Gjykimi i huaj/ "Bilbil" maltez, edhe për finalen e kupës

Gjykimi i huaj/ "Bilbil" maltez, edhe për finalen e kupës
Edhe finalja e Kupës së Shqipërisë do të gjykohet nga një treshe e huaj gjyqtarësh. Nga rëndësia që merr trofeu, apo ambicieve që kanë katër ekipet gjysmëfinaliste, FSHF ka menduar që gjykimin e takimit final, bazuar në marrëveshjen me Maltën e Luksemburgun, t’ia besojë një tresheje malteze.

Burime pranë “Albanian Free Press” saktësuan se pas përcaktimit të finales së kupës, gjykimi është planifikuar t’i besohet një ekipi të huaj, për të shmangur paragjykimet. Tirana dhe Luftëtari e mbyllën pa gola ndeshjen e parë në Gjirokastër, ndërsa Kukësi fitoi 2-1 me Skënderbeun në Kamëz.

Ndeshjet e kthimit që do të luhen gjatë mesjavës tjetër, kur do të përcaktohet edhe dyshja finaliste. Fituesi i kupës fiton të drejtën e pjesëmarrjes në Europa League, çka e bën tepër të rëndësishëm sezonin për secilën nga katër ekipet që janë ende në garë.