Meta, gati të lërë postin, fton dhe Ramën të reflektojë

Meta, gati të lërë postin, fton dhe Ramën të reflektojë
Presidenti i Republikës doli dje me një qëndrim zyrtar lidhur me krizën politike në vend, duke renditur një varg mesazhesh të cilat konsistonin në përpjekjen siç tha ai për një zgjidhje të konfliktit që po vazhdon.

Ilir Meta deklaroi nga Pogradeci, se jemi në situatë kritike dhe nxit “reflektimin e të gjithëve për t’u dhënë fund sjelljeve polarizuese e përjashtuese përpara se dëmet e kësaj krize të rrezikojnë çdo arritje të këtyre tre dekadave”.

Ofron dorëheqjen, duke nënkuptuar hapin që duhet të ndjekë Rama

Në kuadrin e reflektimit, Meta fton Ramën të japë dorëheqjen si hap për zgjidhjen e krizës, duke deklaruar se është gati ta bëjë edhe vetë këtë, paçka se siç thekson, nuk ka gisht në këtë situatë.

“I ftoj të gjithë të mos sakrifikojë vendin për karriget e tyre apo për ambiciet e veta. Në këtë drejtim, edhe pse nuk kam asnjë përgjegjësi për këtë situatë që është krijuar edhe pse kam bërë çdo përpjekje prej gati dy vitesh në këtë detyrë, për të parandaluar një situatë dhe një krizë të tillë, përsëri jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj në emër të një zgjidhjeje politike që rivendos normalitetin kushtetues, institucional, politik, demokratik në vend dhe që garanton ecjen e shpejtë drejt çeljes së negociatave në BE, jam i gatshëm për të dyja ekstremet”, - tha z.Meta.

Ai sqaroi se kushti i vetëm për të lënë postin e Presidentit është që të vijë një zgjidhje politike funksionale.

Paralajmëron rrezikun e një junte ushtarake: “Jap edhe jetën”

Kryetari i shtetit ishte goxha i alarmuar për situatën në vend, duke shprehur deri rrezikun e instalimit të një junte ushtarake. Këtë paralajmërim, z.Meta e bëri duke i mëshuar edhe një herë, ofrimit të dorëheqjes, duke dorëzuar mandatin si President, “pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara”. Më tej, erdhi dhe “oferta’ sublime kur tha se është i gatshëm “deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Alende”. E gjitha kjo, “për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.

Duke qëndruar te “karrigia”, Meta nënkuptoi edhe një herë ftesën për Ramën që të dorëhiqet pas kërkesave të vazhdueshme të opozitës, kur tha se “Ilir Meta është i përgatitur dhe është i gatshëm për të dyja rrugët sepse asnjëherë, pavarësisht nga ambiciet e tij, nuk ka rrezikuar dhe nuk mund të pranojë të rrezikojë as për karrigen e tij, dhe as për ambiciet e tij, as Shqipërinë dhe as demokracinë në Shqipëri”.

Krizë përfaqësimi dhe kushtetuese

Presidenti Meta, evidentoi edhe një herë se vendi po kalon një krizë përfaqësimi dhe kushtetuese, por dje në Pogradec ishte më i qartë se kurrë: “Duhet ta theksoj se kriza kushtetuese dhe institucionale nuk është e re. Jemi në një situatë të tillë ku prej kohësh nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe pothuajse i gjithë sistemi gjyqësor është i paralizuar”.

Në këtë pikë, z.Meta tha se ka bërë përpjekje që kriza politike të mos ndodhte dhe as të precipitojë, por ka dështuar jo për fajin e tij: “Janë minuar përpjekjet apo qoftë edhe iniciativat, interesimi i veçantë i Presidentit për të parandaluar krijimin e kësaj krize nga aktorë të caktuar”. Në këto kushte, Meta thotë se “kemi një krizë, që në vlerësimin tim është e qëllimshme dhe ka rrezikuar rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë e po kështu, jo vetëm të gjitha garancitë demokratike, por edhe të drejtat e qytetarëve dhe të grupeve të caktuara të interesit”.

Braktisja e mandateve, veprim i dënueshëm dhe i papranueshëm i opozitës

Presidenti konstaton se tani kriza është thelluar dhe është rënduar edhe më tej. Ai vëren se kjo ndodhi pas veprimit të paprecedentë të opozitës shqiptare, për djegien e mandateve parlamentare. Këtu, z.Meta ishte shumë i ashpër sepse tha se vendimi që aplikoi opozita është i dënueshëm: “Ky është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana ime, që ka thelluar seriozisht krizën e përfaqësimit të Kuvendit të Shqipërisë si institucioni kryesor përfaqësues i Republikës së Shqipërisë dhe i qytetarëve shqiptarë”.

Asnjë deputet i shtuar nuk është i ligjshëm

Nga ana tjetër, Meta vëren se deputetët që po futen rishtas në Kuvend, janë ilegalë: “Në vlerësimin dhe në bindjen time institucionale Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse. Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm që thellon këtë krizë, por sigurisht që nuk ndihmon as kapërcimin e kësaj situate, pasi çdo numër tjetër është i kontestueshëm në të gjitha planet”.

Për z.Meta “si në planin kushtetues, në planin ligjor, në atë procedurial dhe politik, në planin moral, dhe absolutisht që në vendin tonë si një vend tërësisht pro-europian, mund të ftohen, mund të thërriten edhe një milion qytetarë, të cilët kanë mbushur moshën për të qenë deputetë e që nuk kanë frikë të plotësojnë formularin e dekriminalizimit për të votuar në parlament ligje të reformave të integrimit europian, por kjo duhet t’i sigurojë të gjithë që as nuk e fsheh këtë krizë të thellë përfaqësimi, dhe njëkohësisht as nuk e garanton, përkundrazi e minon, çeljen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian”.

Deputetët e rinj po blihen nga qeveria?

Kryetari i shtetit, në morinë e mesazheve që lëshoi dje nga qyteti buzë liqenit, foli dhe për blerje të deputetëve duke vënë gishtin te qeveria. Fakti që po krijohet një opozitë e re në Parlament, nuk është zgjidhje për z.Meta: “Nuk mund të ketë zgjidhje për këtë krizë, as në mënyrë ultimative apo përmes retorikave që nxisin veprime të dhunshme, as me metoda policore, as me metoda financiare, por vetëm me një dialog politik të shpejtë, serioz dhe të përgjegjshëm, që garanton rivendosjen e jetës politike në normalitet, duke respektuar Kushtetutën, duke respektuar ndarjen e pushteteve, duke respektuar të gjitha ato angazhime, të cilat Shqipëria duhet t’i plotësojë urgjentisht për çeljen e negociatave së afërmi”.