FORUM/8 Marsi, nga ditë feste, në ditë apeli për të drejtat e femrave!

FORUM/8 Marsi, nga ditë feste, në ditë apeli për të drejtat e femrave!
FORUM/ Çfarë është për shqiptarët 8 Marsi dhe urimet e kësaj dite. Flasin për “Albanian Free Press” Tefta Radi, Ermira Babaliu, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Lili Cingu, Enrieta Sina, Zhuliana Jorganxhi dhe Ela Tase

 Përgatiti për Albanian Free Press: Albert Zholi

Sot është 8 Marsi, e njohur nga të gjithë si Dita Ndërkombëtare e Gruas e në Shqipëri, si festa e Nënës. Një ditë e rëndësishme kjo, në të cilën kujtohen arritjet e kushteve sociale, politike dhe ekonomike të grave në botë, por edhe dhuna dhe abuzimi, që shumë gra janë ende duke vuajtur. Po si e komentojnë këtë ditë personalitete të njohura të vendit këtë ditë simbol për gjininë femërore? Cilat janë sot problemet me të cilat femra shqiptare ndeshet sot?

 

TEFTA RADI, Melburn, Australi

 

“Ditë reflektimi dhe proteste”

“Pranë teje, e dashur Nënë, në këto ditë të vështira për ty. Gëzuar këtë 8 Mars dhe të tjera si ky. Pranë teje, me shumë dashuri e përkushtim. Por dashuria tënde vazhdon të më mundë, si atëherë kur isha fëmijë. Të qëndroj pranë dhe ndjej belbëzimin e zërit tënd të fikur plot bekime, që veç nënat dinë t’i dhurojnë. E bekuar qofsh nëna ime! Zemrën ma ke mbushur plot me dashuri, dashuri që për ty është fjala më e bukur. Përmes teje e dashur nënë, urimi im vjen për të gjitha nënat e gratë shqiptare kudo që janë. Qofshin të lumtura në sfidat e tyre të mëdha, të vështira. Por si gjithmonë ato, nënat tona, të sakrificës,  zemërgjera e të paepura për jetën, për familjen, pse jo, edhe për imazhin dhe integrimin e Shqipërisë sonë, që aq shumë e dëshirojmë, sado larg saj të jemi! Gëzuar 8 Marsin, nëna e motra, edhe pse ditë reflektimi e proteste!”.

 

ERMIRA BABALIU, këngëtare

 “Nënat heroina, të pagjuma” 

“Një ditë më shumë, prej sakrificave të tyre të panumërta. Është një temë me vete të flasim për nënat, s’ditkam të bëj urim më të mirë sot. Nënat heroina, të pagjuma, plot mirësi dhe bujari. Nënat që sakrifikojnë çdo gjë për fëmijët e tyre. Tërë të mirat e botës ju uroj, shumë suksese në çdo hap!”.

 

MARGARITA XHEPA, “Nderi i Kombit”

 

“Pa femrat bota do ishte më e egër dhe më problematike”

“Një festë e bukur, një ditë e veçantë. Vitet ndryshojnë dhe kohërat po ashtu, por 8 Marsi mbetet po ajo ditë. 8 Marsi në Shqipëri gjate viteve të komunizmit u kremtua si festa e Nënës, teksa në mbarë botën mijëra gra bashkoheshin për të kërkuar të drejtat e tyre. Me hapjen e vendit pas rrëzimit të sistemit diktatorial, 8 Marsi filloi të merrte kuptimin e vërtetë në teori, sepse në praktikë ende sundohet nga lule, dhurata dhe dreka mes grave, duke u shndërruar në një ditë feste dhe jo në ditë apeli për të drejtat e tyre. Për mendimin tim, kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 9 dekada. Por padyshim, që kjo ditë mbart në vetvete edhe falënderimin dhe nderimin për gjithçka gratë japin në shoqëri, në rolin e nënës, motrës, mikeshës, apo në profesionin e tyre. Në këtë ditë të veçantë, femrat janë në qendër të vëmendjes dhe marrin dhurata, jo vetëm nga partnerët, por edhe nga fëmijët apo të afërmit. Në vend priten aktivitet të ndryshme në nderim të gruas, por këto aktivitete nuk duhet të jenë vetëm një ditë në vit për gruan, jo! Gratë janë shëmbëlltyra më e mirë e ideve të Zotit në tokë, pa të cilat bota s’do shumëfishohej, por përkundrazi, do ishte më e egër dhe më problematike. Nënat, burimi i jetës, mirësisë, ndjeshmërisë, vigjilencës, sakrificës, bujarisë dhe krenarisë. Për të arritur në këtë ditë që është sot, gratë shqiptare për të fituar të drejtat e tyre kanë kaluar nëpër kalvare vuajtjesh dhe sakrificash. Dikur me ferexhe, pa të drejtë vote, me të drejta shumë të kufizuara, sot shohim një grua shqiptare të emancipuar, civilizuar, e shohim zv/kryeministre, kryetare Kuvendi, deputete, ministre, etj. Pra, një grua që përballet bindshëm me burrat në çdo aspekt të jetës shoqërore. Për herë të parë, 8 Marsi në Shqipëri u kremtua në vitin 1942 të shekullit XX në grupe të vogla grash. Në fillimet e shtetit shqiptar, nuk ka ekzistuar e drejta e grave për të zgjedhur e as për t`u zgjedhur. Në ligjin për “Zgjedhjen e deputetëve” i datës 5 dhjetor 1920, në nenin 6, theksohet: “gjithë ata burra që  kanë moshën 20 vjeç e përpjetë, paguajnë a s’paguajnë vergji, kanë të drejtë vote në çdo zyrë zgjedhjeje për zgjedhje të dytë”Për herë të parë në Shqipëri, e drejta e votës për gratë është njohur në vitin 1945. Në Statutin e Republikës Popullore të Shqipërisë të vitit 1946, në kapitullin “Të drejtat dhe Detyrat e Shtetasve”, neni 14 theksohet: “Të gjithë htetasit pa ndryshim seksi, kombësie, race, besimi, shkalle kulturore ose banimi dhe që kanë mbushur moshën 18 vjet, kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në të gjitha organet e pushtetit shtetëror”. Sot kohët kanë ndryshuar. Gëzuar 8 Marsin nëna, motra dhe shoqe kudo në botë!”.

 

LILI CINGU, “Mjeshtre e Madhe”

 

E trishtuar nga dhuna ndaj femrave”

 “Bashkë me mimozat vjen dhe festa e gruas, e nënës. Akoma në shekullin ku jetojmë, ekzistojnë mbetje të mendimeve mesjetare që ushtrojnë dhune ndaj një qenieje, e cila të ka sjellë në jetë, të ka mëkuar me gjuhën shqipe, me ninulla, Ndihem e trishtuar kur lajmet mbushen me dhunë, çka do të thotë se nxisin dhunë ndaj grave, nënave. Parlamenti transmeton dhunë, emisionet apo rubrikat televizive transmetojnë dhe nxisin dhunë. Mes tyre janë gratë, janë nënat. Dashuria për to duhet promovuar! Njeriu ka virtyte të cilat kurrë nuk do t’i kuptoni ju, te cilët e shihni dhunën si mjet rrugëdalje, nga dështimet e njëpasnjëshme që merrni nga shoqëria! Nëna është fjala më magjike, më e bukur, më shpresëdhënese. Ajo është gjysma e botës por dhe drita e botës!”.

 

ALIDA HISKU, këngëtare  

 

“Sot gratë duhet të mendojnë për veten”

“Sot po ju flas nga një aktivitet në Gjermani. Një aktivitet ku përfaqësoj gruan shqiptare me veshje karakteristike të saj. Veshje që po i habisin të pranishmit dhe na bën krenare. Dita e 8 Marsit, duhet të jetë dita kur gratë duhet të mendojnë për veten dhe gratë e tjera, të reflektojnë në atë se pa marrë parasysh se cilës kulturë, nacionalitet, familje i takojmë, jemi gra dhe jemi të njëjta. Unë jetoj prej vitesh në Gjermani dhe po e shoh sesi respektohen dhe çfarë vlerash kanë sot gratë më këtë vend. Gjermaninë prej afro 15 vjetësh e drejton një grua, Merkel, një zonjë e madhe, fisnike që ka pasur besimin më të madh në shoqërinë gjermane. Por sot në Gjermani ka dhe shumë si Merkel. Në vendin tonë, ende pozicioni i gruas nuk është aty ku duhet. Kemi jetuar në një shoqëri, ku femra nuk ka qenë,por dhe ende nuk është e barabartë me mashkullin, në të gjitha poret e jetës. Kishim një shoqëri ku femrës i imponohej mënyra e të jetuarit, mënyra e veshjes, daljes, qëndrimit dhe shprehjes se mendimit të lirë. Dikur femra nuk ka gëzuar të drejtën e shkollimit, apo nuk i mundësohej ajo. Kemi pasur një shoqëri, ku femra nuk ishte e përfaqësuar në mënyrë të barabartë në jetën shoqërore. Sot janë marrë hapa konkret në drejtim të barazisë gjinore në Shqipëri, por ende rruga është e gjatë. Këto ditë nëpër rrjete sociale kam parë që kanë filluar të urohen nënat, por në fakt duhet të urohen gratë. Është dita e gruas dhe jo e nënës. Në 8 Mars, duhen uruar nënat, motrat, gjyshet, e dashura, tezja dhe të gjitha gratë. Është dita e tyre! Meqenëse te ne kjo ditë shënohet në mënyrë solemne si në shtëpi, ashtu dhe në shoqëri, duhet një dhuratë, jo domosdoshmërish e shtrenjtë, duke përcjellë urimin e të gjithë neve për më të dashurat tona. Dhuratat, e kam mësuar nga familja ime, nuk duhet të jenë të shtrenjta, në kuptimin financiar; dhurata duhet të jetë nga zemra, e menduar mirë dhe me përkushtim, sepse kjo e bënë më të vlefshme. Gëzuar festën gratë vetëmohuese të Shqipërisë dhe gjithë botës”.

 

MYFARETE LAZE, “Mjeshtre e Madhe”

 

“Nënat duhen respektuar çdo ditë”

 “8 Marsi, një ditë e bukur, një ditë që ne si nëna e presim me mall. Kjo ditë më shumë sesa një festë, është një ditë reflektimi, por është edhe një ditë ku ne duhet të ndjehemi të lira, të kërcejmë vals, të gëzojmë, të këndojmë. Të këndojmë këngët për nënat, për sakrificat e tyre, për dhimbjet dhe gëzimet e tyre. Nënat duhen respektuar çdo ditë. Ato meritojnë shumë, pasi bëjnë punë heroike në heshtje”.

 

ENRIETA SINA, shkrimtare

 

“Nëna të mëson të jesh njeri”

“Trokasim në tryezat tona familjare për një tjetër gëzim të pakrahasueshëm: Festa e 8 Marsit!Gëzuar festën nënë! Edhe në këtë ditë feste rrëfenjat janë të ndryshme. Por, ne bëjmë urimet tona të përzemërta për më tepër lumturi në jetën e tyre. Duket se mimoza është përdorur si lulja simbol e Festës së Gruas nga italianët. Në vitin 1946, Unioni i Grave Italiane përgatitej për 8 marsin e pasluftës. Kërkohej një lule që të simbolizonte këtë ditë. Ishin vetë gratë ato që zgjodhën lulet e verdha, të buta dhe gjithë aromë të mimozës për festën e tyre. Prandaj dhe mes nesh buqetat e lulet e mimozave për nënat janë të pranishme kurdoherë. Mbeti kjo datë e trashëguar në jetën tonë si dita e Nënës. Dita e asaj pa të cilën bota nuk do të kishte të ardhme.  E dimë mirë që ndjenjat dhe zakonet që përbëjnë lumturinë tonë të përgjithshme formohen në familje dhe ne na i ka ushqyer më qumështin e gjirit nëna, e ëmbla, e dhimbsura, e dashura, krenaria e jetës sonë. Nënë! Fjala më e bukur në botë! Gjithçka që bën një nënë nuk ka të krahasuar me asnjë vepër në jetë. “Sillu me prindërit ashtu si do të dëshiroje që fëmijët e tu të silleshin me ty”, LEOPARDI. Kupto që në çdo situatë një nënë di ta fal, sepse e tillë është ajo, për këtë ka ardhur në botë, por ti duhet ta duash shumë sepse sakrifica e saj për fëmijët është sublime. Nëna të rrit dhe nuk lodhet duke kërkuar të mësojë qëllimin e jetës që fëmijët e saj t’i kushtojnë çdo përpjekje e mendim. Nëna të qëndron pranë dhe të mëson të jesh njeri. Të mëson si ambicia nuk pajtohet kurrë me mirësinë, të mëson të duash dhe të mos

urresh, të mos bësh asnjëherë diçka të keqe, sepse e keqja edhe nëse është e fshehtë për të tjerët s’do të jetë e tillë në ndërgjegjen tënde. Ajo bën gjithçka që t’i lumturojë fëmijët , sepse e di mirë se njeriu atje ku jeton, atje mund të bëhet edhe i lumtur. Në çdo moshë, ne kujtojmë ditët e fëmijërisë si ditët më të lumtura ndofta sepse ato janë ushqyer më vështrimet e ngrohta të nënave tona të mrekullueshme. Nënat janë fisnike në ndjenja, shikoje këtë brenda vetes tënde dhe do të shikosh vetëm emrin “Nënë!”. Nënat mësojnë se si fëmijët ë tyre të bëhen të mirë dhe të ndershëm, sepse në këtë mënyrë nuk do të turpërohen kurrë. Vlerësoni dhe uroni zemrat fisnike të nënave, me këtë forcë do të largoni nga vetja çdo pengesë e ligësi. Forca më e madhe qëndron në një zemër të pafajshme dhe kjo është zemra e ngrohtë, e dashur, e palodhur e nënës! Gëzuar pra festat e 7 e 8 Marsit! Gëzuar Festën e mësuesit!  Gëzuar Festën e 8 Marsit nënat e motrat tona të dashura!

Qofshi përherë të lumtura!”.

 

ZHULIANA JORGANXHI, poete

 

“Me nënën nis jeta”

  “Nënë, fjala më e bukur, më poetike në botë! Nënë, fjalë që të sjell emocion të rrallë!  Me NËNËN nis jeta! Nëna është ajo, që të mban dhe të ushqen 9 muaj në trupin e saj, të jep gji, të rrit dhe nuk të kërkon kurrë shpërblim. Nëna është dashuria, që nuk të braktis kurrë. Nderim, respekt dhe mirënjohje gjithë nënave të botes kudo ku janë. Nëna për mua është edukatorja natyrale e fëmijës. Ajo i mëson e para të flasë, i mëson gjuhën, zakonet e të parëve. Pra, mban të gjallë traditën. Ndjej dhimbje të madhe, në këto kohe "moderne" kur shoh braktisje të nënave. Po nëna e ka shpirtin det të thellë, që tret çdo gjë. Nënat dinë të falin. Rruga e emancipimit të vajzës dhe gruas shqiptare është shumë e gjate dhe e mundimshme. Mjafton të kujtojmë motrat Qirjazi, Urani Panon etj, etj, me sa pasion dhe çfarë mundimi iu desh atyre për të çarë ndër vite rrugën e tyre drejt një shoqërie të emancipuar.

Kujtoj me nderim të madh dhe mirënjohje pionieret e para te artit lirik shqiptar si Tefta Tashko, Jorgjie Truja (Filçe), Marie Kraja, Lola Gjoka dhe gjithë ato plejada artistësh, që ndritën ne skenën e TKOB, si dhe balerinat e para të këtij Teatri si Ganimet Vendresha, Zoica Haxho, Adivije dhe Sekine Sharofi, Ikbale Morina, Mukadez Erebara, Tatjana Sulejmani etj. etj. Artistet e para të skenës dhe ekranit tonë si të ndriturat Marije Logoreci, Drita Pelingu, Liuza Vorfi, Voleta Manushi, Dhimirta Mele, Dhorke Orgocka, Melpomeni Çobani etj. Të madhërishmen Tinka Kurti, Margarita Xhepën, Roza Anagnostin, etj. Kujtoj me mirënjohje dhe nderim këngëtaret e muzikës sonë të lehtë si të ndriturat Anita Take, Pavlina Nikaj, të madhërishmen dhe të paarritshmen, "Nderi i Kombit”, Vaçe Zela dhe gjithë këngëtaret, që erdhën pas tyre si Ema Qazimi, Lindita Theodhori, Irma Libohova, Parashqevi Simaku, Adriana Ceko, Myfarete Laze, Afërdita Zonja, etj. Mjeken, kirurgen e pare shqiptare, të ndriturën Rushen Golem, që u nda para pak ditësh nga kjo jetë, mësueset e para , që mbollën pemët e para të diturisë ne Atdheun tim, pedagoget e para të UT, shkencëtarët dhe gjuhëtaret e para shqiptare, etnografen e parë të ndriturën Andromaqi Gjergji dhe gjithë plejadat e mësueseve, pedagogeve, shkrimtareve, poeteve, shkencëtareve dhe gjithë gratë e inteligjencies shqiptare kudo ku janë.

Emancipimi nuk është vetëm të ndjekësh modën në veshje etj. Emancipim do të thotë shumë. Me dijet, punën tënde të tregosh se je e barabartë me kolegun tënd dhe shumë herë t'ia kalosh atij. Tek ne ka pasur dhe ka shumë maskilizëm. Gruaja ende ndodhet e nënshtruar ndaj burrit dhe kur ngre pak zërin, ose kokën, ndodhin dhe tragjedi, të cilat të tronditin shpirtin. Vajza dhe gruaja shqiptare sot për mendimin tim bën shumë, por shumë e shumë më tepër duhet të bëjë shteti dhe shoqëria për të. Vajzat tona sot ngrehin nderin e Shqipërisë në shkencë, në art, etj, nëpër botë. Por, të dhemb shpirti dhe zemra të kullon gjak kur i sheh vajzat tona në tregjet e seksit nëpër botë. Mendja sa herë vjen 8 Marsi, më shkon tek ato vajza dhe nëna në fshat, të cilat çdo ditë hahen me tokën, u plasariten duart nga cikna e dimrit dhe dielli i nxehtë i verës. Është ajo vajza dhe gruaja fshatare, që mban gjithë punët më të rënda, që nga lindja, rritja e fëmijës, shërbimi që iu bën gjithë pjesëtarëve të familjes, punët e bujqësisë, apo blegtorisë. Më vijnë ndër mend edhe ato vajza, që nuk kane mundësi sot ekonomike të vazhdojnë shkollën e mesme ose të lartë. Ato nëna, që mezi gatuajnë një kulaç dhe ua japin si përshesh me ujë fëmijëve të tyre çdo mëngjes. Vetëm kush ka provuar varfërinë mund t'i kuptoje ato dhe jo disa zonja, që festojnë 8 Marsin duke treguar xhevahirët, orët e shtrenjta dhe modën e fundit. Duhet të luftojnë për zbutjen dhe zhdukjen e kësaj varfërie jo vetëm burrat pushtetarë dhe deputetë, por mbi të gjitha vajzat, gratë, deputete dhe ato të ngritura në pushtet”.

 

NATASHA LAKO, “Mjeshtre e Madhe”

 

“Gruas i duhet mbështetje te paraardhëset e saj të heshtura”

“Që një grua të gjejë forca në veten e saj, i duhet të ketë mbështetje te paraardhëset e saj të heshtura. Ato i japin më shumë forcë se llafollogjitë e sotme”.

 

ELA TASE, “Mjeshtre e Madhe”

 

“Nëna, një figurë e rëndësishme për të gjithë”

“8 Marsi për mua ka qenë dhe është thjesht një vlerësim më shumë për nënat e vajzat për t’u mbledhur në forma të ndryshme të gëzimit apo protestës, por gjithmonë për të kujtuar e ndërgjegjësuar respektin dhe madhështinë e nënës si figurë e rëndësishme për të gjithë. Unë jam rritur në një rreth familjar e shoqëror që nuk e kam ndjerë problemin e vështirësive apo emancipimit. Që në moshën 14 vjeç jam rritur me grupin e vajzave në sport dhe me lojën tonë kemi shëtitur në gjithë qytetet ku kishte ekip dhe na ndiqnin edhe femrat në ndeshje. Jemi ndjerë të emancipuara në realizimet tona në shkollë dhe profesion pa patur paragjykim si femra. Ndoshta Tirana ishte më e emancipuar me femrat dhe nuk e kemi ndjere robërinë apo pengesa, por vetëm mbështetje nga familja. Me ferexhenë nuk kishim njohje fare dhe nuk u edukuam me fenë në asnjë moment”.