KOMBËTARJA/ Prezantohet trajneri Reja: Rezultatet? Më lini pak kohë për Shqipërinë

KOMBËTARJA/ Prezantohet trajneri Reja: Rezultatet? Më lini pak kohë për Shqipërinë
Euro 2020/Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edy Reja, prezantohet pa bërë premtime të bujshme por shpreh dëshirën për të përsëritur suksesin e Gianni de Biasi, në Euro 2016. E ardhmja e tij do të varet nga ky sukses, për një projekt më afatgjatë, që lidhet me kualifikueset Katar 2022   

Nga Aranit Muraçi

Zyrtarizohet trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë. Me një thjeshtësi për t’u admiruar, pa bërë premtime të bujshme, Edy Reja, vjen me një objektiv: për të lënë gjurmë me Shqipërinë në ndeshjet e mbetura kualifikuese Euro 2020. Ai e gjen ekipin pas një humbjeje me Turqinë, 0-2 dhe një fitoreje ndaj Andorrës, 3-0. Reja debuton ndaj Islandës dhe katër ditë më vonë Shqipëria pret Moldavinë më 11 qershor, në stadiumin e ri që pret të inaugurohet me këtë rast. Edoardo Reja, 73-vjeç, me një eksperiencë gati 40-vjeçare si trajner, i njohur më tepër për përvojën e kaluar te Napoli e Lazio, në Seria A, nuk premtoi ndonjë objektiv konkret mbi ecurinë e Shqipërisë në kualifikueset Euro 2020. Në një grup me Francën, Islandën dhe Turqinë, dhe me Moldavinë e Andorrën, megjithatë në rast se nuk arrin të përsërisë suksesin e Gianni de Biasi, suksesi i tij si trajner i Kombëtares së Shqipërisë do të varet nga loja dhe rezultatet. Kuptohet që duhet lënë pas një nga tre kundërshtarët e parë. Në varësi të ecurisë gjatë këtyre kualifikueseve, do të përcaktohet edhe e ardhmja e tij më afatgjatë:   

I thatë “po” Shqipërisë, por me çfarë objektivash?

Kontrata ime është deri në nëntor (kur mbarojnë kualifikueset) dhe më pas duhet të shohim, kjo varet dhe nga kushtet. Zakonisht firmos dhe pranoj kontrata njëvjeçare. Kisha mundësi të punoja në Itali, por kisha dëshirë të drejtoja një kombëtare dhe ja erdhi rasti të drejtoj Shqipërinë. Dua të përshëndes paraardhësin tim, Panucci, për punën që ka bërë. Më vjen keq që ai u largua, por Duka më telefonoi pas shkarkimit të Panucci-t dhe më afroi postin e trajnerin, të cilën me krenari e pranova.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të përsëritur veten?

Mua më pëlqen të vendos në fushë një skuadër logjike. Më pëlqejnë skuadrat agresive, por jo gjithmonë duhen të jenë të tilla. Por ecuria dhe loja varen nga shumë situata, varen edhe nga grupi. Çfarë stimujsh mund të ketë lojtari? Me vitet që kam gjatë eksperiencës time, arrij t’i kuptoj dhe t’iu hyjë në kokë lojtarëve. Në këtë punë, kushdo trajner që punon me kombëtaret, ngaqë ndryshe nga klubet, nuk i ka në dispozicion tët kohën lojtarët, duhet të hyjë në mënyrë sa më të shpjete në sintoni me ta. Më lini pak kohë të njoh skuadrën dhe më pas të shohim rezultatet.

Sa e rëndësishme ishte ana financiare për të zgjedhur Shqipërinë?

Nuk ka të bëjë fare ana financiare. Ajo kalon në plan të dytë për mua. E rëndësishme është të ndërtojmë një grup që të identifikojë kombin.

Pse pranuat të punoni për një afat kohor të shkurtër…

Sepse duhet të shikojmë si do ecin punët, për më tej. Nëse funksionon projekti, kjo do të varet nga federata. Kemi një objektiv të qartë, të shkojmë në Europian dhe të bëjmë paraqitje të mira. Ka edhe shumë ndeshje kualifikuese, për mua, për skuadrën, për të gjithë.

A duhet ndryshuar diçka për mënyrën e lojës së Kombëtares shqiptare?

Kam parë skuadrën që luan me 4 lojtarë pas, pasi jep më shumë garanci. Unë gjithnjë luaj me tre lojtarë në qendër, por duhet parë mënyra sesi mund të luajmë më mirë. Nuk dua të ndryshoj shumë filozofinë e skuadrës krahasuar me atë që ka bërë De Biasi. E rëndësishme është që skuadra të funksionojë, në lojë.

A ka pasur ndonjë rol Gianni de Biasi, që të merrnit drejtimin e Shqipërisë?

De Biasi është historia e fundit e Shqipërisë, por jemi miq dhe me Panucci. Me De Biasi-n kam folur për disa gjëra, pasi kemi raporte të mira. Më ka treguar gjëra fantastike për Shqipërinë dhe kjo për shkak të rezultateve të mira që ka pasur. Mendoj se duhet të duartrokas për atë që ka bërë De Biasi i cili qëndroi 4 vite këtu. Duhet përgëzuar dhe Tramezzani, pasi ka qenë ish-lojtar i imi. Njoh mirë dhe (Berat) Gjimsiti, pasi i kam besuar një vend në formacion kur ka ardhur në Itali dhe hap pas hapi po ecën aktualisht mirë edhe me Atalanta.

A i njihni lojtarët e Kombëtares dhe a ka Shqipëria potencial për të shkuar në Europian?

Mendoj se Shqipëria ka potencial për të luajtur mirë. Besoj se kjo skuadër mund të ecë më mirë. por duhet të marr maksimumin nga të gjithë lojtarët.

Disiplina në skuadër, më parë ka ndodhur që ndonjëri të mbetet jashtë sepse ka humbur avionin?

Çdo lojtar duhet të bëjë maksimumin për të qenë i përpiktë. Por nëse është lojtar i rëndësishëm për mua nuk do ta dënoja. Kam drejtuar më shumë se 1000 lojtarë, por nuk kishin të njëjtën kokë. Një lojtar kur e thërret kombëtarja, mendoj se duhet të jetë korrekt.

Keni punuar edhe si vëzhgues talentesh. Kampionati shqiptar ka të tillë?

Kam ndjekur diçka. Mendoj se lojtarët shqiptarë po luajnë mirë, në të gjithë Europën. Të gjithë do të ndiqen. Dhe mendoj se është mirë të ndiqen të gjithë.

Shqipëria i ka besuar shumë trajnerëve italianë. Do të sillni një tjetër filozofi futbollit tonë?

Trajnerët italianë me përvojën e tyre kanë pasur sukses edhe jashtë vendit të tyre. Ancelotti  ka fituar gjithandej. Është një kulturë që ne kemi krijuar, edhe kemi ecur mirë kudo në botë. Por në Champions luajnë lojtarët dhe jo trajnerët. Për fat ne nuk jemi më ata të parët. Këto janë çështje të momentit. Juventus për eliminimin i mungonin lojtarë të rëndësishëm. Ata që luajtën nuk kishin kondicion të plotë. Por ka qenë skuadra më e mirë që kemi parë vitet e fundit.