Kaçe i pafat, PAOK kampion pas 34 vjet pritjeje

Kaçe i pafat, PAOK kampion pas 34 vjet pritjeje
Tifozët e PAOK festojnë titullin kampion pas 34 vjet pritjeje. Festës së madhe i bashkohen edhe ata shqiptarë që jetojnë në Selanik

Nga Aranit Muraçi

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, pas një eksperience të gjatë me PAOK, ishte shqiptare i vetëm që mund t’i gëzohej festë së rrallë, por nuk pati fatin të festonte titullin kampion, që klubi selanikas e priste prej dekadash. Kaçe u largua në formë huazimi te Panathinaikos në fillim të këtij sezoni, ndërsa PAOK ndezi në festë Selanikun, pas trofeun që ngriti një javë para se të mbyllet gara e kampionatit.

Lojtarët e PAOK Selanikut ngritën këtë fundjavë trofeun e titullit kampion, pas fitores 5-0 kundër Levadiakos. Me mijëra tifozë të Selanikut ndezën atmosferën, pasi ishin plot 34 vjet në pritje të një suksesi të tillë. Yevhen Shakhv realizoi dy gola për vendasit, ndërsa Diego Biseswar, Fernando Varela e Karol Swiderski kompletuan fitoren që kurorëzoi PAOK zyrtarisht kampion të Greqisë. Kur ka mbetur edhe një ndeshje nga mbyllja e garës, PAOK udhëheq pesë pikë para vendit të dytë, Olympiakos.

PAOK e kishte fituar gjithashtu titullin në vitet 1976 dhe 1985. “Isha 18-vjeç (kur PAOK fitoi për herë të fundit titullin) dhe tani jam 52-vjeç. Kjo do të thotë shumë”, u shpreh tifozi grek i PAOK, Nikos Kouroutzidis. “Padyshim, një moment historik. Shpresoj të fitojmë sërish titullin vitin tjetër, jo të pres kur të bëhem 90 vjeç.”

“Tifozët kanë qenë të duruar dhe kanë pritur me vite të tëra”, u shpreh Giorgos Koudas, 72-vjeçar, ish-lojtar i shquar i PAOK, i cili e kaloi gjithë karrierën me këtë ekip, nga viti 1963 deri më 1984, duke luajtur 602 ndeshje, madje ai ishte kapiten në triumfin e parë të vitit 1976. L

arisa, kampione e  vitit 1988, është skuadra e vetme përveç PAOK në Greqi, që theu mitin e tre skuadrave të mëdha të Athinës, AEK, Olympiakos e Panathinaikos, të cilat kanë dominuar futbollin grek dhe kanë ndarë trofetë pas 1959.

“PAOK përfaqëson betejën dhe triumfin  të voglit kundër të mëdhenjve, “ theksoi Ati Christos Mitsios, një prift 60-vjeçar, i cili ka ndjekur rregullisht ndeshjet e skuadrës së tij të zemrës në Selanik.

Pronari i PAOK, Ivan Savvidis, manjati greko-rus kishte investuar vitet e fundit për një skuadër kampione.

PAOK humbi një vit më parë titullin pas një gare shumë të ngushtë me AEK, madje presidenti zbriti me armë në fushën e lojës edhe u dënua gjatë ndeshjes vendimtare, por nuk u dorëzua. Ai ia doli mbanë të realizonte ëndrrën e madhe të klubit selanikas.

Festa ka shpërthyer në mbrëmje, pas ndeshjes, në sheshet kryesore dhe rrugët e Selanikut, ku iu bashkuan edhe emigrantët shqiptarë, të cilët prej kohësh jetojnë dhe punojnë në këtë qytet, të cilët kanë shpërndarë në rrjetet sociale momente feste nga triumfi i PAOK.