Molla e ndaluar!

Molla e ndaluar!
Nga Juela Meçani

Mjafton që të hapësh një faqe në rrjetet sociale ose një edicion lajmesh e do të ndeshesh menjëherë me varfërinë e tejskajshme në këtë vendin tonë të vogël. Me një tokë pjellore, me shumë ditë diell, shira e ujëra ngado, Shqipëria është një nga vendet me më shumë mundësi që të përballojë plotësisht vetë bazën e produkteve bujqësore për konsum.

Por politika gjithmonë ka “mbajtur” anën e produkteve nga matanë kufirit dhe në tryezat tona gjen fare pak produkte vendi. Gjithësesi fermerët mundohen dhe toka prodhon por varfëria është po ajo. Madje është rritur veçanërisht në familjet me invalidë mes tyre ose në ato me një prind të vetëm, ku përqindjen më të madhe e kanë familjet e grave e nënave të divorcuara që u duhet të përballen me shtëpi me qera, ushqim e shkollim, kura shëndetësore me të ardhura qesharake. Veçanërisht në zonat rurale ka drama migjeniane, fëmijë që flenë në qiell të hapur, pa këpucë në këmbë, me miell hua, me bukë e ujë. Pas kaq shumë vitesh demokraci e pas kaq shumë kohësh si vend me një rritje ekonomike në letër, por jo në praktikë, familjet që nuk kanë bukë të hanë janë shumë.

Është kjo një arsye madhore që mua e shumë prej atyre që njoh, t’u dukej një absurditet i madh që në një imitim të shëmtuar me fermerët në Sardenjë, të derdhej qumështi në Lushnjë ose të liheshin buzë rruge të kalbeshin mollët, patatet e qepët në Korçë ose qershitë në Dibër.

Në jetesën time të përkohshme në Itali, një nga gjërat që më ra më shumë në sy, ishte sensi vullnetar i ndihmës ndaj familjeve të varfra. E të kuptohemi mirë, quheshin familje të varfra edhe ato që kishin të ardhura sa të mbash frymën. Në kuadrin e ndihmës sociale, Italia është nga vendet më të dobëta në krahasim me të tjera vende të BE-së, por përsëri kishte një rrjet të mirëorganizuar ndihmash, të cilat nuk lejonin kurrsesi askënd të vuante për bukë, veshje, ngrohje, ujë, shëndetësi.

Prodhimet që nuk shiteshin bënin pjesë e shportës së ndihmës, kjo edhe me një detyrim ligjor. Punishtet, fabrikat, supermarketet, fermat, kishin një përqindje të detyruar që kalonte për familjet në nevojë, ndihma që merreshin në dorëzim nga struktura të posaçme dhe paketoheshin duke përllogaritur pjesëtarët për çdo shtëpi që rezultonte me të ardhura të pakta. Pa diskutuar këto rrjetin e gjerë me ndihma nga qytetarët që çdo të enjte dorëzonin atë që kishin tepër, qoftë edhe një kao me makarona. Fermerët i shikoje jo rrallë me shportat plot me produkte që ua dorëzonin vullnetarëve që më pas bënin shpërndarjen. Njeriu edhe në BE shpesh vuan për shumëçka, por buka, që jep frymën, është zgjidhur me kohë. Çdo komunë e vogël madje kontribuonte edhe me qira të paguara, drita e ujë. Për fëmijët e vegjël mos të flasim fare sepse sensibiliteti shoqëror për ta ishte dhe është maksimal.

Por atëherë në cilin dimension absurdi jetojmë ne, ballkanas të një vendi të varfër por me qindra ndërmarrje, supermarkete, minimarkete, furra buke, ferma e thertore, e për kaq pak banorë nuk arrijmë dot të mbulojmë skamjen në ato familje që e vuajnë atë çdo ditë? E nëse pjesën më të madhe të përgjegjësisë e ka sigurisht shteti dhe pushteti lokal, që nuk duan jo se nuk munden, të krijojnë një rrjet ndihme ndaj varfërisë, po ndërgjegjja njerëzore e biznesit ku shkon? Si mund të jesh fshatar fermer, pra një ish i varfër kooperative, e për protestë të preferosh të flakësh qumësht e fruta, kur ka mundësi që komshiun ta kesh pa bukë në gojë për veten e fëmijët? E si është e mundur që në 2019 një lider opozite t’u bëjë thirrje fermerëve “merrini mollët në Tiranë e hidhjani në fytyrë kryeministrit”? Pse nuk u thua këtyre fermerëve, që me të drejtë janë të shqetësuar për prodhimin, që do ishte kaq mirë që këto prodhime të dhuroheshin për të varfrit? Madje edhe ata të rinjtë që brohorasin pas teje, le të ndihmojnë që këto prodhime të shkojnë aty ku duhet? Kjo “molla e ndaluar” për skamjen, sa kredite politike të dha? Ku vallë ka shkuar zemërgjerësia shqiptare? A mos duhet që të derdhim vaj vetëm kur shikojmë të sëmurë terminalë e vetëm atëherë të kontribuojmë? Këta mijëra të varfër pa bukë goje, duhet vallë të jenë pranë vdekjes që shoqërisë tonë egoiste t’i vijë keq?