Problemet e veshit të brendshëm si të lehtësojmë marramendjen

Problemet e veshit të brendshëm si të lehtësojmë marramendjen
Marramendja është një ndjesi e shpeshtë që prek secilin nga ne gjatë përditshmërisë. Në pjesën dërrmuese të rasteve kjo gjendje kalon vetë, pa marrë kujdes mjekësor. Megjithatë, në raste të caktuara marramendja, ose e njohur ndryshe në gjuhën mjekësore si sindromi vertiginoz mund të mbartë pasoja të rënda që mund të çojnë në humbje të dëgjimit, probleme me përqendrimi, etj.

Problemet me nervin e dëgjimit dhe veshin e brendshëm, përdorimi pa kritere i medikamenteve të caktuara, si dhe infeksionet bakteriale mund të bëhen shkak për shfaqjen e vertigos, duke rrezikuar edhe kalimin në stad kronik nëse nuk merret ndihma e duhur mjekësore në kontrollimin e faktorëve që çuan në shfaqjen e saj. Mjekja Matilda Xhelili tregon se si duhet të kujdesemi për mbajtjen nën kontroll të këtij sindromi, duke u ndalur konkretisht në kujdesin për dietën ushqimore, përdorimin e rekomanduar të barnave, etj.

Sëmundja

Vertigo ose sindromi vertiginoz është ndjesia e rrotullimit, në të cilën individi ndjen sikur çdo gjë rreth tij është duke lëvizur ose rrotulluar. Kjo ndjesi perceptohet edhe kur personi i prekur nga kjo patologji është i shtrirë në krevat, madje në jo pak raste ndjesia e rrotullimit i zgjon nga gjumi. Vertigo mund të jetë akute (e menjëhershme), e perceptuar si një sulm i papritur i ndjesisë së rrotullimit, por mund të ketë edhe karakter kronik (të vazhdueshëm) gjë, e cila ndodh pothuajse çdo ditë dhe në këtë rast është një tregues i sëmundjeve serioze. Ekzistojnë tri lloje të vertigos. E para njihet si vertigo objektive dhe personi e përshkruan si një ndjesi që objektet stacionare në mjedisin përreth janë duke lëvizur ose duke u rrotulluar. Së dyti kemi të bëjmë me vertigo subjektive dhe referohet kur pacienti percepton sikur vetë ai po lëviz edhe pse mund të jetë ulur apo i shtrirë. Ndërsa lloji i tretë është i njohur si një pseudovertigo, një ndjesi intensive e rrotullimit brenda kokës së pacientit.

Kush rrezikohet

Sindromi vertiginoz mund të ndodhë në njerëz të të gjitha moshave, por prevalenca (shpeshtësia e këtij sindromi) rritet me moshën dhe është rreth dy apo tre herë më e shpeshtë te gratë sesa te burrat. Ndërsa, si nozologji (lloji i vizitave) përbën rreth 3-4 për qind të vizitave në repartin e urgjencës.

Simptomat

Siç e përmendëm edhe pak më sipër ndjesia kryesore është ajo e lëvizjes apo e rrotullimit të gjithçkaje përreth. Gjithashtu pacienti mund të ketë nauze (ndjesia e të vjellit) ose edhe të vjella,pamundësi për të qëndruar në këmbë ose ulur, vështirësi në ecje, pacienti mund të rrëzohet, vështirësi në të folur, probleme dhe mungesë përqendrimi, vizion i paqartë. Kur episodet e sindromit vertiginoz janë periodike (përsëriten në mënyrë të herëpashershme) shpesh mund të dëmtohet edhe cilësia e jetës. Në këto raste mund të kemi edhe humbje të dëgjimit. Në qoftë se këto simptoma zgjasin për më shumë se një ditë mund të shkaktohen edhe ndryshime degjenerative që prekin ekuilibrin e qëndrimit, në mënyrë të veçantë te pacientët e moshuar. Simptomat e lëvizjes apo të rrotullimit zhvillohen më tepër te personat që vuajnë nga problemet e veshit të mesëm. Zakonisht kjo shoqërohet edhe me nistagmus (një lëvizje e pavullnetshme e syrit në drejtimin e kundërt me atë që i tregohet pacientit për të ndjekur). Zakonisht, në mënyrë tipike episodet e shkurtra të vertigos mund të zgjasin deri në disa minuta, por ato mund të shkojnë edhe me orë apo me ditë (në rastet kronike). Me të ndjerë simptomat e para të kësaj natyre, është e këshillueshme që të kërkohet kujdesi i specializuar mjekësor për të mos lejuar shfaqjen e dëmtimeve të rënduara.

Shkaktarët

Sigurisht që shkaku më i shpeshtë janë problemet me veshin e brendshëm, apo edhe me nervin e dëgjimit. Në këtë situatë mund të çojnë gjithashtu edhe infeksionet e ndryshme siç janë infeksionet bakteriale apo virale të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Dëmtimet e ndryshme fizike të kokës (thyerjet, apo traumat e ndryshme) mund të çojnë gjithashtu në shfaqjen e sindromit vertiginoz. Në këto raste vertigo fillon brenda disa ditësh deri në një muaj pas lëndimit. Vertigo është pasoja më e zakonshme e traumave të kokës. Po ashtu, përdorimi i preparateve të ndryshme mund të çojnë në këtë situatë. Prandaj ilaçet e ndryshme përdoren vetëm me këshillimin e mjekut në dozat e duhura. Personat që vuajnë nga epilepsia apo edhe migrena janë gjithashtu më të prirur për të zhvilluar vertigo. Po ashtu janë më të ndjeshëm personat që vuajnë nga çrregullimet e enëve të gjakut që furnizojnë trurin.

Kujdesi

Trajtimi përfundimtar varet nga shkaku themelor që ka shkaktuar vertigon. Prandaj me shfaqjen e episodeve të para është e rëndësishme të paraqiteni te mjeku i familjes, i cili do të japë orientimin e duhur. Këtyre pacientëve u rekomandohen dieta të varfra me kripë për të ulur presionin që shkakton mbajtja e ujit nga kripa në enët e gjakut. E kufizuar duhet të jetë edhe marrja e lëngjeve. Sigurisht me fillimin e medikamenteve specifike nga mjeku specialist (në bazë të sëmundjes bazë, mjeku ORL ose neurolog) situata përmirësohet në mënyrë të ndjeshme. Medikamentet synojnë sipas rastit të mjekojnë infeksionet e ndryshme, të qetësojnë simptomat e të vjellave apo të nauzes, dhimbjen e kokës apo ushqyerjen e qelizave nervore. Në shumë raste kjo mund të largohet edhe pa trajtim. Kjo ndodh zakonisht pas udhëtimeve të shpeshta me avion. Gjatë fluturimit ka ndryshime të presionit të ajrit, të cilat ndikojnë në qendrën tonë të ekuilibrit, në këto raste pas disa ditëve pushim situata kthehet në normalitet. Personave që vuajnë nga vertigo u rekomandohet që të kenë kujdes në lëvizje. Ata nuk duhet të bëjnë lëvizje të vrullshme të kokës dhe të qafës, rrotullime dhe hedhje nga lartësitë. Për sa i përket veprimtarisë fizike u rekomandohet ecje e lehtë apo e shpejtë dhe jo veprimtari e rëndë fizike dhe gjimnastikore.

Ekzaminimet për zbulimin e shkakut të marramendjes

Marramendja gjithashtu mund të vijë nga: çrregullimet kardiake; çrregullimet hypertensive; problemet e spondiliartrozës cervikale, osteoporozës , artritit reumatoid; pacientët diabetike, shfaqen problem të dëgjimit dhe të ekuilibrit; Sëmundjet neurologjike sistemike, degjenerative si skleroza multiple, migrena dhe dhimbjet kronike të kokës; Anemitë mund të shoqërohen me marrje mendsh; Ototoksiciteti apo dëmtimi i nervit të dëgjimit apo ekuilibrit nga medikamente si antibiotikë, antihipertensive, diuretikë etj; Patologjitë e tiroides mund të shoqërohen me marrje mendsh; Niveli i ulët i vitaminës D në organizëm etj.

Pra, në kuadrin e sëmundjeve sistemike është shoqëruese e sëmundjeve të tjera dhe gjithsesi me mjekun ORL duhet bërë një diagnozë diferenciale nëse është edhe një problem periferik ORL që prek nervin e ekuilibrit. Ndërkohë, gjenetika është shumë e rëndësishme te marramendja. Te pacientët e rinj sidomos duhet të na shkojë mendja te trashëgimia në një familje ku prindërit apo edhe njerëz të tjerë të afërt vuajnë nga problemet e veshit të brendshëm, si marrje mendsh, të vjella, rënie dëgjimi, zhurmë në vesh, të cilat ndonëse më parë të padiagnostikuara mbahen mend gjatë nga familjarët e tyre. Janë dhe raste sproadike. Në momentin, që ne i kemi përjashtuar të gjitha diagnozat e tjera, sepse do bëjmë ekzaminime, analiza laboratorike, ekzaminime imazherike, video nistagmografi, audiometric deri te rezonanca magnetike e kokës, ngelet pastaj marramendja e sferës psikiatrike. Ka dhe një grup të madh, që i takojnë sferës psikiatrike.