DOSJA ’97/ Djegia e godinës së SHIK-ut në Vlorë, si nisi revolta e përgjithshme e armatosur

DOSJA ’97/ Djegia e godinës së SHIK-ut në Vlorë, si nisi revolta e përgjithshme e armatosur
“Albanian Free Press” vijon publikimin e kujtimeve të shkruara në letër nga njeriu që drejtoi  kompaninë rentiere VEFA, gjatë nisjes së vitit të mbrapshtë, 1997...

 Përshkrimi: SHIK-u u dogj komplet, u grabit gjithçka... Nga turma ka shumë të vrarë e të plagosur, edhe nga të SHIK-ut, nuk dihet saktë sesa. Një oficer të SHIK-ut e kapën të plagosur në godinë dhe e tërhoqën zvarrë për tek godina e Universitetit, tek grevistët e urisë. Filloi revolta e armatosur...

 Agimi i 1 Marsit 1997 do ta gjente Vlorën nën një protestë të dhunshme, teksa u dogj godina e SHIKU-ut. Kështu tregon në këtë rrëfim të radhës, ditari i ish-drejtorit të përgjithshëm i VEFA-s, Memush Habilaj, zbardhur posaçërisht për lexuesit e “Albanian Free Press”. “Rreth orës 0300, njoftojnë se janë sulmuar depot e ushtrisë në Pus Mezine (Divizioni), Shkolla e Aviacionit, Akademia e Marinës dhe se populli ka rrëmbyer armatimin dhe çfarë ka mundur. Pak më vonë sulmohen edhe depot e ushtrisë në Qafë të Koçiut dhe Babicë të Vogël. Filloi revolta e armatosur...”, tregon ai...

***

“Shkurt 1997

E enjte, 27.02.1997

Sot, dita e fundit e hungarezëve në fabrikën e tullave. Nesër nuk do të punojnë, do ta kalojnë ditën me piknik diku nga Radhima dhe Llogoraja, po ishte qetësi. Në qytet, protesta vazhdon si zakonisht, edhe me të u mësuam, nuk na bën përshtypje, nuk na shqetëson, të paktën deri tani. Nga informacioni, më thonë se nga Shkodra priten që të vijnë mbështetës të protestave. Një grup i madh nga Vlora kanë shkuar t’i presin tek Ura e Mifolit. Shkoj nëpër disa objekte, njerëzit duken të shkrehur, por mungesa në punë nuk ka. Drejtuesit po mundohen të mbajnë moralin dhe rregullin lart. Në minierën e Selenicës qëndrova më gjatë, në kthim në Armen, ku ishte një kope delesh të VEFS-as. Çobenjtë e kopesë m’u dukën të çoroditur e të frikësuar, kishin frikë nga bandat e rrugaçëve të fshatrave përreth, që i kërcënonin pa pushim.

Kthehem në zyrë, tek dyert e selisë një grumbull i madh, kryesisht gra e të moshuar që kërkojnë takim. Pres disa prej tyre, të gjithë kërkonin lekët duke nxjerrë pretekste të ndryshme. Porosis disa nga punonjësit e administratës që të hyjnë midis njerëzve dhe të sqarojnë se drejtori nuk mund t’i pres të gjithë, por të kenë parasysh se: - Të gjithë i kanë paratë të sigurta. - Bllokimi është i përkohshëm dhe sapo të qetësohet gjendja do rifillojë veprimtaria financiare. - Banka e Vlorës nuk funksionon dhe s’kemi mundësi tërheqje lekësh.

Pas njëfarë kohe, turma filloi të shpërndahej, mbetën persona të veçuar që grindeshin me rojet dhe kërkonin sherr me vend e pa vend.

Ndërkohë, në Vlorë kishin ardhur mbështetësit nga Shkodra. Më thanë se ishin disa autobusë dhe makina të shumta, rreth 200 vetë me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Bahri Boriçin. Tek Ura e Mifolit ishin pritur nga përfaqësuesit e protestuesve me breshëri armësh dhe ishin shoqëruar në Vlorë. Të ardhurit përshëndesnin me tre gishta, përshëndetje e ballistëve kjo gjatë luftës dhe e çetnikëve serbë: car-fe-atdhe. Si e pranuan vlonjatët këtë përshëndetje ofenduese?

Kur shkoj në hotel në Plazhin e Ri, rojet më treguan diçka të çuditshme: Në hotel kishin vajtur një grup të ardhurish nga Shkodra për të marrë dhoma për fjetje, pasi ishin regjistruar, punonjësve tanë u kishin rënë në sy disa emra që nuk ishin shqiptarë. I pashë në regjistër ashtu siç i kishin shkruar recepsionistet dheishin emra sllavë, tre të tillë. U thashë se në periferi të Shkodrës janë disa fshatra me banorë malazezë dhe ndoshta janë andej. Kamerierët treguan se flisnin një shqipe që s’e merrnin vesh. Nga dreqin kishin ardhur këta njerëz? Më njoftojnë se dy të ardhurit e kishin kaluar darkën me anëtarët e KSHP dhe drejtues të tjerë të protestave, disa i kishin marrë edhe nëpër shtëpitë e tyre.

Protestat vazhduan ritualin e tyre pasdite, nga qendra deri në Skelë, me vete mbanin qirinj, turma shkoi deri tek studentët pastaj rreth orës 1800 u rikthye. Grupe të veçanta vinin rrotull studentëve për të mos lënë njeri të dyshimtë të afrohej tek ata.

Me disa nga shokët bëra një copë rrugë në këmbë midis turmës, që ecte me qirinj në duar. Ajo ishte relativisht e qetë dhe bënin muhabete të zakonshme grupe-grupe. Nuk na shqetësoi njeri. Herë pas here na përshëndeste ndonjë i njohur, i habitur se ç’donim ne aty. Dukej sikur turma kishte dalë shëtitje. Vetëm afër Universitetit dëgjoheshin thirrje, parulla, zhurmë, aty situata ishte e acaruar dhe turma bëhej agresive. Rruga dhe trotuaret ishin plotë e përplot. Pasi u shkëputëm nga turma morëm drejtimin për nga buza e detit, ku erdhën dhe na morën makinat. Darkën e hëngrëm me hungarezët, ndërsa rreth e rrotull hotelit rojet ishin të përforcuar. Herë pas here ngrihesha nga tavolina që t’u përgjigjesha telefonatave, që bënin shërbimet e ruajtjes nga objektet. Nuk kishte ndonjë problem të veçantë, por në Vlorë po vinin shumë makina plot me njerëz, sidomos nga fshatrat, si dhe nga Greqia. Nuk dihej se ku do të kalonin natën. Sidoqoftë, nesër do të kishte tronditje të mëdha në Vlorë. Kryeministri Aleksandër Meksi kishte deklaruar se do ta shpërndante grevën e studentëve.

 

E premte, 28.02.1997

Shkoj herët në zyrë. Hungarezët janë në hotel dhe do t’i shëtisim gjatë bregdetit dhe në Llogora, megjithëse koha është e vrenjtur dhe duhen masa sigurimi për ta. I them përgjegjësit të rojeve të më raportojë për problemet e natës dhe të lajmërojë të gjithë shefat e ruajtjes të vijnë në zyrë.

Nata kishte kaluar pa ndonjë problem të rëndësishëm, shqetësime të vogla tek ofiçina mekanike dhe tek Pika e Inerteve në Mifol, por rojet e kontrollonin situatën. Vetëm tek fabrika e tullave kishte pasur një konfrontim me armë midis rojeve dhe disa të panjohurve të armatosur me kallashnikovë, me vajtjen e grupit të gatshëm personat e panjohur u zhdukën në errësirë pas disa breshërive automatiku.

Në orën 800 mblidhemi në zyrë dhe u paraqes planin e veprimeve për 2-3 ditët në vijim. Të pranishëm ishin: dy përgjegjësit e policisë private të ruajtjes së objekteve,  koordinatori ynë, përgjegjësi i grupit të gatshëm, përgjegjësi i bodigardëve dhe ai i shërbimit të informacionit. Ua përshkrova situatën që po rëndohej nga çasti në çast. Do të marrim këto masa: Nesër herët do të largojmë grupin e specialistëve hungarezë për në Rinas. Do të jenë gati 3 fuoristrada për të larguar 6 hungarezët, të cilët do të jenë shoqëruar nga 8 bodigardë të armatosur me automatikë dhe pistoleta, telefona dhe radio. Do ta drejtoj unë lëvizjen. Nisja në orën 700, 01.03.1997. plani parashikon që pasdite të kthehemi në Vlorë. Ndërkohë që përgjegjësit e Policisë Private dhe koordinatori ynë do vazhdojnë të bëjnë kontrolle të vazhdueshme, sidomos natën, për ruajtjen e objekteve, sidomos selisë dhe kompleksit në plazh. Rojeve t’u çohet ushqimi në vendroje. Pagesa të veçanta për orarin e zgjatur të shërbimit. Dublime në pika të rëndësishme. Kujdes i veçantë ndaj akteve provokuese nga grupet e armatosura. Ditën nuk është problem, por natën kujdes i veçantë. Deri sa të kthehem unë do të drejtojë zëvendësi im. Pasi mbarova unë diskutuan me radhë.

Nga të dhënat e marra doli se drejt Vlorës po vijnë pa pushim njerëz nga qytetet e tjerë dhe fshatrat, me makina, furgona, etj. Klubet dhe restorantet janë plot me fytyra të reja. Ka shumë emigrantë të sapoardhur, shumë elementë kriminelë kanë ardhur nga rrethet dhe nga jashtë vendit. A janë mbledhur për të kërkuar paratë e humbura, apo për gjëra të tjera, një Zot e di...

Të ardhurit nga Shkodra ishin larguar një pjesë, por pjesa tjetër vazhdonte të bashkëpunonte me protestuesit. Kudo hidhen parulla kundër VEFA-s, si firma që me paratë e kreditorëve mban qeverinë dhe nxit SHIK-un në Vlorë. Në qoftë se turma e protestuesve do të nxitet nga këto parulla, mund të kthehet kundër nesh. Prandaj çdo punonjës i yni të reagojë ndaj këtyre parullave me idenë se “paratë janë të sigurta, sa kohë që VEFA nuk preket”.

Sakaq, përgjegjësi i informacionit solli këto të reja: Bodigardi Edmond Tahiri që kërkoi leje se gjoja kishte nënën e sëmurë, nuk ka ikur në Greqi, por është në Vlorë dhe merret me protestat, nënën e ka në shtëpi shëndoshë e mirë. Ka vajtur në Kakavijë dhe ka marrë disa persona të dyshimtë, që i ka sjellë në Vlorë. Rri i fshehur të mos e shohin. Kjo e dhënë është shqetësuese, me kë punon e çfarë bën ky person? Mos ka të tjerë në radhët tona si puna e këtij?

Është përgatitur një plan nga mafia e Vlorës dhe italiane që të rrëmbehet drejtori i VEFA-s dhe të mbahet peng në një bazë në Karaburun. Si këmbim do të kërkohen 5 milionë dollarë.

Pritet të organizohen grupe të armatosura, përveç bandave që tani njihen, që do të veprojnë kundër çdo ndërhyrjeje nga shteti. Njerëz të SHIK-ut dhe Forcave Speciale thonë se pritet një ndërhyrje e fortë me forca speciale nga Tirana në disa drejtime. Ka shumë gra spiune ,që veprojnë në Vlorë dhe njoftojnë çdo gjë. Pritet që protesta e sotme në darkë të jetë shumë e fuqishme, janë bërë lajmërime të vijnë edhe nga fshatrat, në rast se do të ketë ndërhyrje nga shteti.

Pasi diskutuam edhe rreth këtyre informacioneve, secili shkoi në drejtimin e vet. Shefi i informacionit do të më mbante vazhdimisht në lidhje për çdo të re. Dërgoj nëpër objekte disa punonjës të administratës për të qenë pranë njerëzve në këtë situatë të vështirë dhe alarmante.

Lidhem me Vehbi Alimuçajn dhe i shpjegoj situatën e rënduar, si edhe masat e marra. I them se do ta përballojmë gjendjen, se do të rrimë larg trazirave dhe se do ta ruajmë kompaninë.

Ndërkaq, aty nga dreka, shefi i informacionit njofton se ka marrë të dhëna për lëvizje të njerëzve të dyshimtë rreth komandës së Divizionit në Pus Mezin ë, Akademia e Marinës dhe Shkollës së Aviacionit, duken si grupe për ndonjë veprim agresiv. Shkoj në hotelin e plazhit, hungarezët pasi kanë shëtitur, janë kthyer të kënaqur dhe po bëjnë gati plaçkat. U them se do të hamë darkë në orën 1900 dhe se nesër do zgjohen në orën 0600. Në restorantin e hotelit shtrojmë darkën me rastin e përcjelljes së hungarezëve. Personeli bën një shërbim të këndshëm për mysafirët e huaj. Bëmë shumë fotografi dhe filmime me kamera, të cilat fatkeqësisht u zhdukën pas shkatërrimit të kompleksit.

Gjatë darkës u shtuan shumë krismat e armëve. Njëherë dola në oborr dhe nga ana e qytetit dukeshin në qiell plumbat gjurmëlënës dhe dëgjoheshin breshëritë, si asnjëherë tjetër. I shqetësuar lidhem me selinë, rojet ishin shumë të shqetësuar, por s’e jepnin veten. Shefi i informacionit më thotë se pritet grumbullim i madh në orën 2100 dhe sedo të ketë akte dhune. Qielli ishte i errët, retë të ulëta, vesonte pak. Thashë me vete: Ishalla shpërthen ndonjë shi i fortë të mos dalë njeri jashtë.

Vazhduam darkën deri afër orës 2200.

Nga selia kërkojnë në telefon, përgjegjësi i grupit të rojes aty, më thotë se është ndërprerë lidhja me radio dhe se disa linja telefoni me objektet janë prerë. I thashë se do të vij aty dhe do lidhemi nga zyra ime. Marr benzin e blinduar dhe dy bodigardë dhe nisem për tek selia.

Breshëritë e armëve ishin forcuar, dukeshin sikur shtinin me dhjetëra automatikë. Nga dolën gjithë këto armë? Qielli përshkohej nga mijëra plumba gjurmëlënës. Deri në Skelë rruga ishte e lirë, aty fillonte turma, kur kalojmë “Kulaçin” rruga dhe trotuaret ishin plot me njerëz, që vraponin drejt Prefekturës dhe Universitetit, ishin me mijëra me turli sendesh në dorë, një pjesë godisnin si të tërbuar shtyllat elektrike për të dhënë alarmin, binin boritë e makinave, një zhurmë e zallahi marramendëse. Ishte ora 2200...

Makina u bllokua, s’mund të çahej turma. Në një moment më rrethoi një grumbull njerëzish duke bërtitur: “Janë të SHIK-ut!” e shoferi uli pak xhamin dhe filloi t’u bërtiste: “I kini sytë në ballë, nuk më njihni, budallenjtë e dreqit!”. Shoferin që e njihnin mirë në Vlorë, e panë dhe na lanë rehat, por përpara nuk çanim dot.

U detyruam të ktheheshim nga rruga e Spitalit Psikiatrik dhe kaluam nga fabrika e çimentos në një rrugë plot me gropa. Në orën 2230 mezi mbërritëm në zyrë. Provoj linjat e ndërlidhjes, radiondërlidhja nuk funksiononte, qe ndërprerë antena në Kalanë e Kaninës. Me telefonin e qytetit munda të lidhem vetëm me objektet brenda në qytet, kurse me telefonin special u lidha me anë të celularëve me rojet e objekteve. Të gjithë ishin të shqetësuar në kulm, por nuk kishte asnjë veprim kundër objekteve tona deri tani.

Rreth orës 2300 më telefonon një punonjës i yni që ndodhej mes protestuesve, diku pranë Universitetit. Ma përshkroi gjendjen shumë alarmante. Turma është shumë e acaruar dhe po del jashtë çdo kontrolli, tha. Grupe të veçanta lëvizin dhe përhapin lloj-lloj thashethemesh, p.sh. “Pritet sulm me forca speciale të ardhura fshehtas nga Tirana, njerëz të SHIK-ut janë në turmë dhe informojnë për çdo gjë qeverinë, sonte do ta shtypin revoltën”, etj. Megjithëse po binte shi i lehtë, turma nuk po shpërndahej, grupe me armë qarkullonin haptazi midis turmës. Policia nuk dukej gjëkundi.

Kërkoj në telefon përgjegjësin e informacionit dhe e pyes për ndonjë gjë të re. Përsëriti po ato që sapo më tha punonjësi ynë, por shtoi se parullat për gjoja ardhjen e forcave speciale i përhapin punonjësit e SHIK-ut, duke shpresuar të trembin protestuesit, që të shpërndahen e të ikin në shtëpi.

Nëse është vërtet kështu, po bëjnë të kundërtën e asaj që duhet dhe po i hedhin benzinë zjarrit. Nisa shoferin dhe një bodigard të bëjnë një xhiro deri nga Sheshi i Flamurit për të parë ç’bëhej dhe nëse mund të shkonin në hotel. Ata u nisën dhe pas pak më telefonojnë.

Ora 2400. Vazhdonte të binte shi i hollë, nga ana e Skelës dëgjohej zhurmë e madhe dhe krisma pa fund. Ngjitem në katin e tretë të selisë dhe pa ndezur dritën, hap grilat e një dritareje për të parë jashtë.

Një ndriçim i qiellit dukej, nga ana e Skelës sikur po digjej një zjarr i madh. Shoferi telefonon dhe më thotë se një turmë e madhe është drejtuar nga godina e SHIK-ut, e udhëhequr nga njerëz që shtijnë në ajër me automatikë “Zastava” dhe “Skorpion”, kurse në krye kanë vënë një kamion vetëshkarkues “Saurrel” për ta përdorur për mbrojtje.

Në afërsi të godinës, kamioni ecën mbrapsht me karroceri të ngritur, pas vazhdonin makinat dhe njerëzit e armatosur. Godina e SHIK-ut rrethohet dhe gjuhet me turli armësh. Tek grevistët e urisë, një turmë tjetër e madhe po bën një zallamahi të paparë.

 

E shtunë, 1 Mars 1997

Ora 01, duke u gdhirë

Dëgjohen krisma të forta nga ana e Skelës dhe goditje me kundërtank. Flaka ndriçon retë e ulëta mbi qytet. Qielli përshkohet nga mijëra plumba gjurmëlënës. Rreth orës 0200, pas mesnate, më thonë në telefon se SHIK-u u godit me granatahedhës dhe po digjet, se sulmuesit u futën në godinë dhe se po shkatërrojnë gjithçka.

Në orën 0230, pas mesnate, kthehet shoferi dhe shoqëruesi me një makinë të rastit dhe ma përshkruajnë ngjarjen:

SHIK-u u dogj komplet, u grabit gjithçka... Nga turma ka shumë të vrarë e të plagosur, edhe nga të SHIK-ut, nuk dihet saktë sesa. Një oficer të SHIK-ut e kapën të plagosur në godinë dhe e tërhoqën zvarrë për tek godina e Universitetit, tek grevistët e urisë. Për të vajtur në hotel, as që bëhej fjalë.

Një nga shokët na përgatit nga një kafe dhe ulemi ta pimë në zyrë duke e shoqëruar me uiski. U them të shtrihen nëpër kolltukët e zyrave dhe të pushojnë si të munden, se pas pak do të nxjerrim hungarezët nga Vlora.

Rreth orës 0300, 01.03.1997, nga shërbimi i objekteve njoftojnë se janë sulmuar depot e ushtrisë në Pus Mezine (Divizioni), Shkolla e Aviacionit, Akademia e Marinës dhe se populli ka rrëmbyer armatimin dhe çfarë ka mundur. Pak më vonë sulmohen edhe depot e ushtrisë në Qafë të Koçiut dhe Babicë të Vogël. Filloi revolta e armatosur...”.