Mësuesit e sapodiplomuar, 50% mbetës në provimin e shtetit

Mësuesit e sapodiplomuar, 50% mbetës në provimin e shtetit
Gjysma e kandidatëve për mësues nuk kanë kaluar në Provimin e Shtetit. Drejtorja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore shprehet se më i ulët niveli i kalueshmërisë ka qenë tek studentët që kanë përfunduar programin e arsimit fillor.

Me përfundimin e provimeve sezonit të parë të këtij viti për provimet e shtetit për mësuesit, Drejtoria e Qendrës së Shërbimeve Arsimore ka kryer kalkulimet në lidhje me kalueshmërinë dhe rezultatet e këtij testimi. Sipas të dhënave rezulton se mësuesit e sapodiplomuar janë të një niveli të ulët, pasi vetëm 50 % e tyre kanë mundur të rezultojnë kalues në provim, kurse pjesa tjetër

Rezultatet

Testimet për licencën e mësuesi kanë vënë në dyshim cilësinë e fakulteteve që aplikojnë programet e mësuesi. Nga 788 kandidatë që kërkuan të merrnin të drejtën e mësimdhënës 50% e tyre rezultuan ngelës, edhe pse kanë fituar diplomën e Universitetit.  Në provimin e shtetit më i ulët niveli i kalueshmërisë ka qenë tek ata që kanë përfunduar studimet e larta për arsimin fillor, ku 60% e kandidatëve nuk kanë marrë licencën. “49.6% e totalit të kandidatëve janë fitues, pra kanë marrë mbi 50% të pikavë. Ka një proces që ka të bëjë me ankimimin e kandidatëve. Është e drejtë e tyre që nëse nuk janë dakord me rezultatin të kërkojnë rishikimin e tij. Ankimimin mund ta bëjnë brenda 5 ditësh nga momenti që kanë marrë rezultatin” pohon Rezana Vrapi, Drejtore e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Sipas saj, rezultatin më të dobët e kanë ata mësues të cilët janë diplomuar në profilin e ciklit të ulët.

Ritestimi  

Mbetësit mund ta japin sërish Provimin e Shtetit. Më parë ata mund t`i nënshtroheshin testit deri në 5 herë, por prej tetorit të vitit të kaluar ky limit është hequr. “Nuk ka një limit me daljen e VKM-së në tetor të 2018 është hequr kufizimi prej 5 herësh. Mund ta japin këtë provim kundrejt një pagese, e cila është e barabartë me atë nga hera e pestë” pohon Vrapi. Sipas të dhënave nga Qendra e Shërbimeve Arsimore asnjë prej kandidatëve nuk ka marrë notën maksimale 10. Tarifa që duhet të paguajnë kandidatët për mësues në lidhje me provimin e licencës është 10 mijë lekë dhe rritet me 2 mijë e 500 lekë sa herë e që e rrijapin.

Testimi për punësimin

Mësuesit të cilët rezultuan fitues në këtë provim tashmë kanë të drejtën për t’iu nënshtruar një tjetër provimi, atij që ka të bëjë me punësimin. Këtë vit ndryshe nga vitet e tera testimi “Mësues për Shqipërinë” u zhvillua disa muaj me vonesëpër vetë faktin e marrjes së provimit të shtetit për mësuesit e rinj.

Punësimi i mësuesve përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” hyn në vitin e tij të pestë. Në katër vitet e shkuara, ky provim është zhvilluar në muajt dhjetor-janar, ndërsa këtë vit po zgjatet përtej parashikimeve.

Ndryshimet në kabinet dhe vëmendja e projektuar më tepër ndaj universitetit duket se ka bërë që arsimtarët të lihen pas dore. Përpara disa javësh, ministrja Shahini deklaroi se portali do të pësojë ndryshime në tri drejtime, të cilat do të pasqyrohen në udhëzimin nr.38, që rregullon punësimin e tyre. Më konkretisht, do të rritet pesha e mesatares së studimeve dhe njohja e një gjuhe të huaj, tregues që reflektohen në dosjen personale të mësuesit, të cilën e dorëzon në fazën e parë të konkurrimit. Udhëzimi i ri do të rregullojë edhe punësimin e mësuesve të përgjithshëm në shkollat profesionale, si dhe për mësuesit ndihmës do të ketë kritere më vete.

Kush testohet

Personat të cilët kanë përfunduar studimet e larta në një degë të mësuesisë por që ende nuk kanë nisur të punojnë, çdo vit duhet ti nënshtrohen provimit për të siguruar një vend pune. Por jo çdo vit mund të ofrohen aq vende punesa kërkesa ka, prandaj kandidatët duhet të testohen çdo vit për të parë mundësitë e punësimit.  Sipas kësaj procedure, jo të gjithë mësuesit të cilët do të rezultojnë fitues në portalin “Mësues për Shqipërinë” do të mund të sigurojnë një vend pune. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit pohojnë se shpërndarja e mësuesve sipas profileve do të bëhet në bazë të vendeve vakante të shpallura. Shanset më të mëdha për tu punësuar kuptohet që do ti kenë ata kandidatë që janë vlerësuar më me shumë pikë. “Të gjithë mësuesit që i janë nënshtruar kësaj gare tani kanë marrë “garancinë” për të qenë pjesë e rekrutimit në sistem por nuk do të thotë që sa mësues ka aq dhe vende pune ka për arsye të ndryshme pasi dalja e mësuesve në pension ku është një nga pikat ku bëhet furnizimi me kapital human është i limituar” nënvizojnë këto burime.