“Në Gjirokastër, si lindi miqësia mes Dritëroit dhe Kadaresë”

“Në Gjirokastër, si  lindi miqësia mes Dritëroit dhe Kadaresë”
“Kur Dritëroi shkoi në klasën e katërt, Kadareja ishte në klasën e dytë të shkollës së mesme, por në fakt, ata kishim ndërtuar midis njëri-tjetrit marrëdhënie shumë të mira dhe shkëmbenin mendime për poezinë”. Kjo është një tjetër fazë e rëndësishme e jetës së shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli, pikërisht nga studimet e kryera prej tij në gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokastër. Aty ku ai spikati për talentin e rrallë të të shkruarit…

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Ilir Bushi

Gjimnazi “Asim Zeneli”, ku studioi Dritëro Agolli në Gjirokastër është një ndërtesë e projektuar për akustikë, optikë, kalitje fizike, dhe punë praktike. Përveç, mrekullisë së traditës së gjimnazit, Dritëroit i bëri përshtypje Gjirokastra për specifikën e strukturimit të saj. Qyteti padyshim ishte ndër më të çuditshmit dhe më të veçantët në botë. Në atë kohë, Dritëroi ishte 17 vjeç, pasi brezi i tij i kishte humbur katër-pesë vjet, shkollë, duke pritur mbarimin e luftrave. Gjatë këtyre viteve, në disa krahina, ku lufta ishte më intensive, shkollat u mbyllën. Në këtë kuptim brezi i moshatarëve të Dritëroit, që jetonin në zonat e luftës, quhej i prapambetuar, në klasat shkollore, në krahasim me ata të Tiranës, Shkodrës, e të disa qyteteve të tjera, kryesore, ku shkolla zhvillohej mes bombardimeve të luftës. Kur vajti në gjimnaz, Dritëroi ishte në një moshë, relativisht, të rritur, rreth 17 vjeç, por kishte disa të tjerë, që ishin edhe më të mëdhenj, mbi 18 vjeç e lart.

Një përshtypje të veçantë, Dritëroit i bëri komunukimi me banorët e Gjirokastrës. Ata iu dukën shumë të edukuar e mikpritës, por edhe të ditur. Shumë nga banorët e qytetit të gurtë, kishin njohje të zgjeruar, për një numër të madh shkrimtarësh botërorë, e vendas, si Hygoi, Robinson Kryzoi, Naim Frashëri, Çajupi, Foqion Postoli, etj. Që në ditën e parë, të paraqitjes në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, Dritëroi u caktua në dhomën nr.6, të një shtëpi të Kokalarit, sipër shkollës. Aty, u caktuan edhe pesë nxënës të tjerë, të ardhur nga rrethet, të cilët ishin nga zona të ndryshme të jugut të Shqipërisë. Ai ishte në dhomë, së bashku, me Gaqo Veshin, Kosta Panazon, Llambro Shemkon nga Vërniku i Devollit, dy Nikot, (një nga Himara e tjetri nga Kolonja). Dritëroi nuk njihte asnjerin prej tyre, me përjashtim, të Gaqo Veshit, me të cilin ishte prezantuar për herë të parë, në agjencinë e trans-portit të Korçës. Megjithëse, ata të gjashtë ishin të panjohur, me njëri-tjetrin, sipas rrëfimeve të Gaqo Veshit, nuk kaloi shumë kohë dhe dhoma e tyre u bë më e dëgjuara dhe e preferuara, për shkak të vjershave dhe qyfyreve të ndërtuara nga talenti dhe shkathësia e Dritëroit. Një nga cilësitë e rralla të tij, ishte humori i hollë. Dhe shumë shpejt, për mençurinë dhe talentin e tij të spikatur, Dritëronë nisën ta thërrisnin “poeti”, si në shkollë, ashtu edhe në konvikt. Në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, që në fillim, Dritëroi konstatoi me kënaqësi se kishte hyrë në tempullin botës letrare, por edhe në vatrën e dijes nën drejtimin e profesorëve të shquar si Vehbi Bala, Fejzi Dika, Luigj Franja që ishte nga Shkodra, Shaban Demiraj, që ishte më i rrepti, por më i zoti, për gjuhën shqipe. Në sajë të tij, Dritëroi e përvetësoi mjaft mirë gjuhën shqipe, sepse në universitet ai nuk pati rast, të studionte në këtë fushë. Në atë gjimnaz, ishte edhe Arta Franja, që kish qenë shoqe e Migjenit dhe një nga gratë më të emancipuara të kohës. Por kishte edhe mësues, si Rustem Buzon, që kishte mbaruar për Kimi, në Itali, apo Thoma Papapano, Hysen Zavalani, Mikel Koka, rusja Papkova, etj. Të gjithë këta ishin njerëz të ditur dhe nxënësit patën fat, që stuadiuan pranë tyre, por disa nga këta mësues, kishin ndonjë problem të vogël, prandaj ishin në Gjirokastër, në atë kohë.

Dëftesa e vitit të parë

Dëftesa e vitit të parë të gjimnazit, që i përket sezonit mësimor, 1948-49, tregon se Dritëroi ka kaluar klasën, me rezultate “shumë të mira” dhe “të mira”, të cilat vlerësoheshin relativisht, me notën, “pesë” dhe “katër”.

Si u dogjën krevatet me short

“Një vit, bëri dimër i egër, shumë e me ngricë dhe ne, katër vetë, në një dhomë, nuk kishim dru, të ngroheshim. Desh vdiqëm, nga të ftohtët dhe vendosëm të digjnim në zjarrin e oxhakut, një nga krevatet tona. Hodhëm short, kujt t’i binte. I ra njërit, shorti i keq, ai la krevatin, ne e shqyem dhe e hodhëm në zjarr, në oxhak. E dogjëm një krevat, atë natë dhe u ngrohëm. Mbetën tre krevate. Erdhi shërbyesja në mëngjes, po nuk e vuri re. Natën e dytë, shorti i ra Gaqo Veshit. E dogjëm dhe krevatin e Gaqos dhe e hodhëm edhe një natë, po kur mbetën vetëm dy krevate, shërbyesja vuri duart në kokë. Ajo pa hirin në oxhak, e kuptoi ç’kishte ndodhur dhe me vrap te drejtori. Neve na nxorën para gjithë konviktorëve, duke na thirrur: “Sabotatorë”! “Sabotatorë!”. Mirëpo, drejtori ynë, që ishte dhe gjahtar, qëlloi burrë i mirë, nuk na përjashtoi dhe na fali, duke u thënë atyre, të tjerëve: “E mo, t’i falim se kanë ngrirë nga të ftohtit”. Edhe ushqimi, për faqe të zezë ishte.

Ndërsa, shoku i tij, Gaqo Veshi, tregon: Në gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokastër, kur ata ishin në vitin e dytë, u krijua rrethi letrar. Kjo ndodhi, kur në shkollë erdhi si profesor letërsie, Vehbi Bala, i cili u zgjodh, si kryetar i “rrethit letrar”, ndërsa pak më vonë, kryetar u bë, Dritëro Agolli.

Disa nga anëtarët e këtij rrethi letrarësh ishin: Ismail Kadareja, Gaqo Veshi, Bekim Harxhi, Rushit Bezhani, etj. Natyrisht, Ismail Kadareja dallohej ndër të tjerët. Madje, që kur ishte nxënës në klasë të katërt, në maturë, botoi librin “Frymëzime djaloshare”.

Kur Dritëroi shkoi në klasën e katërt, Kadareja, ishte në klasën e dytë të shkollës së mesme, por në fakt, ata kishim ndërtuar midis njëri-tjetrit marrëdhënie shumë të mira dhe shkëmbenin mendime për poezinë. Atëherë ishte gazeta “Rinia” dhe  revista “Letërsia Jonë”, si edhe “Letrari i Ri”.

Rrethi letrar, ishte një fidanishte nga e letrarëve të rinj në të gjithë vendin. Në të ardhmen, disa nga anëtarët e tij do të bëheshin shkrimtarë të dëgjuar, si të mëdhenjtë Ismail Kadare e Dritëro Agolli, por edhe të tjerë si Agim Shehu, Bardhyl Xhama, Bekim Harxhi, e tjerë. Dritëroi Agolli dallohej ndër pjesëtarët e tjerë të rrethit letrar dhe shquhej për cilësinë e vjershave, që shkruante. Por letrarët dhe poetët janë të prirur edhe për aventura të rrezikshme, sidomos gjatë fëmijërisë dhe pragut të adoleshencës, ku kureshtja dhe dëshira për sprova të reja, i çojnë drejt rrezikut.

Sipas Gaqo Veshit, Dritëroi, përveç talentit të spikatur në poezi, ishte talent edhe në grupet teatrale të konviktit e të shkollës, sidomos, në interpretimet e roleve komike. Për kët pikë, Gaqua rrëfen: “Të dy si morëm pjesë aktive në disa shfaqje në konvikt e në shkollë e në Shtëpinë e Kulturës, vendosëm të vinim në skenë, komedinë e Çajupit, “Pas vdekjes”, ku Dritëroi interpretoi rolin komik, të Zenelit…”.

Kurse në vitin e tretë të shkollës, kur Komiteti Qendror i Rinisë, shpalli një konkurs letrar kombëtar për talentet e reja në fushën e letërsisë, Dritëroi fitoi çminin e tretë me vjershën e gjatë “Gjaku i kulluar”. Çmimin ia dorëzoi Ramiz Alia, duke e përgëzuar për krijimin. Ja disa vargje, të kësaj vjershe:

 

“...Rreth kasolles së vetmuar, po fryn era me tërbim,

Ngre dëborën e pashkelur, përmbi mure e përplas.

Dhe çatia vrima-vrima, seç gjëmon e uturin

I madh dimër ka pllakosur, gjithë dëborë e erë pas.

Edhe brenda në kasolle, mbi një thes me lecka qepur

Eshte shtrire i përgjakur trupi i gjome i një djali,

Shtat e ka theism me xhunga dhe jastek per t’u mbështetur,

Gjuri i nënës është bërë. Fryn prap era që nga mali.

- Bir, po kush të ka qëlluar, kush kaq rëndë të goditi,

Bir iu thaftë ajo dorë dhe i rëntë copa-copa,

Mos e tretët kurrë gropa!”.