Neritan Liçaj: Nga beteja për teatrin filloi zbritja e Edi Ramës

Neritan Liçaj: Nga beteja për teatrin filloi zbritja e Edi Ramës
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press aktori i njohur Neritan Liçaj: “Ka 19 vjet që Rama i është qepur këtij teatri, sa që unë e quaj “jeniçer i lodhur”. Këtu në këto mure “ka thyer kokën” tre herë. Dhe nga ky teatër i la filluar zbritja. Shqiptarët panë me sytë e tyre se si një parlament kthehej në masë buratinësh me kartona dhe shkeli në 6 pika kushtetutën me arrogancë. Dikur kur donte të godiste teatri disa deputetë socialistë firmosën kundër tij e nuk e lanë të vazhdonte. Ajo që më dha më shumë keqardhje ishte që ata deputetë, këtë herë u rreshtuan krah tij.”

***

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ka qenë ky një vit me shumë ngjarje për aktorin e njohur Neritan Liçaj, një nga aktorët më të mirë e të spikatur të brezit  të aktorëve të fillimit të viteve ’90. Me dhjetëra role në film e me qindra të tillë në teatër, Neritani, djali elegant lindur e rritur në Tiranë, ishte dhe është nga aktorët që më fort mbrojti në vapë e në shi, herë vetëm e herë me kolegë, Teatrin Kombëtar, godinën e tij, memorien historike të institucionit më me rëndësi të kulturës në vend. Me shumë adrenalinë e pa iu dridhur syri, Neritani nuk u tërhoq në asnjë moment nga besimi i tij dhe duket se, deri më tani, ja ka arritur qëllimit të shumë dashamirësve të tetarit, si ai. Babai i dy djemve dhe bashkëshorti i një zonje intelektuale e të lexuar si ai, beson tek parimet, një gati utopi në këtë vend të lodhur nga politika dhe presioni social. Biseda me të është nga ato që kam shijuar më shumë, sepse mes një cigareje e tjetrës, pasioni i tij për skenën më kaloi edhe mua.

Neritan, je një djalë Tirane, ke lindur tek 21 dhjetori, siç ne e quajmë atë lagje. I ke dhënë shenjat që do të merreshe me aktrim që në fëmijëri?

Po por kam dhënë shenja të pafajshme dhe krejtësisht instiktive. Unë kam pasur një fat të madh, të dy prindërit e mi ishin intelektualë dhe lexonin shumë. Kisha dhe një motër si Elvira që më çonte në teatër, në kinema dhe mua më pëlqenin shumë filmat, teatrot dhe librat. Me librat veçanërisht isha dhe jam shumë i pasionuar, po nuk lexova 60-70 faqe në ditë, nuk më zë gjumi e nuk më quhet dita. E kështu nisi pasioni për artin, ngadalë e ngadalë. Si shumë fëmijë hyra në një kurs vizatimi në Pallatin e Pionierëve por ndërkohë merresha edhe me sport.

Ky formim yti mes sportit dhe artit ishte mëkim nga prindërit?

Babai dhe nëna bashkë, por babai ishte kryesori që merrej me mua. Familjet e asaj kohe ishin patriarkale, im atë nuk ishte por ai ishte shtylla e shtëpisë dhe dëshira e tij e edukimit ishte ajo që unë po bëj tani me djemtë e mi. Art dhe sport në kohën e lirë. Nga këto të dyja vetëm të mira ke, sporti të kalit trupin e arti shpirtin dhe mendjen.

Me cilin sport je marrë?

Me futboll si të gjithë djemtë dhe me qitje madje ha ha ha jam snaiperist në rezervë nëse një ditë nis lufta.

Paske sy pushke domethënë...

Jam djalë oficeri dhe isha me Partizanin. Kujtoj me shumë nostalgji Elisabeta Karabollin, kampionen tonë që ishte fantastike. Unë u rrita me këtë frymë, pra dëshirën për një edukim në disa fusha. Madje unë konkurrova për kursin e arteve figurative por nuk isha shumë i zoti, me thënë të drejtën. Hyra me shtesat sepse djalë më nota shumë të mira dhe aty e kuptova instinktivisht që nuk isha i zoti, që në vit të parë. I thosha babait se unë nuk isha i zoti. Ishte bekim që kuptova që do të mbetesha një mediokër po të merresha me skulpturën.

Se cilin film më kujton kjo historia jote...

Ha ha ha po, e njëjtë me Arturin tek filmi “Apasionata”.  Pas kësaj eksperience kalova në Art Skenik. Unë recitoja bukur, batutat e filmave i dija përmendësh, lexoja shumë, shikoja shumë filma e teatro dhe që 12 vjeç mbaj mend shfaqjen e parë ku asistova. Unë dukesha për 14 vjeç e ndaj më lejuan të hyj se atëherë kështu ishte. Shfaqja e parë në sallë ka qenë “Nata e 12-të” me regji të Pirro Manit. Një shfaje që më ka impresionuar shumë, me aktorë të mrekullueshëm si Agim Qirjaqi, Robert Ndrenika, Yllka Mujo, Fadil Kujovska, Pavlina Mani. Ajo pjesë është edhe e regjistruar nga TVSH por në sallë ishte një mrekulli, me piano në skenë e muzikë live. Unë aty u magjepsa me tearin për herë të parë.

Aty të zuri magjia...

Po, atë natë, por jo me mendimin e fiksuar që unë do të bëhesha aktor. Pavarësisht se unë dallohesha në mes të shokëve dhe shoqeve të klasës sepse recitoja bukur, e kisha si talent. Ndaj thashë ta provoja të konkurroja dhe fitova. Kështu studiova për regjizurë.

Pse jo për aktor?

Sepse më tërhiqte shumë. Kisha dhe një fat të madh që kishim pedagogë të jashtëzakonshëm  si Pirro Manin, Drita Pelingun, Esat Oktrovën, Vangjush Furxhiun, Kudret Velçën, Adriatik Kallulin, ajkën e kritikës dhe rëgjizurës. Ishin kapacitete dhe shumica e tyre kishin mbaruar studimet në vendet e lidnjes, pra nga vendet e Stanislavskit. Kujtoj që profesor Kudreti na thoshte “bëjeni këtë shkollë sa pa u prishur shkolla” pra imagjino si duhet të kishte qenë shkolla ku ai kishte studiuar. Kur unë u diplomova ishin disa vite pak të rënda dhe nuk pata mundësinë që të bëj diplomën me art skenik por me një film me metrazh të shkurtër me Bojken Lakon që sa ishte futur në shkollë. Një ekranizim në një studio, bardhë e zi, një eksperiencë kryevepër.

Pas studimeve u vendose në teatër?

Në ato kohë neve na kapi një frymë e mirë që ishte ende. Ti duhet ta mbash mend mirë se ke qenë krah arteve. Profesor Gëzim Kame dhe Neritan Alibali hapën studion e të rinjve pranë teatrit, siç kishte qenë në kohën e tyre e ne aty realizuam disa shfaqje. Na u dha shansi që bashkë me shumë aktorë të rinj të futeshim aty dhe kaluam këmbën, pragun drejt Teatrit Kombëtar. Më pas u mbyll dhe shumë gabim qe që u mbyll.

Po sepse do të kishte mbajtur të ngritur zinxhirin e talenteve...

Saktë. Sepse ne bënim shfaqje dhe ishim në krah e partnerë, sa dolëm nga shkolla, me Robert Ndrenikën, Ndriçim Xhepën, Bujar lakon, Agim Qiriaqin, me kolosët. Pra ne vidhnim profesionalisht si ndërtohej procesi e këto janë pasuri, të jep konceptet e duhura.

Por në këto vite ka qenë e nisur marrëdhënia jote me filmin?

Aty kam futur këmbën për herë të parë në film me metrazh të gjatë. Profesor Kujtim Çashku më pa në punën e diplomës si aktrim dhe më vonë më thotë për një rol fare të vogël tek filmi “Kolonel Bunker” dhe aty ka ardhur më ka thënë se unë i pëlqeja si aktor. Eksperienca ime e parë ajo dhe një kënaqësi e jashtëzakonshme. Më pas erdhi “Dasma e Sakos” me Vladimir Priftin, “Porta Eva” me Albert Mingën dhe një eksperiment i madh me “Uni, ti dhe Kasandra”.

Por ti aty kujtohesh shumë na publiku...

Ishte film kontrovers për kohën, personazh shumë i vështirë. Të luash një narkoman është shumë më e vështirë se të lush një qytetar të thjeshtë.

Por edhe pse ke luajtur në shumë filma, ti nuk e le mënjanë asnjëherë teatrin, dashurinë tënde të madhe për teatrin....

Teatri është një emocion shumë i fortë, është live, ke raportin direkt me publikun. Filmi do aktor shumë të mirë por që të koncentrojnë në një dubël shumëçka, aktorë teknikë. E vështirë dhe shumë e bukur kjo. Por po nuk u trajnove në teatër e ke gati të pamundur dhe faktikisht aktorët më të mëdhenj në botë, të filmit, vijnë nga teatri. Teatri është baza.

Janë të gjitha këto emocionet e teatrit që bënë që të jesh kaq luftarak në mbrojtje të tij?

Unë për herë të parë kam përgatitur një shfaqje me profesor Agim Qiriaqin por nuk e dhashë dot sepse ika në emigrim, si shumë të rinj të tjerë. Shfaqja ishte “Rikardi i 3-të” Streler. Unë ika në Itali dhe rolin tim e realizoi Vasjan Lame. Kam hyrë që në 1991 në atë skenë dhe ka periudha të vitit ku unë jetoj më shumë në teatër se në shtëpi, ku 6 orë janë gjumë. Unë u rrita në teatër e aty kam përjetuar emocione të forta duke punuar me kolosë të aktrimit. Është familja ime e dytë sepse arti është kolektiv. I thonë mbi 25 vite, çerek shekulli.

Por në asnjë moment në gjithë këtë 1 vit luftë për mbrojtjen e teatrit nuk mendove si shumë të tjerë se mund të të hiqnin bukën e gojës, si disa të tjerë aktorë?

Të gjithë kolegët e mi e duan teatrin por shumica u tërhoqën. Por unë kam qenë student i Vangjush Furxhiut i cili ti e di se sa ka punuar me mish e me shpirt për këtë teatër e për këtë akademi, shkriu jetën për to. Unë prej këtyre kolosëve u brumosa me dashurinë për teatrin dhe godinën e tij ku fle shpirti i tij. Kur të vinë vitet e fundit të jetës time, nga gjërat për të cilat do të je më krenar, pas familjes, vjen kjo përpjekje për të mos lejuar zhbërjen e teatrit dhe prishjen e godinës së tij. Unë jam i bindur thellësisht që është një kauzë tejet e drejtë, është për shumë aspekte, për një vend historik, për pronën, për dinjitetin e artistit. Unë e mbaj mend shumë mirë që kur Fatos Nano ishte kryeministër, u bë një takim i “Këshillit Rinor Shqiptar”, takim shumë interesant ku morën pjesë 5 ministra, mes tyre edhe Rama. U diskutua për problemet të ndryshme dhe unë pata një replikë shumë të bukur kur u hap tema që ne nuk duhet të shkojmë në Europë vetëm me drita, ujë e rrugë. Ishin vitet kur u përhap ideja që duhet të bëheshim pjesë e Europës edhe në elementë si këto dhe ishte shumë e saktë. Unë fola që nëse duam të shkojmë në Europë duhet të shkojmë me civilizimin tonë dhe qytetarinë tonë, pra arti, sporti e shkenca, pra duhet një investim më i madh në këto fusha. Kryeministri tha aty se ai ishte dakord por ende nuk kishte buxhet për rrogat e policëve e këtu ai kishte të drejtë. Ishte viti 1997 dhe ai kishte prioritet rendin dhe sigurinë. Problemi qëndron pikërisht tek fakti që në të gjithë botën artisti është çapkëni se nuk dua të them rebeli. Një artist i mirë, i madh, është shumë më i fuqishëm shpesh se një lider shteti, nga ndikimi i tij publik. Mendoni pak De Niron me reagimin e tij ndaj Presidentit Trump. Aktori bën oponencë qytetare jo politike. Kësaj politika ja ka frikën, këtij ndikimi të madh të artistëve.

Por artistët nuk janë më “të dobët” duke u paguar si një specialist në ministri?

Saktë, ky është thelbi. Këtë kanë bërë. Nuk i kanë dhënë vendin që i takon në shoqëri artistit, pa status, pa pagë, i barabartë me një sekretare, me gjithë respektin për to. Artistë të mëdhenj ikën nga kjo tokë e po na nderojnë nëpër botë, por kjo politikë i bëri të ikin. Ne jemi popull me temperament e do të kemi gjithmonë artistë shumë të mirë. Sportistët, artistët dhe shkencëtarët janë ambasadorët më të mirë të një kombi. Ato janë përtej politikës dhe pasurojnë një komb, qetësojnë shpirtin e shqiptarëve. Politikanët shqiptarë e kuptojnë këtë shumë mirë por nuk duan ta kuptojnë. Por paraardhësi i qeverisë Rama, me defekte e probleme, por diçka më shumë kanë bërë. Kujtoj këtu Aleksandër meksin kryeministër që futi 90%, u prish pak cilësia por u forcua ana financiare e tetarit, edhe puna e cilësisë u korrigjua nga Fatos nano, ai futi edhe shpërblimin e aktorëve. Ndërsa ky na ka hequr edhe dietat. Nëse na çon shtetit me shërbim jashtë shtetit, nuk kemi dieta.

Kjo është absurde...

Po, një denigrim i paprecedentë në Shqipëri. Unë Juela, kur erdhi Rama në pushtet, isha shpresëplotë sepse një artist për artistët do të bëjë diçka. Isha shpresëplotë edhe për Ministren e Kulturës, Kumbaro, se familje artistësh, njeri i letrave, akademike etj. Koha tregoi se e kisha gabim shpresën time të fillimit. Kam 15 vite që kërkoj status aktori e teatro në rrethe, siç në fakt e kërkon Strabilizim Asocimi, një teatër për 80 mijë banorë. Pra Tirana duhet të kishte 10 teatro dhe ua kam përsëritur vite me radhë që pse jo të fillonin përpara që t’i ndërtonin. U premtua shumë, nuk u bë asgjë. Përkundrazi, u bë një ligj i tmerrshëm që pretendonte që edhe një projekt privat që merrte leje në ministri, çdo gjë varej nga Ministria e Kulturës. Një turp i vërtetë. Edhe Tefta Cami në vitet ’80 në diktaturë bëri një vendim që këshillat artistikë të zgjidheshin nga vetë aktorët, pra një vendim liberal për kohën. Mirela Kumbaro vuri çdo gjë në duar të vetes. Censurë dhe kontroll. Pastaj filloi me kontratat e pastaj puna e godinës. Ou? Prit mor beg se ka hendek. Qëllimi paska qenë ky, një perversitet i paprecedentë. Dhunën nuk e përdori se e dinte fare mirë që po të na largonte me dhunë do të mblidheshin mijëra qytetarë të Tiranës e do e ndiznin flakë sepse janë sensibël për tetarin, këtë ai e dinte. E ja ku jemi, të gjithë firmat u tërhoqën. Por ai, kryeministri ynë, është si një fëmijë i keq, mban inate dhe e lë ashtu, nuk e hap dritën jeshile që të rikonstuktohet, se gati është diaspora që të investojë e ta rindërtojë bukur e moderne atë godinë me histori. Jo, ai e mban ashtu. Pse vallë këtë njeri e verbojnë artistët dhe pse ai do të zhdukë përçuesit e fjalës së lirë? Aktori ka lindur që në kohë shpellash si pishtar i fjalës së lirë. Këtu qëndron rilindja e tij? Tek shkatërrimi i teatrit do të rilindi ai? Një filozofi destruktive për të shkatërruar artin e vendit tënd.

Kur u quajt godinë e shëmtuar fashiste, çfarë ndjeve?

Ajo godinë ka qenë një qendër kulturore, pavarësisht se u ndërtua nga arkitektë të atyre viteve. Por një godinë multifunskionale e mrekullueshme dhe shumë e guximshme dhe e bukur për ato vite. Një ndër 10 godinat e mbetura të asaj periudhe. Aq e veçantë është sa që nuk u sajuan dot arkitektë që të firmosnin për prishjen e tij, vetëm pak syresh katër më duket, që gjeti zyshë Mirela. A nuk u prish një nga hotelet më të vjetër të Shqipërisë, hotel “Vjosa”? kryetari i bashkisë së Tiranës e quan çiban Hotel “Vjosën” ndërkohë është një copë historie 80 vjeçare. Aty ishte pikë takimesh për tironsit e vjetër. U shprehën se Teatri Kombëtar binte era urinë, më falni për fjalën. Le të shkojnë të shikojnë se si bien era urinë banjat e Turbinës që ka bërë Edi Rama. Si mund të flitet kështu? Nga pikëpamja historike, në Teatrin Kombëtar kanë lindur të gjitha institucionet profesioniste të artit. Aty ka lindur Instituti i Lartë i Arteve, Filarmonia, Opera e më pas u shpërndanë. Edhe në Gjermani filmi nisi me Hitlerin, me Gebelsin por nuk e flakën historinë e tyre. Kryeministri edhe mënyrën e të shprehurit ndaj aktorëve e ka ofensive, “ata të vjetrit ishin, këta tani nuk vlejnë”. Po mor po por këta tani janë nxënësit e atyre të vjetërve e ky aktori Neritan ka lebetitur serbët, rumunët, bullgarët, gjermanët. Aktorët tanë kanë nderuar vendin.

Si mund të kritikojë teatrin për cilësi dikush që shfaqjen e fundit që ka parë ka qenë “Prometeu” i Kadaresë që vuri Gëzim Kame në skenë kur Rama ishte Ministër Kulture. Edhe atë shfaqje e shau duke u shprehur se “vajta pashë disko Prometeun”. U tall me një vepër të Kadaresë e me një regjizurë të Gëzim Kames. Si mund të flasë ky njeri për cilësinë e shfaqjeve? Jam dakord me kritikën por kur vjen e shikon një shfaqje e jo të kritikosh duke mbledhur thashethemet e “skanjocëve” të tu, të atyre që të lëpihen e servilosen e që urrejnë teatrin. Rama duhet të ishte burrë shteti, kryeministri nuk duhet kurrsesi të flasë si çun lagjeje. Por ja që ne e mundëm dhe e mundëm në gjithçka. Ka 19 vjet që Rama i është qepur këtij teatri, sa që unë e quaj “jeniçer i lodhur”. Këtu në këto mure “ka thyer kokën” tre herë. Dhe nga ky teatër i la filluar zbritja. Shqiptarët panë me sytë e tyre se si një parlament kthehej në masë buratinësh me kartona dhe shkeli në 6 pika kushtetutën me arrogancë. Dikur kur donte të godiste teatri disa deputetë socialistë firmosën kundër tij e nuk e lanë të vazhdonte. Ajo që më dha më shumë keqardhje ishte që ata deputetë, këtë herë u rreshtuan krah tij. Edi Rama është një shaka mjerane e diktatorit, sepse as një diktator nuk i bën keq artit të vendit të tij. të paktën e mori një leksion. Arti rrëzon diktaturat, na mëson historia. Dhe po e rrëzon. Kishim përballë një mal shumë të fortë, votat e tyre, paratë e taksapaguesve, administratën shtetërore. ,e shumë dinakëri e ktheu betejën për teatrin në një telenovelë, kronikë rozë, pse u shit, kush u shit, kush takoi kë. Mashtrime makiavelike idiote. Kështu u shmang thelbi por përsëri nuk arriti asgjë. Loja e tyre nisi që me marrjen e një vendimi antiligjor për kalimin me kontrata që artistët të kërcënoheshin përmes kontratave. Ne me atë zgjuarsinë tonë trokitëm në çdo institucion dhe kërkuam ndërhyrjen e ndërkombëtarëve nga të cilat “ka ngrënë dru” të fortë për treatrin. Muret e këtij teatri që për 19 vite luftoi ta prishte, ja “hëngrën kokën”.

Pra në përfundim, ti e ke shpresën se ky teatër do të rikonstruktohet?

Pa diskutim. Por fitorja e tetarit është si “fitorja e Pirros”. Në popull ne fituam shumë dhe kushdo qeveri që do të vijë pas do të jetë e detyruar të na japë vendin që na takon. Ishte si e Pirros sepse komuniteti i aktorëve tregoi shumë dobësi. Nëse në betejën e parë kur Rama ishte kryetar bashkie, ishte bashkë i gjithë teatri dhe kishim edhe mbështetje politike, këtë herë kjo nuk ndodhi. Çdokush, me përjashtim të Pandeli Majkos, e atyre pak aktorëve që mbetëm, i vunë një njollë vetes. Unë shpresoj që në komunitetin tonë secili të reflektojë brenda vetes. Po të binte teatri do të binte krejt sistemi, ka disa godina e institucione që po të prishej teatri do t’u vinte radha. Nga ai teatër, jam i sigurt, që kanë marrë kosto shumë të madhe edhe në vota, si kryeministri dhe kryetari i bashkisë dhe uroj që ky leksion t’u ketë shërbyer sado pak për të reflektuar.