Ylli Pepo: Françesk Radi, këngëtari që bëri revolucion në muzikën shqiptare

Ylli Pepo: Françesk Radi, këngëtari që bëri revolucion në muzikën shqiptare
Eksluzivisht për Albanian Free Press, Albert Zholi na sjell kujtimet e regjisorit dhe producentit të njohur Ylli Pepo dhe studentes së Liceut  të atyre viteve, Anila Kati, e cila u bë dhe protagoniste e videoklipit të famshëm të këngës “Adresa”. Këto kujtime të jetuara dhe emocione të rralla vijnë në ditët e përkujtimit të ndarjes nga jeta të kantautorit të njohur shqiptar Françesk radi.Këngët “Adresa” dhe “Biçikleta” ishin këngët më të mira të konkursit  “ Fituesja e fitueseve “ në 1972 dhe për herë të parë u bënë videoklipet e para. Monumenti i Frankos  është vendosur aty, ku 47 vjet më parë kemi  xhiruar  vidioklipin  “ Biçikleta “, me Valentina Baxhakun.

Nga Albert Zholi

Ylli Pepo, producent dhe regjisor kujton:

“Me Frankon kam një ndër kujtimet më të bukura të jetës simë. Si për të gjithë edhe për ne që ishim të rinj, fillimi i punës, ishte një ngjarje e shënuar. Pikërisht në ato ditë unë njoha dhe Frankon. Frankoja ishte një kengëtar nga ata që bëri revolucion në muzikën shqiptare, sepse zëri i tij, mënyra si këndonte ai, tekstet e tij, pasi ishte kantautor që në fillimet e tij, ishin krejt të veçanta. Pa atë partishmërinë e madhe, pa fjalë të mëdhaja, pa skematizëm, por thjesht i këndonin ndjenjës, ndjenjës së dashurisë, ndjenjës së lirisë, ndjenjës së njeriut që është gjithmonë në kërkim. Takoheshim gjatë gjithë këtyre viteve dhe kujtonim me mall atë kohë që kish ikur, por që kish mbetur në kujtesën tonë e bukur, dhe gjithë ngjyra si një gjë e çmuar për të dy ne, veçanërisht për miqësinë tonë që deri në fund mbeti e pastër dhe shumë e ngushte . Mbaj mend që në bulevardin e madh ku mbasditeve, grumbulloheshim ne si gjithë të rinjtë e tjerë, lëviznim nëpër të, ku bëheshin thashethemet, ku tregoheshin anekdodat, ku njiheshin vajzat, pikërisht atëhere u fol shumë për Françesk Radin, si një zbulim dhe si nje talent i ri, nga më të fuqishmit.

Me 1972, në dhjetor RTSH-ja organizoj një program titulluar “ Fituesja e fitueseve “ dhe me këtë rast mund të them se ishte Franko protagonisti i këtij konkursi dhe këtij koncerti që zgjati me disa seri. Radio Tirana në atë kohë organizonte një anketë muzikore të përmuajshme me 4 këngë nga të cilat dilte një fituese. Nga dy këngët e atij viti, “ Biçikleta” dhe “ Adresa”, që dolën fituese gjatë muajve, ishin këngë të Frankos.

Që të dyja u zgjodhën për në konkurs, ishin këngët më të mira të konkursit dhe për herë të parë u bënë videoklipet e para. U prodhuan ato që sot quhen klipe, sepse deri atëhere kënga këndohej nga këngëtari përpara ekranit njesoj si në një festival apo në një koncert, por klipe nuk ishin bërë në Shqipëri. U bënë klipe,  spikat  Producent®jisor  Pepo, sepse vetë materiali i këngës, të bënte që të kërkoje edhe imazhin e saj. U zgjodhën dy nga vajzat më të bukura të Tiranes, Për   “ Adresën “ u zgjodh Anila Kati , një nxënëse 17 vjeçare në liceun artistik, një Miss  i vërtetë  i asaj kohe dhe për  “ Biçikletën”  gjithashtu një nxënëse  tjetër  bukuroshe nga gjimnazi, Valentina Baxhaku. Që të dyja interpretuan krahas Frankos, me shumë dashuri, ishin bashkëpunuese shumë me këngëtarin dhe me kameran. Fillimisht në fund të verës e në ditët e para të shtatorit, u xhirua klipi “ Adresa “ , që mbetet klipi i parë shqiptar.  Ai u realizua në rrugët e Tiranës, kryesisht në rrugën me rrape  të Radio – Tiranës. Në shtypin kohës , pothuajse nuk ka asgjë të shkruar, përveç dy  a tre  fotove dhe një shkrimi shoqërues  nga programi në revistën e përdyjavëshme “ Radio Përhapja “, që e botoi vetë RTSH-ja.  Kjo erdhi si rezultat  se  “ Fituesja e fitueseve “,  ku ishin dy klipet e Frankos, u transmetua në dhjetor të vitit  ’ 72, në të njëjtën kohë me festivalin e 11-të. E gjithë zhurma i takoj atij, festivalit famëkeq.  E autor i tij është Franko, miku i shtrenjtë dhe i paharruar, ikonë dhe frymëzues për gjithë gjeneratën tonë të viteve ’70 të shekullit 20-të.

Me këto dy këngë,  tashmë klipe, të xhiruara nga Gazmir Shtino, me mënyrën se si sillej ai, si këndonte, u bë personazhi më i dashur i rinisë në qytet e në fshat. Gjithmonë ishte modest tepër, gjithmonë kërkonte, nuk është se mbetej i kënaqur me diçka. Deshte më të mirën të gjente. Dhe i tillë mbeti Frankoja deri në fund.Takoheshim dhe shpesh kujtonim atë kohë,  sepse në atë kohë unë kisha fillimet e punës në RTSH, e po kështu edhe Franko fillimet e tij të para.

Çuditërisht, monumenti i Frankos  është vendosur aty, ku 47 vjet më parë kemi  xhiruar  vidioklipin  “ Biçikleta “, me Valentina Baxhakun. Kaloj shpesh andej, sepse bëj ecje çdo ditë. Qëndroj, e nderoj thellë, çmallem me të.

E quaj veten me fat si përfaqësues i rinisë së viteve ’70 në Tiranë. Ne  ishim në sintoni të plotë me çfarë ndodhte përtej detit. Muzika, zëri dhe teksti i këngëve të Frankos shprehte pikërisht ato aspirata.