Çunat e Berishës

Çunat e Berishës
Nga Juela Meçani

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nëse ka një lider politik në Shqipëri që nuk ka nevojë për gardistë që të ndihet i mbrojtur, ai është Sali Berisha. Këtë mendoj se e kanë fort të qartë edhe instancat që pikërisht më 21 shkurt bënë me dije se në respektim të ligjit që cituan me vrap, sipas tyre, të hiqnin prej tij shërbimin e mbrojtjes nga Grada e Republikës. Ky lajm u lëshua mediatikisht në mesin e dhjetëra lajmeve mbi djegien e mandateve opozitare por ishte shumë qesharak veprimi dhe mosveprimi në të.

Mund të tingëllojë pak si në “konflikt interesi” ky meditim imi sot, në këtë ditë protestash, por më bëhet hallall, nisur nga memoria historike e jetës time dhe puna ime e dikurshme, lidhur ngushtë me këta gardistë që kanë qenë, shpesh, deçizivë në suksesin e aktivitetit tim por edhe të Berishës, gjithashtu.

Mbi formatin e tij si lider Sali Berisha ka investuar jo pak vite punë dhe mbi të gjitha me një profil të jashtëzakonshëm njerëzor. Ndryshimin e madh mes tij dhe të gjithë të tjerëve që janë vite larg tij e bëjnë pikërisht marrëdhëniet e tija me bashkëpunëtorët e ngushtë. Ka pritur ndër vite të respektohet e mbështetet dhe ka respektuar dhe mbështetur me të njëjtin intensitet, ka marrë atë që ka dhënë, në një raport të drejtë njeriu mbi politikanin. Një kalibër politikani që ka gëzuar dhuntinë e pamohueshme që ata që e kanë njohur mirë ja vlerësojnë edhe kur nuk janë më pranë tij. Këtu nuk hyn aspak të qenit ithtar patetik ndaj një personi ose të ngriturit e miteve që udhëheqin njerëz të dobët.

Po të hysh më në hollësi, pranë vetes nuk ka zgjedhur kurrë të tillë, madje në shumicën e rasteve, ka zgjedhur të bashkëpunojë me njerëz me karakter të fortë. Më pas “seleksionimi natyror” ka bërë të vetën. Ca mbetën e ca ecën më tej, por edhe pas shumë vitesh, edhe pas dorëheqjes, kush punoi me të nuk e lëshoi kurrë figurën e tij në harresë. Në këtë aspekt, të gjithë të tjerët pas tij, janë munduar që ta kopjojnë, po po, ta kopjojnë, por nuk e kanë arritur dot këtë. Djemtë e gardës që kanë qenë të pandarë në udhën e Berishës nuk duhen parë në asnjë moment si ushtarakë që bëjnë detyrën. Detyra, në rastin e Berishës, ka qenë vetëm një pjesë e aktivitetit të tyre.

Të shkolluar thellësisht, me disa gjuhë të huaja si dije, grada të larta në profesion, me familje të mira, nga diversitete të ndryshme lokale si Tropoja, Korça, Kavaja, Gramshi, Burreli etj, ata ishin dhe janë një pjesë thelbësore e aktivitetit të tij por mbi të gjitha, e kanë dashur dhe ndjerë njeriun Berisha shpirtërisht. Dhe janë shumë vite të gjata për të qenë vetëm një “mahnitje” mbas lidership-it. Janë ndjesi që janë krijuar vit pas viti bazuar në respekt dhe burrëri.  Prandaj nëse misioni i tyre parësor është të mbrojnë figurën institucionale dhe fizikun e një lideri e të familjes së tij, duke dhënë edhe jetën, nuk kam aspak sigurinë se mund të “binin theror” për një Ramë a një Pandeli, aq më pak për një Elizë ose për një Xhaçkë.

Mbrojtja institucionale ndaj ish kryeministrit Berishë është plotësisht diçka tjetër nga mbrojtja institucionale ndaj liderit Berishë. Është një mbrojtje instucionale ndaj një figure që edhe sot ruan ekuilibrat e brishtë të këtij vendi, duan apo s’duan pasardhësit e tij në parti ose qeveri. Por ani’, nuk është gjëmë e madhe. Qesharake si kapriço e një fëmije ky urdhër në një ditë protestash. Mund të keni hequr mbrojtjen nga “borderotë” por RESPEKTIN ndaj tij nuk e fshini dot. Njerëzit që mbrojnë atë që duan nuk kanë nevojë për grada e këtë lloj mbështetjeje të ndërsjellë ata që nuk e gëzojnë dot as sot as nesër nuk e durojnë. Ndaj trembin kaq shumë pushtetin “çunat e Berishës”, sepse janë aty sepse duan të jenë aty e kam idenë se aty do të qëndrojnë, gjithsesi.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press