GURI I RËNDË! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

GURI I RËNDË! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Sot politika shqiptare ka shumë probleme, më shumë se sa politika, politikëbërësit. Mënyra se si bëhet politikë, derexheja ku u katandisën parimet, koherenca inekzistente ndaj asaj që thuhet e asaj që bëhet. Por mbi të gjitha, sot politika shqiptare është “e lehtë si një pendë”. Pra pa peshë. Personazhe që i bëjnë hije tokës por nuk i bëjnë dritë politikës, nuk i ndrit fjala, nuk u depërton mesazhi, tonaliteti i zërave të tyre është i papërfillshëm, asnjë impostacion fizik i duhur, elektorati personal pas vetes, i ulët, paqartësi përkatësie mendimi dhe politikash, diku mes të djathtës e të majtës, paqartësi edhe shprehimisht në kërkesat ndaj forcave të tyre politike.

Sa peshë ka sot politikani shqiptar? Njeriu i ri i politikës, ai perëndimori, gjithmonë i buzëqeshuri, i mbushur me shprehje filozofësh e politologësh të mëdhenj në leksik, njeriu i ri i politikës me thirrje për ndryshim dhe ngjyrime të reja, sa peshon vërtetë aty ku thuhet fjala e fundit, në elektorat?

Në ujërat parlamentare, të çoroditura nga opozitarizmi por edhe fudullëku mazhoritar,  notojnë pesha të lehta, nga ato prurje të politikës që pas pak vitesh, duke qenë bujarë, në fakt pas pak muajsh, nuk do të mbahen më mend as për emër. Por a është vërtetë faji i tyre që nuk janë dot gurë të rëndë në politikën shqiptare?

Ajo që politika shqiptare kishte nevojë e kjo nuk u kuptua, ishte pikërisht për ata gurët e rëndë që ruanin themelet e saj. I kemi sharë, anatemuar, fajësuar për çdo dështim gurët e rëndë në politikën shqiptare e fundja një gur i rëndë, një politikan me peshë, ose duhet ose urrehet e disa prej tyre jua hëngri kokën kjo e fundit. Por po ndodh ajo që po shihet. Mungesa e pjesës më të madhe të tyre nga skena e politikës ka bërë që njerëzit, elektorati, të ndjejë një mungesë të personazheve të fuqishëm në politikë. Njerëz me klanet e tyre (jo gjithmonë sensi i klan-it është negativ), me elektoratin e tyre familjar e personal të gjerë, me një moshë të jetuar politike mbi supe, njerëz të përplasur me rrymat brenda partive e jashtë tyre, jo rrallë të kërcënuar me përjashtime e burgje, me fuqi ekonomike e krahinore, impostim në zë e fizik, leksik të kultivuar por të thjeshtë e të kuptueshëm, politikanë karriere që kanë kaluar që nga forumet, përplasjet mazhoritare, fushata elektorale zonash të vështira, që janë përplasur me banda e presione, kërcënime e shantazhe, e kanë rezistuar.

Në të dyja kahet e politikës nga kjo specie politikani kanë mbetur me kokrra e kjo, fatkeqësisht, ndihet e shihet qartë. Liderëve të dobët e pa këllqe sigurisht u intereson që këta “peshkaqenë” të politikës mos jenë më në ujërat e tyre, sepse e kanë më të vështirë me ta e u druhen sepse në elektorat u ecën fjala e ende sot kanë pushtetet e tyre të nëndheshme. Por kjo frikë e një lidershipi të dobët çfarë solli? Solli që politika shqiptare sot të jetë pa peshë, kombëtarisht e ndërkombëtarisht e këta “gurët e rëndë” të saj i mungojnë më shumë se kurrë, na pëlqejnë apo s’na pëlqejnë.