Tru në frizer!

Tru në frizer!
Nga Juela Meçani

Të zhytur në politikë, në krizë ekzistenciale e me qindra probleme, as që e kapëm në kohë faktin që ky janar uli ndjeshëm temperaturat. E pas 27 viteve demokraci, pas shumë premtimesh, kronikash, nismash të lëna në mes, ngriti krye i njëjti problem. Shkollat tona, në pjesën më të madhe, janë pa ngrohje. E atyre që i përkasin brezit tim, ju kujtua menjëherë, me nostalgji, ajo soba me dru e në shuma raste me qymyr, që na ngrohte klasat e ku ne, në pushimin e madh, theknim bukën. Të varfër por gjithsesi të ngrohur. Por në 2019 të kesh ende frikën se do të çosh fëmijën në një klasë të ftohtë, është absurditet. Por ja që ndodhi, përsëri e përsëri. Klasat akull të ftohta e madje as një ngrohëse me nga shtëpia fëmijët nuk e merrnin dot, sepse binin automatët e shkollës. Sinqerisht, pavarësisht se kjo nuk është zgjidhje për një dukuri që zvarritet prej dekadash, mendova se Ministria e Arsimit, të paktën në ditët kur temperaturat shkuan nën zero, do të bënin pezullim mësimi. Por nuk ndodhi. Tufa-tufa të miturit u kthyen nga shkolla me duar mavi e duke u dridhur. A nuk është kjo kriminale? Sa e vështirë qenka që të pezullosh mësimin duke qenë se faji është institucional sepse si institucion nuk ke garantuar ngrohjen? Shumë vite më parë kjo ishte gjëja që më bëri më shumë përshtypje, teksa jepja mësim në një shkollë në Itali, ku kam dhënë mësim rreth dy vite. Pavarësisht se struktura e godinës ishte e vjetër dhe e amortizuar, sapo hyje brenda, ishte aq ngrohtë sa të merrej fryma. Dhe bëhej fjalë për një qytet shumë të lagësht e të ftohtë. Mirëqenia e fëmijëve në ngrohje e ushqim ishte primare e nëse një detaj i vogël mungonte në këto aspekte, bëhej nami e ndizej flakë qyteti. Atëherë si është e mundur që në mes të Tiranës ende kemi klasa pa ngrohje në shumicë? Pse shkolla të sapo rikonstruktuara janë pa sistem ngrohjeje? Ku kanë shkuar paratë që mblidhen nga taksat tona për arsimin dhe kush mban përgjegjësi nëse fëmijët kalojnë sëmundje ose ftohje të rënda e prindërit mbeten dyerve të spitaleve? Ore, fundja, çfarë taksirati kanë fëmijët të vuajnë një vegjëli të tillë? Ndërkohë që të vegjlit dridheshin, ngrohja e zyrave të drejtuesve me tru në frizer apo sallat e mësuesve vlonin nga kondicioneri. Ka kjo sens logjik? Pra, të gjitha shtirjet nëpër TV, sukseset e reformave të preshit, rrugët e urat e lyera me bojë, dritat e festave e çdo reklamë që bëhet rëndomë në këtë vend, nuk bëjnë dy lekë përpara këtij skandali. Por si gjithmonë, ne jemi bërë të gjithë si robotë e sapo dëbora shkrihet, harrojmë, duke dëmtuar kështu, që në nisje, jetët e fëmijëve tanë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: