Brumbulli: Ngjarje shumë e rëndë, s’mund të pajtohemi me këtë klimë

Brumbulli: Ngjarje shumë e rëndë, s’mund të pajtohemi me këtë klimë
Shoqata e Bankave thotë se grabitjet e përsëritura të parave në Aeroportin e Rinasit kanë krijuar një klimë të papranueshme sigurie, jo vetëm për biznesin, por edhe për jetën e njerëzve.

Shoqata e Bankave vlerëson se grabitjet e përsëritura të parave në Aeroportin e Rinasit kanë krijuar një klimë të papranueshme sigurie, jo vetëm për biznesin, por edhe për jetën e njerëzve.

“Lajmi dje nuk ishte vjedhja e parave. Lajmi dje ishte se paratë u vodhën në hangarin e avionit. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë. Ne nuk mund të pajtohemi me këtë klimë”, tha dje Spiro Brumbulli, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, organizatë që përmbledh të gjitha bankat private që operojnë në Shqipëri.

“Nga informacioni rezulton që është vjedhur te barku i avionit, kjo është shumë e rëndë nuk ka të bëjë me bankat”, pohon ai, duke shtuar se kjo është një ngjarje e rëndë dhe e përsëritur. “Si ka mundësi të hyjnë mjete në një zonë kaq të kufizuar, duke pasur brenda njerëz të armatosur dhe të panjohur”, pohon ai.

Brumbulli thotë se pas ngjarjeve të ndodhura më parë janë shtuar masat e sigurisë në transportin e vlerave monetare, por në rastin konkret, shqetësimi kufizohet në zonën e sigurisë së Rinasit.

“Avioni ishte i mbushur me njerëz dhe një makinë pa targa futet shumë kollaj, ka shumë pikëpyetje në këtë mes”, shtoi ai.

Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave thotë se kjo ngjarje ishte jashtë juridiksionit të bankave. Sipas tij, përgjegjësia kryesore për këtë ngjarje të rëndë bie mbi aeroportin. Brumbulli shton se edhe autoritetet kanë pjesën e tyre të dështimit: “Moszbardhja e ngjarjeve të mëparshme frymëzon ngjarjen e radhës. Kjo kërkon vëmendjen e institucioneve, pasi ngjarja e djeshme nuk është e izoluar, por është ngjarja e radhës e një sërë ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur javët dhe muajt e fundit me sigurinë në vend”.

Veç panikut, vjedhjet e përsëritura në Rinas kanë edhe kosto financiare, e cila bie direkt mbi qytetarët. Ndonëse paratë e vjedhura fillimisht kompensohen nga shoqëritë e sigurimeve, kostoja finale e tyre paguhet nga qytetarët. Për shkak të vjedhjeve të herëpashershme, shoqëritë ndërkombëtare të sigurimeve kanë rritur çmimin e siguracioneve për bankat shqiptare, të cilat këtë kosto shtesë ia përcjellin qytetarëve, duke rritur komisionet dhe interesat e kredive.

Shqipëria është një nga vendet me koston më të lartë të krimit në Europë. Sipas BERZH-it, në Shqipëri krimi i merr biznesit mesatarisht 6.5% të xhiros bruto, përmes vjedhjeve, gjobave apo kostove ekstra të sigurisë, para’ të cilat në fund paguhen gjithmonë nga qytetarët.