ÇIFTI MË I BUKUR! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

ÇIFTI MË I BUKUR! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Ky Shën Valentin na gjeti në punë e kështu, teksa ecja në rrugë e shikoja dyqanet zbukuruar me të kuqe, përthitha konsumizmin idiot të kësaj dite e vendosa të shkruaj për një histori të jetuar që edhe sot, kur e kujtoj, më bën të lotoj, s’di pse. Mund të kisha shkruar edhe për bojën e zezë në fytyrën e kryeministrit, ndoshta edhe për tmerrin që zgjoi Tiranën me një grua të vrarë me plumba. Por jo. I thashë vetes se duhet të shkruaja për dashurinë sepse vjen një ditë kur duhet, me zor, të heqësh nga vetja tema që të kanë kalbur trutë gjithë vitin. Për pak kohë, të paktën.

Vera që shkoi më çoi në Sarandë. Me vajzën dhe një mikeshë shkuam në një nga dyqanet e kompanive telefonike, sepse time bije i kishte mbaruar oferta. Një dyqan i vogël shumë në shëtitoren kryesore të qytetit të mbushur plot me pushues. Aq i vogël qe sa që ishim të gjithë klientë afër njëri-tjetrit. Mes diversitetit njerëzor, një çift me telefona të shtrenjtë në duar, fuoristrada jashtë e parkuar, aroma e parfumit të shtrenjtë dehëse, veshjet o nëne o nëne. Ai as derën nuk i hapi të shoqes, ajo nga pas e heshtur. Për t’i rënë shkurt, një fodullëk i përzierë me ca mungesë edukate, një sjellje fyese me bashkëshorten. Bashkë me ta hyn edhe një çift të rinjsh, dukshëm në muaj mjalti, zënë dorë për dore. Veshur pastër por varfër, por me një buzëqeshje magjepsëse mes njëri-tjetrit. Ai hapi derën dhe la atë të hynte. Pozicioni i shitëses nuk lejonte më shumë se katër veta e ndërkohë isha unë aty. Ndaj hyrja e dy çifteve njëkohësisht e komplikoi situatën. Çupka e telefonisë u dha nga një vështrim nga koka te këmbët, sigurisht që “përzgjodhi” t’u jepte prioritet “zengjinëve” ose më saktë atij, burrit, që e mbante gruan pas si ta kishte të dhënë me zor. Kompania telefonike ishte rritur çmimet pa asnjë lajmërim ndaj burri me bark filloi të fliste me vete dukshëm i pakënaqur. Gruaja i bëri shenjë që të mos ankohej e ai i futi një “qepe gojën ti”, pagoi e ikën. Në këto minuta, çifti i ri nuk e humbi aspak qetësinë, pavarësisht se u lanë pa të drejtë pas në shërbim. Të dashuruar, shikoheshin sy më sy, ai i merrte aromë në gushë, ajo ulte sytë dhe i puthte dorën mbi dorë. U vjen radha dhe kur mësuan se ishte rritur çmimi i ofertës, djali fut dorën në xhep, shumë i mërzitur dhe nxjerr të holla e fillon t’i numërojë por nuk i dilnin. U vu në një siklet të jashtëzakonshëm e nuk mjaftonte kjo por çupa e telefonisë, me zë të lartë si telendare, në një ambient aq të vogël, filloi t’u thoshte: “Hë more, as 200 lekë s’paske, a vihet në Sarandë pa lekë?”. Ngriva. Gjaku më shkoi në kokë e sinqerisht u bëra gati të shaj. Por buzëqeshja dhe delikatesa e vajzës së dashuruar ma hoqi ligësinë e momentit. Ajo ja mori dorën, ja shtrëngoi fort, e puthi në faqen e djersitur e i tha të mos shqetësohej fare. Po ja tha aq bukur, aq ëmbël, aq çiltër, sa që ai u dridh. U gjetën edhe të hollat e duhura dhe teksa shitësja idiote shfrynte, çifti u largua e i pashë nga xhami teksa vazhduan shëtitjen kokë më kokë e dorë më dorë. Nuk e di pse ajo skenë, ai çift, ajo ndodhi, më ka mbetur kaq shumë në mendje e më prek aq shumë edhe sot. Por di të them se dashuri ka, nuk ka vdekur ende, por duhet ta pranoj. Ajo fle tek njerëzit që nuk kanë shumë, ose asgjë. Ata që kanë vetëm njëri-tjetrin e që nuk i tremb asgjë. Për mua, jashtë çdo patetizmi, ata janë çifti më i bukur. Por janë pak, shumë pak, sepse hipokrizia e veshur me para’ e interes, etje për pushtet dhe rivaliteti me të tjerët, i ka bërë njerëzit të humbasin gjënë më të vyer që ka njeriu, dashurinë për tjetrin apo tjetrën.