GRABITJA, POLICIA E LLESHIT THEU URDHRIN E XHAFËS

GRABITJA, POLICIA E LLESHIT THEU URDHRIN E XHAFËS
Fatmir Xhafaj kishte urdhëruar si ministër i Brendshëm që vlerat monetare të shoqëroheshin me polici për në aeroport, ky urdhër nuk u zbatua nga policia aktuale

Ministri i Brenddshëm Fatmir Xhafaj kur drejtoi këtë dikaster para aktualit Sandër Lleshaj, kishte lëshuar një urdhër ku detyronte Policinë e Shtetit që të shoqëronte në çdo rast vlerat monetare që dërgoheshin në rrugë aeroportuale nga bankat në Shqipëri.

Urdhri nuk u zbatua për Rinasin edhe pse nga grabitja e 2016-s, policia duhej të shoqëronte transfertat monetare.

Në këto kushte, grabitja spektakolare e radhës brenda pistës së Aeroportit të Rinasit, duke thyer sigurinë kombëtare, nuk ishte një rrufe në qiell të hapur për Policinë e Shtetit. Kjo ngjarje mund të ishte parandaluar, nëse do të ishte zbatuar nga instancat më të larta drejtuese të kupolës së policisë, urdhri nr. 130 i datës 5 maj 2018, që mban firmën e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, me titull: Ruajtja dhe sigurimi i objekteve të sektorit bankar, sigurimi dhe shoqërimi i vlerave monetare, materiale dhe sendeve të çmuara gjatë transportit.

Në këtë urdhër, ish-ministri Xhafaj urdhëron: “Transportimi i vlerave monetare mbi shumën 950.000.000 lekë, përveç masave të parashikuara në kategorinë F, pikat “a” dhe “b” nga shërbimi privat i sigurisë fizike, strukturat e Policisë së Shtetit në territorin e të cilit do të lëvizë eskorta, planifikojnë dhe marrin masa shtesë sigurie, sipas përcaktimit të bërë nga legjislacioni në fuqi”.

Nëse do të ishin marrë pikërisht këto masa, në një kohë kur jo një, por tre banka po transportonin 10 milionë euro drejt Austrisë, plani i grabitjes do të haste jo vetëm në rezistencën e policisë, por do të ishte frenuar në planet grabitëse duke ditur se Policia e Shtetit do të ishte rrotull vendit të piketuar.

Po ashtu, drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk kanë zbatuar një tjetër kërkesë në këtë urdhër, ku parashikohen një sërë masash për thasët me valutë.

“Në kontratën ndërmjet palëve të përfshihet edhe kategoria e mjeteve të blinduara, sasia maksimale-minimale e vlerave monetare që do të transportohen gjatë një eskortimi, përdorimi i GPS-it, bojë ngjyrosjeje me kod për çdo bankë, kamerat e regjistrimit, sinjali SOS, radio komunikimi etj.”.

Asnjë prej këtyre elementëve të sigurisë nuk ishte vendosur në 7 nga 15 thasët që mundën të merrnin grabitësit.

 

E cilësoi "trurin e bandës", Lleshaj nuk shprehet pse nuk u kap kurrë Murataj

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në deklaratën e tij dje, anashkaloi një fakt të rëndësishëm dhe nuk i dha përgjigje pyetjes, sesi është e mundur që truri i kësaj grabitjeje të dytë, Admir Murataj, prej 6 vitesh nuk u kap asnjëherë, paçka se ishte në kërkim, madje mundi të mirëplanifikojë dhe ekzekutojë si në filma katër grabitje, në harkun kohor të tre viteve, duke sfiduar Policinë e Shtetit dhe thyer sigurinë kombëtare.