Riviera shqiptare, cilat janë destinacionet më të bukura

Riviera shqiptare, cilat janë destinacionet më të bukura
Sarandë

Rreth 15 kilometra nga brigjet e Shqipërisë, larg kufirit me Greqinë. Pikërisht ato kanë edhe detin më të bukur: Detin Jon, me ngjyrat e Karaibeve dhe rërën e bardhë, vende këto ende pak të njohura. Dhe nëse Saranda është tashmë destinacioni më i preferuar bregdetar i italianëve, duke shkuar më në jug ka ende brigje të tjerë, të frekuentuar kryesisht nga shqiptarët, aty ku të huajt ende nuk kanë mbërritur.

 

Ksamil

Ndër destinacionet bregdetare pak të njohura të Shqipërisë është Ksamili, emri i të cilit do të thotë "gjashtë milje", ose ato që mungojnë për të arritur kufirin grek. I shtrirë mbi detin Jon, ende pjesë e bashkisë së Sarandës, në të vërtetë ai është një komunë tjetër. Bukuria e tij qëndron tek fakti se Ksamili është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, një zonë natyrore kjo e mbrojtur nga shteti dhe që ndodhet në skajin jugor të Shqipërisë. Aty përfshihet edhe zona arkeologjike e Butrintit, një Trashëgimi Botërore e UNESCO-s. Peizazhi këtu është i bukur, me ishuj që mund të admirohen, ndërsa ju shtriheni në plazh nën rrezet e diellit. Ksamili është konsideruar si një perlë e vogël e bregdetit jugor të Shqipërisë dhe është i famshëm për disa nga plazhet unike të rërës në këtë zonë. Ndërsa ishujt e vegjël përballë tij, mund të arrihen edhe me not.

 

Porto Palermo

Një vend i zbuluar nga italianët dhe që sot pak e njohin është Porto Palermo, me gjirin e tij të mrekullueshëm (më i madhi në bregdetin jonian), ku dominon kalaja. Një kep i vogël shkëmbor është i lidhur me territorin me një rrip shumë të ngushtë dhe e ndan gjirin në dy pjesë: Gjiri i Armeridës dhe Gjiri i Shën Nikollës. Së bashku me plazhin e Llamanit, Porto Palermo është shpallur si zonë e mbrojtur. Është një qoshe me një bukuri të rrallë, me kalanë e rrethuar ujëra të qarta blu. Kalaja e Porto Palermos daton që nga periudha veneciane dhe ndodhet në mes të detit. Sipas legjendës, ajo është ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena si dhuratë për një nga bashkëshortet e tij, Vasiliqia, të cilën sipas kronistëve të kohës, Pashai i Janinës e donte shumë. Po sipas legjendës, Ali Pashai e përdori këtë kala për të fshehur një thesar, të njëjtin thesar që përmend Aleksandër Dyma në librin "Konti i Montekristos", ku sapo përfunduan punimet, vrau të gjithë punëtorët dhe dy arkitektët, në mënyrë që të mos jepnin informacione mbi planimetrinë e kalasë. Ngjyra e detit në Porto Palermo është e pabesueshme dhe perfekte për të notuar apo për t’u zhytur. Kaq e ndritshme, e kristaltë dhe kaq blu, sa duket gati si irreale. Bën kontrast të fortë me brigjet e djegura nga dielli, duke krijuar panorama vërtet spektakolare.

 

Udhëtimet

Mënyra më e shpejtë për të arritur në Shqipëri nga Italia është me avion, por në verë çmimet janë tepër të larta dhe i vetmi aeroport është në Tiranë. Dikush fluturon edhe për Korfuz, i cili është shumë afër dhe pastaj merr tragetin. Dhe pasi të mbërrini, mund të merrni një makinë me qira. Alternativa është që të niseni me makinën tuaj dhe të merrni traget direkt nga Italia.