
Nga Eglantina Nasi
Disa parti politike, mes tyre edhe Partia Socialiste si më e madhja e mazhorancës, të përfshira ligjërisht brenda procesit zgjedhor për vendoret e 30 qershorit. Ndërsa opozita e bashkuar, me partitë politike që e përfaqësojnë atë, është ende jashtë tij.
Kjo është ajo çka paraqet situata pas finalizimit të afatit ligjor të parashikuar nga Kodi Zgjedhor për regjistrimin e partive në kuadrin e zgjedhjeve vendore të radhës. Janë 34 parti që tashmë e kanë respektuar këtë afat, duke figuruar si të regjistruara për zgjedhje dhe shumë të tjera që kanë mbetur jashtë tij. Dhe që me këtë vendosmëri, tashmë të shprehur prej tyre zyrtarisht edhe në marrëveshjen me 10 pika të koalicionit opozitar firmosur para dy ditësh, duket se do të mbeten edhe jashtë afatit tjetër të radhës, i cili është ai i regjistrimit të emrave të kandidatëve për kryetarë bashkish pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kujtojmë se opozita ka shprehur në këtë dokument vendosmërinë e saj se nuk do të hyjë në zgjedhje pa u garantuar më parë që ato të jenë patjetër të lira e të ndershme. Dhe duke pretenduar në këtë mënyrë që ajo të mos bëhet pjesë e një procesi zgjedhor fars. Kështu, asnjë prej partive pjesë e koalicionit opozitar, PD, LSI, PR, LZHK, PDK, PBDNJ, PDIU, apo dhe të tjera që nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me to, nuk janë regjistruar në KQZ.
Ndërsa nga ana tjetër, pranë institucionit që administron procesin zgjedhor në vend figurojnë të regjistruara parti të tilla si ajo Social-Demokrate e Skënder Gjinushit, Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit, Demokracia Sociale dhe Paskal Milos, Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës, Partia Zgjidhja e Koço Kokëdhimës, etj. Madje, duhet përmendur këtu se në KQZ, janë regjistruar edhe pesë parti të tjera, të cilat para krizës politike të kohëve të fundit ishin rreshtuar krah opozitës së sotme të bashkuar.
Ndërkaq, në pritje për të marrë vulën përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si pjesë e zgjedhjeve janë edhe 8 parti të tjera, të cilat kanë dorëzuar brenda afatit ligjor kërkesat për regjistrim në kuadrin e procesit të 30 qershorit.
LISTA
Partitë e regjistruara në KQZ:
Partia Socialiste e Shqipërisë
Partia e Gjelbër
Partia Kombëtare Konservatore Albania
Partia Kristian Demokratike
Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë
Partia Socialiste e Moderuar
Partia Uniteti Kombëtar
Partia e Emigracionit Shqiptar
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të
Shqipërisë
Partia Personat me Aftësi të Kufizuar
Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare
Partia Komuniste e Shqipërisë
Partia Zgjidhja
Partia Demokracia Sociale
Partia Ligj dhe Drejtësi
Partia e të Drejtave të Mohuara
Partia Demokracia e Re Europiane
Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane
Partia Demokratike për Integrim dhe Prosperitet
Partia Ardhmëria Shqiptare
Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
Partia Aleanca Demokratike Shqiptare
Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë
Partia Socialpunëtore Shqiptare
Partia Socialdemokrate Shqiptare
Partia për Demokraci dhe Solidaritet
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar
Partia Ora e Shqipërisë
Partia Bashkimi Liberal Demokrat
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve
Partia e Reformave Demokratike Shqiptare
Parti Pajtimit Kombëtar Shqiptar
Fryma e Re Demokratike
Lista e Barabartë
Partia Bindja Demokratike