KOMENT/ Një nigerian për Shqipërinë! A duhet refuzuar modeli i Francës me 14 afrikanë?

KOMENT/ Një nigerian për Shqipërinë! A duhet refuzuar modeli i Francës me 14 afrikanë?
Nga Aranit Muraçi

Shqipëria nuk ka ende një futbollist me ngjyrë në radhët e saj, madje një të tillë nuk e kanë as vendet e tjera të Ballkanit. Më shumë se nacionalizmi që karakterizon vendet e Ballkanit, lidhet me pamundësinë që kanë vende të vogla apo të varfra për të afruar lojtarë më të talentuar, se ata që nxjerrin vendet e tyre. Por në ndryshim nga vendet e zhvilluara, edhe Gjermania që i qëndroi besnike racës së saj të pastër deri pak vite më parë, hoqi dorë për shkak të konkurrencës. Vendet e zhvilluara jo vetëm prej historisë së tyre të kolonizimit, po përfitojnë edhe nga emigracioni për të thithur talentë. Zvicra është shembulli konkret, që ka natyralizuar emigrantët më të talentuar shqiptarë.

Vendet e zhvilluara prej kohësh nuk i kushtojnë më rëndësi të ashtuquajturit “patriotizëm i sëmurë”.  Kështu në vend të një francezi, Franca që sapo u shpall kampione Bote, iu besoi plot 14 lojtarëve me origjinë nga Afrika, të cilët u vlerësuan si më të talentuar se ata që kishin origjinë të pastër franceze. Kylian Mbappe lindi në Francë nga baba kamerunas e nënë algjeriane. Presnel Kimpembe, me baba kongolez, lindi po ashtu në Francë.  Samuel Umtiti lindi në Kamerun madje Roger Milla tentoi që ai të mos i bashkohej Francës. Paul Pogba lindi në Francë, por me prindër nga Guinea. Ousmane Dembele lindi në Francë, mamaja e tij kishte origjinë nga Senegali dhe babai nga Mali. Corentin Tolisso lindur në Francë, me prindër nga Togo, ndërkohë që refuzoi të luante me ekipin e tij afrikan, pavarësisht ofertës.  N’Golo Kanté lindi në Francë, me prindër nga Mali. Edhe ai u kërkua me ngulm nga vendi i tij i origjinës, por refuzoi, sikurse Blaise Matuidi, i lindur në Francë me baba nga Angola dhe nënë nga Kongo.  Steven Nzonzi, lindur gjithashtu në Francë, me prindër kongolez, e refuzoi dy herë Kongon, ndërsa babai i tij i kërkoi të luante për Anglinë, pasi kishte jetuar në këtë vend disa vite.  Steve Mandanda,lindur në Kongo, shkoi kur ishte adoleshent në Francë, ndërsa  Adil Rami lindi në ishullin francez të Korsikës, nga prindër maroken.  Nabil Fekir lindi gjithashtu në Francë nga prindër algjerian dhe madje mori ftesë nga vendi i tij i origjinës në një ndeshje kundër Omanit e Katarit, në vitin 2015, të cilën e refuzoi.  Djibril Sidibe po ashtu me origjinë nga Mali, i lindur në Francë, ashtu si edhe Benjamin Mendy, me prindër senegalez, debutoi në mars 2017 me francezët.

Holanda dhe Anglia ishin ndër të parat që “e përqafuan” këtë fenomen. Kombëtarja e Shqipërisë, sipas shembullit francez apo edhe të vendeve të tjera, përse nuk duhet ta pranojë një adoleshent nigerian që pati fatin të rritet e të shkëlqente në “vendin e shqiponjave”: Peter Olayinka, cilësitë dhe vlera e të cilit konsiderohet aktualisht mbi nivelin e sulmuesve tanë!