Incidenti i Kanalit të Korfuzit, Enveri u nisi ushtarëkëve mesazhin “Ruani gjakftohtësinë!”

Incidenti i Kanalit të Korfuzit, Enveri u nisi ushtarëkëve mesazhin “Ruani gjakftohtësinë!”
INTERVISTA/ Flet ish-oficeri madhor i Flotës Luftarake Detare, kolonel në rezervë, Myfit Qorduka: Akuzat e anglezëve për minimin e Kanalit të Korfuzit krijuan një situatë kritike në bregdetin shqiptar në përgjithësi dhe në veçanti, në atë të Sarandës

“Më 15 maj 1946 dy anije luftarake angleze lundronin në ujërat tona në afërsi të Sarandës, nuk respektojnë sinjalin e artilerisë bregdetare për largim, po provokojnë duke e detyruar këtë të fundit të hapë zjarr paralajmërues”. Kështu thuhet në dosjen shqiptare në gjyqin e Hagës. Por cila ka qenë e vërteta e këtij incidenti, sipas ish-oficerit madhor të Flotës Luftarake Detare, Myfit Qorduka? Fakte dhe të dhëna të veçanta mbi gjykimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës vijnë sot për lexuesit e “Albanian Free Press”. Shoqëruar edhe me reagimin e ish-udhëheqësit komunist të asaj kohe, Enver Hoxha...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Cila ishte ngjarja e famshme, që do të mbahet mend si “incidenti i Kanalit të Korfuzit”, ku u përfshinë forcat tona detare?

Më 15 maj 1946, dy anije luftarake britanike, “Orion “dhe “Superb”, pa shenja dalluese, hynë në ujrat tona territoriale dhe po lundronin drejt Sarandës. Bateria e artilerisë bregdetare mendoi se janë anije greke dhe atëherë shkelja e ujërave territoriale quhej provokacion. Ndërsa alibia angleze rreth këtij incidenti ishte se “drejt nesh erdhi një anije e vogël peshkimi me njerëz të armatosur dhe kërkoi të largoheshim nga ujrat e tyre, pa na afruar asjnë lloj ndihme dhe më pas u larguan”. “Më 22 tetor 1946, në afërsi të Kepit të Varesë, dy destrojerët tanë ranë në minat e vendosura nga shqiptarët. Dy destrojerët ranë në mina, duke u dëmtuar e fundosur, ku humbën jetën edhe disa marinarë tanë”, thuhet sakaq në ditarin eanijes flamurmbajtëse anglezë, paraqitur në gjyqin e Hagës.

 

Në fakt, ende mbeten mister shkaqet e këtij incidenti...

Eshtë e vërtetë. Edhe pse kanë kaluar mbi 60 vjet nga përplasja mes mbrojtjes sonë bregdetare e një skuadriljeje anijesh angleze, i njohur si “incidenti i Kanalit të Korfuzit”, (në fakt zyrtarisht janë dy të tillë në harkun e 5 muajve), ku vendi ynë humbi padrejtësisht një përballje në gjyqin e Hagës, ende mbeten mister rrethanat dhe shkaqet e tyre. Edhe pse vendi ynë u përball padrejtësisht me sanksione për këtë incident, ku pala shqiptare nuk ishte përgjegjëse për minimin e bregdetit (siç tregojnë dëshmimtarët e këtyre ngjarjeve, por siç del edhe nga dokumentat e kohës, të njohura së fundmi), jo vetëm evidentojnë pafajësinë e vendit tonë, por tregojnë se detarët tanë të sapodalë nga lufta ruajtën gjakftohtësinë, duke siguruar paprekshmërinë e kufijve bregdetarë”, kujton Jaho Stepa, i cili për shumë vite ka qenë komandant i Artilerisë Bregdetare të Sarandës dhe më vonë, drejtues për artilerinë në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai ka shërbyer dhe biseduar me pjesëmarrësit e incidentit në Bazën e Sarandës.

 

Po Enver Hoxha si reagoi në këto situata?

Referuar dokumenteve zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtarakëve dëshmimtarë të këtyre incidenteve të rënda, por dhe në incidente të tjera në ditët e muajt në vazhdim, Enver Hoxha personalisht dërgonte fonograme me porosinë: “Ruani gjakftohtësinë!” dhe ndiqte nga afër veprimet luftarake të njësisë detare, në përmbushjen e detyrës për mbrojten e kufijve detarë. Enver Hoxha dhe drejtues të tjerë të ministrisë së Mbrojtjes, mbaheshin në kontakt të pandërprerë për situatën e jepnin urdhrat përkatëse për veprim luftarak të efektivave bregdetare. Por incidentet, pasuar me ballafaqimin në Gjykatën e Hagës pak muaj më vonë, jo për faj të detarëve shqiptarë, nuk u evidentuan. Krahas mjegullës që hodhi në marëdhëniet midis vendeve, në hartat e lundrimit u vendos me të kuqe edhe shprehja: “Lundrim i rrezikshëm nga minat në bregdetin shqiptar”, që përgatiste kështu izolimin e Shqipërisë nga ana e detit.

 

Një ndëshkim i pamerituar ky për Flotën Luftarake Shqiptare...

Lidhur me rënien e dy destrojerëve në mina, qeveria angleze i dërgoi nota proteste qeverisë shqiptare, ku e bënte fajtore atë për vendosjen e minave, kur Shqipëria nuk kishte, as mina, as mjete për vendosjen e minave. U shkëmbyen shumë nota proteste me akuza dhe kundërakuza ndërmjet dy shteteve. Iu dërguan nota edhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ta shqyrtuar këtë problem e për t’i dhënë zgjidhje. Britanikët i dhanë rëndësi incidentit, madje reagimi britanik ishte më i avancuar. Shtabi i Komandës Britanike të Mesdheut, përmes një telegrami të shifruar dhe shumë sekret, iu drejtua admiralit dhe Zyrës së Luftës në Londër me të cilin informonte se mendohej që admirali Kinahau, para se të largohej nga Korfuzi, të shkatërronte topat e Artilerisë Bregdetare në Sarandë, nëpërmjet bombardimit, ose zbarkimit. Komanda Britanike e Mesdheut e çmonte incidentin si një mundësi të mirë për t’u dhënë shqiptarëve “një mësim” dhe të demostrohej se “flamuri britanik nuk mund të fyhet pa u ndëshkuar”. Por admirali u përgjigj brenda ditës, duke urdhëruar ndalimin e veprimeve të propozuara. Nota origjinale e 29 majit 1946 e Forin Ofisit, iu dorëzua ambasadorit tonë në Beograd, z.Hysni Kapo. Qeveria shqiptare këmbëngulte se çdo anije e huaj që hynte në ujrat territoriale shqiptare, duhet të kishte lejen e autoriteteve shqiptare dhe të plotësonte formularët e duhur. Lidhur me çështjen “a e kanë dhunuar sovranitetin e Shqipërisë anijet luftarake angleze”, me datat 22 tetor dhe 12 e 13 nëntor, gjykata u shpreh se shkelja e ujërave në 22 tetor nuk ishte shkelje e sovranitetit të Shqipërisë, por një kalim paqësor i tyre. Përsa u përket datave 12 e 13 nëntor, lundrimi i anijeve angleze për çminimin e bregdetit pa lejen e Shqipërisë, gjykata e cilësoi si shkelje të sovranitetit të Shqipërisë. Komisioni Qendror Europian, për pastrimin e minave nuk e mori të mirëqenë pastrimin e Kanalit të Korfuzit nga anijet angleze, duke e shpallur atë të mbyllur për kalimin e anijeve. Incidenti, për nga mënyra se si u zhvilluan ngjarjet, nuk ishte i parapërgatitur dhe nuk ka të dhëna që të akuzojnë asnjë nga të dy palët.

 

Si ndikoi kjo për situatën e mëpasme të krijuar në bregdetin shqiptar?

Akuzat e anglezëve për minimin e Kanalit të Korfuzit është e vërtetë se krijuan një situatë kritike në bregdetin shqiptar në përgjithësi dhe në veçanti, në atë të Sarandës. Detarë dhe kuadro rrinin në gatishmëri të plotë dhe me armët mbushur përballë incidenteve që krijonin anijet e huaja në ujërat tona. Sipas dokumenteve zyrtare të asaj kohe, anglezët ishin vënë në punë në funksion të agjenturave të tjera, për të fabrikuar provat e fajësisë ndaj Shqipërisë, në gjyqin e hapur në Hagë.

Në funksion të fabrikimit të akuzave, nëpërmjet agjenturës së tyre brenda radhëve të marinës sonë luftarake, ata kishin përgatitur dhe arratisjen e një anije shqiptare, efektivi i së cilës do të dëshmonte se ishin ata që kishin vendosur minat në Kanalin e Korfuzit dhe akuzën angleze, që fajësonte Shqipërinë dhe kërkonte dëmshpërblim, pretendohej se minat ishin vendosur nga shqiptarët, në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe se rojet shqiptare i kishin parë aniijet që kanë bërë minimin, por kanë heshtur, duke qenë fajtorë (si pretendimi se kishin prova që vërtetonin përgjegjësinë shqiptare në incidentin e ndodhur më 15 maj 1946). Sipas dokumenteve, “në funksion të fajësimit të Shqipërisë për vendosjen e minave në Kanalin e Korfuzit, anglezët kishin përgatitur e çuar në gjyq edhe një dëshmimtar jugosllav, i quajtur Kovaçeviç ”. Ai dëshmoi në gjyq se, në mbrëmjen e datave 17-18 tetor, ai kishte parë dy anije në portin e Shibenikut, të cilat ngarkoheshin me mina, udhëtuan drejt Jugut, por ai nuk e dinte destinacionin. Gjykata dërgoi një komision për të verifikuar këtë dëshmi në Shibenik, por arriti në konkluzionin se dëshmia e Kovaçeviçit ishte e rreme”. Për të përforcuar “provën” anglezët përgatitën edhe një ngjarje tjetër, tepër e rëndë për kohën, arratisjen e anijes luftarake, motovedetës “Mujo Ulqinaku”, duke pasur si realizues një agjent të tyre, nënoficer në flotën tonë luftarake, i cili kishte marrë detyrë të dëshmonte se “ishte pikërisht kjo anije dhe efektivi i saj që kishin vendosur minat në Kanalin e Korfuzit”. (Në fund të vitit 1946 u nxor një motovedetë gjermane e mbytur në portin e Vlorës, e cila pasi u riparua, u armatos me një top 20 mm dhe dy mitraloza 12.7 mm. Kjo ishte anija më e madhe e më e shpejtë në përbërje të FLD-së. Kësaj iu vu emri “Mujo Ulqinaku”).

Rasti e solli apo isha me fat që pas mbarimit të studimeve jashtë shtetit, e nisa jetën në marinë dhe punova bashkë me “Heroin e Popullit”, Spiro Kote. Është e njohur odiseja për ta kthyer motovedetën në atdhe. Atëherë, ai nuk dinte asgjë nga të fshehtat e detarisë, kurse në vitet 1960-1970, kishte në dorë fatin e një anijeje nga më modernet e flotës, të pajisur me teknikë luftarake e mbi të gjitha, përgatiste detarë të zotë, që e ndienin veten të sigurtë nën komandën e tij. Ai vinte me eksperiencën e Lamanshit, gjirit të Biskajës në lundrim me nëndetëset, të cilat erdhën në bazën e Pashalimanit nga Kaliningradi në vitin 1958. Spirua u caktua një ndër katër komandantët e parë të nëndetëses. Me ne, në atë periudhë lundronte dhe shkrimtari e publicisti i njohur Nasho Jorgaqi, i cili më vonë do shkruante skenarin e filmit “Dueli i Heshtur”. Ky ishte një tjetër rast i mirë për mua të dëgjoja për heroizmin e Spiro Kotes, sepse në rastet e zakonshme ai u shmangej më shumë modesti kërkesave tona rreth aktit të tij heroik. Tashmë dihet nga të gjithë se në filmin “Dueli i Heshtur”, heroi kryesor i tij është Spiro Kote, i luajtur shumë mirë nga Rikard Larja dhe kapteri V.B, i luajtur nga aktori i mirënjohur Ndrek Luca. Batuta e këtij filmi se “çështja e komisarit ishte loja” nuk është trillim artistik kinematografik, por një e vërtetë, në qendër të së cilës ndodhet komisar Petro Bicolli, i cili më pas, kreu detyra me rëndësi në ushtri dhe arriti deri në gradën kolonel e tani nuk jeton më.

 

VLERËSIMI

Kadri Hazbiu: Si ia propozova Enverit titullin “Hero i Popullit” për ushtarin që shpëtoi anijen “Mujo Ulqinaku”

Kadri Hazbiu, kur ishte ministër i Mbrojtjes dhe kishte ardhur njëherë në bazën e Shëngjinit, për ngjarjen e Spiro Kotes me motovedetën “Mujo Ulqinaku”, më tha: “Duke qenë shef i Sigurimit të Ushtrisë, pas ngjarjes shkova në Durrës dhe takova Spiron. Ishte i tronditur dhe nga ai moment krijova bindjen se unë isha i pari që i propozova Enverit për ta shpallur “Hero të Popullit”, dekoratë të cilën ia dorëzoi në një ceremoni Mehmet Shehu”. Pas aktit heroik, Spirua u dërgua për studime në ish-Bashkimin Sovjetik. Gjatë karrierës së tij, ai kreu detyra të larta, deri edhe si zëvendës-komandant i BUD-it Durrrës, deri sa doli në pension.Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, megjithëse gjykata e pranoi faktin se në datat 12-13 nëntor 1946 futja e anijeve luftarake angleze në ujrat shqiptare, ku ndodhi incidenti, ishte shkelje e sovranitetit të Shqipërisë, vendimi përfundimtar e fajësoi Shqipërinë për incidentin. Si pasojë, ai vendim solli më vonë dhe bllokimin e arit shqiptar në bankat e Londrës. Kurse në prag të zhvillimit të gjyqit të Hagës, pati një përkeqësim të situatës midis nesh e anglezëve. U shtuan veçanërisht provokimet, teksa notat e ndërsjellta të protestës nga qeveritë përkatëse dhe qëndrimi i prerë i qeverisë shqiptare, në njëfarë mënyre reflektoheshin edhe në situatën në terren.

 

Akuzat e anglezëve në Hagë

  • Minat në ujërat e Kanalit të Korfuzit i ka vendosur Shqipëria, në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, duke sjellë shkatërrimin e dy destrojerëve dhe vrasjen e disa marinarëve anglezë.
  • Shqipëria ka dijeni se kush i ka vendosur dhe nuk ka njoftuar për këtë akt.
  • Rojet bregdetare shqiptare duhet t’i kenë parë anijet që kanë vendosur minat e për këtë mbajnë përgjegjesi penale.

(Dosja e incidentit të “Kanalit të Korfuzit” në Gjykatën Ndërkombëtare)

 

Dy çështjet që diskutoi Gjykata Ndërkombëtare

  • A ka përgjegjësi Shqipëria për rënien në mina e dëmtimin e dy destrojerëve anglezë në Kanalin e Korfuzit dhe a e ka për detyrë të paguajë kompensim?
  • A kanë dhunuar anijet luftarake angleze sovranitetin e Shqipërisë?

(Dokument i shkëputur nga dosja e incidentit në Gjykatën Ndërkombëtare)