. Ndërsa flet më pas edhe mbi abuzimet që bëheshin në ushtri, lidhur me ushqimet dhe faturat e tepruara të eprorëve të lartë, gjë që fundosi sipas tij edhe Beqir Ballukun, përveç çështjes së fortifikimeve...

 

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Zholi

 

Dhe pse keni qenë ushtarak aktiv ju keni studiuar për kimi në Universitetin e Tiranës, pra si civil. Pse ndryshe nga oficerët e tjerë ?

Ishin vitet 1969 kur Universiteti i Tiranës kishte arritur një stad të ri, ku pedagogët dhe gjithë stafi akademik kishin studiuar jashtë. Por njëkohësisht, vetë ministria e Mbrojtjes tashmë në të gjitha specialitetet, përveç armëve, po dërgonte studentë në Universitetin e Tiranës. Kjo ishte një strategji që synonte të rritej niveli intelektual në të gjitha strukturat e këtij dikasteri. Ishte ky orientim i Partisë së Punës, por edhe vetë kërkesë e ministrisë së Mbrojtjes. Në Universitetin e Tiranës nga kjo ministri në atë kohë shkonin studentët më të mirë të Shkollës së Bashkuar, por edhe nga gjimnazet civilë,  që u kishte dalë e drejta e studimit në Shkollën e Bashkuar.

 

Ku ishit akomoduar si studentë të ministrisë së Mbrojtjes dhe si ishin kushtet?

Ah, më bëre një pyetje që më ngjall emocion. Neve na akomoduan në Qytetin Studenti, në godinën nr. 22. Pra, godina nr. 22 edhe sot njihet si godina e studentëve ushtarakë. Kjo godinë ka qenë dhe mbetet pronë e ministrisë së Mbrojtjes. Neve në atë periudhë të viteve 1969-1973 ishim rreth 200 studentë që mësonim në Universitetin e Tiranës. Godina jonë ishte e veçantë, e rrethuar me kangjella. Kishte fushë sportive, kishte edhe fushë volejbolli e basketbolli. Kushtet i kishim shumë më të mira, sesa të studentëve civilë. Kati i parë ishte kuzhina dhe administrata, ndërsa tre katet e tjerë ishin fjetina. Në dhoma ishim deri në katër vetë. Dhomat tona kishin të gjitha radio brenda. Ndërsa çdo sallë studimi kishte nga një televizor, gjë të cilën nuk e kishin studentët civilë. Shumë prej tyre kur kishte ndeshje vinin e shikonin tek ne. Edhe ushqimi ynë ishte shumë më i mirë se i studentëve, madje me latat tona, u jepnim ushqim edhe miqve tanë studentë civilë. Nga ministria e Mbrojtjes kishte një kujdesje të madhe për ne, të gjithë donin që të arrinim rezultate të mira.

Kush nga udhëheqësit  e kohës vinte më shumë dhe ju kontrollonte, apo bisedonte me ju?

Më shumë nga të gjithë vinte Petrit Dumja. Ai ishte njeriu që e donte shumë futbollin, madje thuajse vinte çdo të diel dhe luante me ne. Më të shumtën e herëve vinte me kalin e tij, që është bërë legjendë. Por ndonjëherë vinte dhe me një veturë “Vollga” jeshile që binte në sy. Ndonjëherë ne i thoshim “na sill ndonjë top të ri” dhe ai i thoshte adjutantit të sillte 3 apo 4 topa dhe na i linte në dispozicion. Kishte një dëshirë të madhe të luante futboll. Kur luanim, mbushej rreth e rrotull fushës plot me studentë dhe pedagogë. Ishin të gjithë dashamirës të futbollit. Petriti dhe pse nuk luante mirë, kishte një shpirt luftarak të madh, madje luftonte fizikisht shumë në lojë dhe kishte qejf kur e duartrokisnin.

 

Si ishte situata në ushtri, kur ju mbaruat universitetin e Tiranës?

Ishte një situatë e tensionuar. Ishte viti 1974 dhe isha me pushime në Durrës. Më lajmërojnë nga reparti se duhej të shkoja në punë, edhe pse nuk e kisha përfunduar lejen. Nuk më dhanë sqarime. Shkova të nesërmen në punë dhe aty mësova se ministri Beqir Balluku ishte shkarkuar dhe kishte probleme. Filluan pastaj  llafet poshtë e lartë se çfarë po bëhej në ushtri, si ishte disiplina dhe si ishte përgatitja. Por më shumë flitej se shumë nga drejtuesit e ministrisë së Mbrojtjes abuzonin me pushtetin, pra bënin shumë dreka dhe darka dhe nuk pyesnin shumë për stërvitjen. Qejfet ishin vënë në plan të parë dhe pse drekat e darkat në fakt shkonin në buxhet të shtetit e jo nga xhepat personalë të udhëheqësve të kohës.

 

Konkretisht, për çfarë abuzimesh flitej?

Për shembull, kur doli në gjyq drejtori i Shtëpisë Qendrore të Oficerëve që ishte një burrë i mirë, ai deklaroi se kishte shumë shpenzime, pasi drejtuesit kryesorë harxhonin shumë në raste festash, ditëlindjesh dhe faturat ia shkarkonin ministrisë. Aty doli që Petrit Dumes çdo mëngjes nga kuzhina e Shtëpisë Qendrore i shkonte një tenxhere me paçe dhe një me pilaf. Kur e pyetën në gjyq pse nuk raportonte, i ziu nuk dinte ç”të thoshte. Pra, kishte frikë. Madje mbaj mend njëherë në qershor 1973 neve na erdhën në repart dy makina laboratori kimie nga Kina. Pra, dy laboratorë të shkëlqyer të prodhimit të fundit shumë modern. Pata fatin që ta pres Beqir Ballukun dhe ta ndihmoj të futej brenda në laboratorin e makinës. Mund të them se ai laborator kimie ishte një mrekulli. Me atë u pajisën të gjitha divizionet. Në fakt, këto kërkesa i kishte bërë ministri kur kishte qenë në Pekin dhe i quante si suksese të tij. Balluku më bëri disa pyetje dhe unë mundohesha të isha korrekt.  Fill pas inaugurimit në Uzinën kimike pranë Shkollës së Qenve, kuadrot kryesorë shkuan direkt tek Shtëpia Qendrore e Ushtrisë që të festonin ardhjen e këtyre laboratorëve. Midis tyre ishte dhe një shoku im. Ai më tregoi se ia veshën me të ngrënë dhe të pirë, aq sa mishi, rakia, vera dhe konjaku u doli nga hundët. Një rast tjetër ishte kur shkuam në Laç, ku ishte një qendër stërvitje për studentët. Ishte një ndërtesë e madhe e cila ishte ndërtuar enkas për stërvitjet 3-mujore që bënin studentët kur mbaronin shkollën e lartë. Beqir Balluku me disa oficerë madhorë kishte shkuar më parë dhe pastaj ia kishin futur mishit të pjekur. Ne pasi i pamë ato që duhej të shikonin, shkuam në mensë. Por ç”të shikonim. Në disa tryeza të bashkuara pamë togje me kocka sikur kishin ngrënë tre batalione me ushtarë. Pyetëm kuzhinierët se ç”ishin gjithë ato kocka, ata thanë ato që kishin lënë udhëheqësit pas drekës. U habitëm.

 

Po ku gjendej ky mish, kur Shqipëria vuante për mish e në treg nuk gjendej?

Në atë kohë, ushtria kishte ekonominë ndihmëse, pra kishte bagëtitë e saj. Me këto abuzohej. Pra, shumë oficerë madhorë rronin ende me meritat e luftës. Harruan fare stërvitjen dhe e kishin mendjen vetëm tek qejfet, të ngrënët dhe të pirët. Kishte rënë interesi për stërvitjen. Madje flitej se Balluku në kundërshtim me një Vendim të Këshillit të Ministrave kishte nxjerrë një urdhër të brendshëm për ministrinë e Mbrojtjes, që inventari dhe dokumentacioni i harxhimeve të ruhej vetëm 1 vit nga 10 vjet, që e kishte VKM-ja. Ndoshta kjo ishte arsyeja që më vonë e kryqëzuan. Pra, abuzohej me ushqimin kur atë e hanin vetëm pak vetë dhe ushtarët hanin fasule dhe pinin çaj.

 

Prandaj ndodhën sipas jush, arrestimet e vitit 1974?

Këto ishin disa nga më të thjeshtat, por më vonë dolën dhe gjëra të tjera. Në fakt, stërvitja kishte rënë dhe kush vinte për kontroll, mjaftonte që të pritej me mish dhe raki e raportohej se çdo gjë ishte  në rregull. Por më vonë dolën edhe probleme të tjera apo e ashtuquajtura “Teori e rrëshqitjes”. Ajo që u pa me sy të keq ishte se nuk ishte punuar për fortifikimin sa duhej. Pra, qysh në vitin 1969 ishte dhënë udhëzimi që të bëheshin 3 mijë apo 4 mijë qendra zjarri në vit, e në fakt ato sapo kishin filluar dhe më shumë merreshin me disa tunele në zona të ndryshme. Pra, qendra zjarri nuk ishin ndërtuar. Kjo e ngarkoi rëndë Beqir Ballukun, plus që dolën në shesh edhe të ngrënat dhe të pirat.

 

Ju thoni se Balluku e la pas dore fortifikimin, prandaj edhe pas dënimit të tij si ministër u caktua Mehmet Shehu. Në fakt, a duhej të ndërtoheshin kaq qendra zjarri?A ishin ato të afta të përballonin predhat, apo edhe lëndët helmuese luftarake, apo ishin shpenzime të kota? Në rast përdorimi të lëndëve helmuese luftarake, si mbrohej nga brenda një qendër zjarri?

Sot flitet shumë për bunkerët. Të gjithë i quajnë faj i rëndë, faj i pafalshëm dhe që e rëndoi shumë në ekonominë shqiptare. Në fakt, unë do shpreh mendimin tim. Në kuadrin e Luftës së Ftohtë, secili shtet mendonte të mbrohej. Të gjitha shtetet që na rrethonin kishin arsenal ushtarak të madh dhe që ne duhej t”i përballonim në rast sulmi. Pra, qëllimi ynë ishte mbrojtja. Greqia, Italia, Serbia, etj harxhonin shumë më shumë se ne për armatimin, por ne binim në sy, pasi kishim bunkerë që i shihnin të gjithë. Pra, ne harxhonim për mbrojtjen shumë më pak, pasi një avion bombardues bënte sa qindra qendra zjarri. Pra, ne nuk bënim dot bombë atomike, nuk blinim dot raketa ndërkontinentale, por bënim qendra zjarri. Kostoja e një qendre zjarri për atë kohë ishte baras me një dhomë e kuzhinë parafabrikate. Por kam vënë re se abuzojnë shumë me numrin e tyre. Madje  thonë 300 apo 400 mijë. Jo, numri i tyre nuk i kalonte 45 mijë. Ne ishim të detyruar t”i bënim. Por duhet të dimë që gjithë shpenzimet e tyre ishin dhuratë e qeverisë kineze. Madje, edhe të gjitha armatimet kineze ishin dhuratë.

 

 

Po lëndë helmuese luftarake, a kishim dhe ku ruheshin?

Lëndët helmuese erdhën në vitin 1973 dhe ishin plot 35 tonë. E kupton? 35 tonë. Ishin të gjitha helmet si Iprit, Luizit, etj.... Të gjitha këto ruheshin në tunelet e malit të Dajtit, në mënyrë sekrete. Pak lëndë helmuese luftarake qarkullonin në reparte, për efekte mësimorë, por të gjitha të ruajtura dhe jo në gjendjen reale, pasi u ishte hequr përqendrimi real me naftë ose benzinë.  Ishin zbutur për qëllime praktike, aq sa të kuptohej ideja rreth tyre.

 

Ku janë aktualisht këto LHL?

Këto u asgjësuan me djegie nga një firmë zvicerane nga viti 1998. Pra, një djegie e thjeshtë, që mund të bëhej edhe me teknikën tonë.

 

 

 

 

 

NDËSHKIMI

 

“Si e pësoi Hito Çako

nga ideologjia e huaj

që futi në ushtri”

 

“Hitua ishte shumë i sertë. Nuk shoqërohej me këdo. Asnjëherë nuk i dolën fjalë për të ngrëna dhe të pira. Por duke u marrë me ideologjinë, me politikën e partisë në ushtri dolën se kishte materiale të huaja, që ishin kundër ideologjisë së partisë. Pra, kishte shumë materiale të përkthyera dhe të botuara në shtypin ushtarak, kryesisht nga lufta arabo-izraelite, apo nga ushtria sovjetike, që ishin thuajse të përhershme në këto organe. Hitua u kritikua rëndë që merrej me ideologjinë e huaj në ushtrinë tonë,  kur ne duhej të propagandonim partinë dhe materialet e saj”.

 

NDIHMA

 

“Kina na dhuroi 17.5 miliardë

dollarë amerikanë armatime”

 

“Kina na ka dhuruar 17.5 miliardë dollarë amerikanë armatime nga më të ndryshmet, si tanke, avionë, anije luftarake, raketa, nëndetëse, topa tokësorë, bregdetarë, kundërajrorë, armë kimike, pra nga të gjitha llojet e armëve. Depot tona ushtarake ishin mbushur me armatim të përditshëm dhe rezervë për disa vjet luftë. Për çudi çdo avion, raketë, anije që vinte në arkë kishte dhe faturën. Në kohën e demokracisë kur shkoi z. Serreqi në Kinë dhe pyeti për këtë çështje ata i thanë: “Ishin dhuratë, por duhej të dinim sesa ju jepnim. Llogaria mbetet llogari!”. Gjithashtu, Kina na ka dhënë armë kimike më shumë , apo më mirë të themi, të gjitha armët kimike që kishte ushtria jonë ishin dhuratë e Kinës. Dy herë kanë ardhur ndihma me armë kimike më shumë, njëherë në vitin 1963 dhe në vitin 1973. Mund të them se laboratorët kimik stacionerë dhe të lëvizshëm ishin tepër modernë. Mendoj se nuk i kishin fqinjët tanë. Ata edhe sot mund të ishin shumë efikasë, por nuk e di se çfarë u bë me ta. Ata duhej të ruheshin, duhej të ishin në gjendje pune pasi sot nuk i blen dot.

 

(Vijon në numrin e ardhshëm)