“Sovjetikët, notë proteste Shqipërisë: Ne ju ndihmuam, por na dolët armiq!”

“Sovjetikët, notë proteste Shqipërisë: Ne ju ndihmuam, por na dolët armiq!”
HISTORI/ “Albanian Free Press” publikon dokumente autentike nga arkivat e Traktatit të Varshavës, rreth krisjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik

***

“Qeveria sovjetike shpreh protestën e vendosur kundër veprimeve të pazakonta të qeverisë shqiptare dhe kërkon kthimin e të gjitha anijeve sovjetike, armatimit, teknikës dhe gjithë inventarit tjetër, që është pronë e popullit sovjetik!”. Një urdhër të tillë i dha pala sovjetike në vitin 1961 asaj shqiptare, përmes një note proteste të posaçme, e cila publikohet sot posaçërisht për lexuesit e “Albanian Free Press”. Mes të tjerash, ajo i përmend palës shqiptare edhe “nderet” dhe ndihmat që Bashkimi Sovjetik i kishte dhënë deri atëherë, kur nisën të kriseshin marrëdhëniet mes tyre. “BS vazhdimisht i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të pakursyer e të gjithanshme. Madje, ai vazhdimisht i kanë dhënë mbështetje asaj dhe në forcimin e sovranitetit dhe pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare”, thuhet në këtë dokument...

***

Përkthyer nga: Myfit Qorduka

Notë proteste e BRSS drejtuar qeverisë së RPSH

“Qeveria sovjetike, me këmbëngulje ka punuar dhe punon të arrijë normalizimin e marrëdhënieve sovjetiko-shqiptare, të cilat siç dihet janë keqësuar kohët e fundit për faj të palës shqiptare. Për këtë, ajo ka treguar durim të madh dhe përmbajtje, ka synuar të bëjë konsultime shoqërore dhe diskutime reciproke të problemeve që u interesojnë dy vendeve tona, duke bërë gjithçka për ruajtjen e miqësisë me RPSH.

Duke u nisur nga interesat e përbashkëta dhe unitetit të vendeve të kampit socialist, qeveria sovjetike vazhdimisht ka propozuar zhvillime të bisedimeve në nivelin më të lartë për gjykimin  e problemeve që kanë lindur në marrëdhëniet tona. Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare nuk erdhi në takim. Këtyre synimeve të sinqerta të qeverisë sovjetike drejtuar në rivendosjen e marrëdhënieve vëllazërore midis vendeve tona, pala shqiptare nuk u është pëgjegjur.

Ajo nuk deshi që për këto qëllime të përdorej ardhja në Moskë gjatë këtij viti në sesionin e Komitetit Politik Konsultativ të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavë,s që u thirr në nivel më të lartë partie dhe shtetëror. Refuzimi i shokut E. Hoxha dhe shokut Mehmet Shehu për të marrë pjesë në atë sesion, jo vetëm shkaktoi habi të ligjshme te pjesëmarrësit, por u dha ushqim mediave që mbajtën qëndrim armiqësor me vendet socialiste.

Kreu i shtetit sovjetik, N. S. Hrushov, duke folur në sesionin e fundit të komitetit politik konsultativ për gjendjen e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare, edhe njëherë deklaroi për gatishmërinë e Bashkimit Sovjetik që t’i përmirësojë marrëdhëniet me Shqipërinë.

Për rrezikun e pozicionit të tanishëm të udhëheqësve shqiptarë në lidhje me BS-në dhe vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës u shprehën me shqetësim udhëheqësit e gjithë vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës. Synimet e BS-së dhe të vendeve të tjera të Traktatit të Varshavës ishin drejtuar në atë që të normalizoheshin marrëdhëniet e Shqipërisë dhe BS dhe me vendet e tjera socialiste në interes të unitetit dhe bashkëpunimit të kampit socialist.

Me ndjenjën e thellë të keqardhjes, qeveria e Bashkimit Sovjetik është e detyruar të nënvizojë se qeveria e RPSH-së nuk iu përmbajt synimeve të pjesëmarrësve të këtij sesioni të Komitetit Politik Konsultativ, ndaj detyrohet të distancohet nga qëndrimet jonormale, për faj të Shqipërisë kohët e fundit në marrëdhëniet e Shqipërisë më BS dhe vendet e tjera anëtare të Traktatit të Varshavës. Veç kësaj, ngjarjet e kohëve të fundit dëshmojnë për atë që qeveria shqiptare i përmbahet kursit jomiqësor të ndërmarrë prej saj në marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik.

Në letrën që i drejtoi qeverisë shqiptare, zëvendës-kryetari i Këshillit të Ministrave të BRSS, A.N.Kosigin, më 26 prill të këtij viti, në radhën e dokumenteve të tjera qeveria sovjetike paraqet pozicionin e saj në çështjet e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare.

Ndihmë e pakursyer dhe e gjithanshme

Qeverisë së RPSH-së i është bërë e mirënjohur që qeveria sovjetike dhe gjithë populli sovjetik, të cilat udhëhiqen nga principet e internacionalizmit proletar, miqësisë dhe mirëku-ptimit midis vendeve socialiste, gjithmonë janë sjellë me Shqipërinë e popullin vëlla shqiptar me miqësi të sinqertë dhe simpati të zjarrtë.

Bashkimi Sovjetik vazhdimisht i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të pakursyer e të gjithanshme, e cila i ka dhënë mundësi popullit shqiptar që për një kohë të shkurtër të sigurojë ritëm të lartë të zhvillimit të ekonomisë, kulturës, shkencës, ka rritur ndjeshëm nivelin e jetesës dhe ka krijuar modelin e një republike socialiste.

Krahas këtyre, qeveria e BS-së bashkë me vendet e tjera socialiste vazhdimisht i kanë dhënë një mbështetje Shqipërisë në çështjen e forcimit të sovranitetit dhe pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare. Për këtë, pala sovjetike nuk ka dhënë as shenjën më të vogël të marrëdhënieve jomiqësore midis Bashkimit Sovjetik dhe RPSH.

Qeveria sovjetike do të donte veçanërisht të nënvizojë që BS-ja i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të madhe edhe në ndërtimin e forcave të saj të armatosura, në pajisjen e tyre me teknikë e armatim, në përgatitjen e kuadrove ushtarakë. Në periudhën e pasluftës, qeveria sovjetike i ka dhënë në formë shpërblimi ushtrisë popullore shqiptare armatim dhe inventar të teknikës luftarake në shumën mbi një miliardë rubla. Duke mos folur për atë që duke filluar nga viti 1949, Bashkimi Sovjetik ka siguruar në llogarinë e vet gjysmën e kërkesave të ushtrisë shqiptare në ushqim, veshmbathje etj. BS-ja i ka dhënë ndihmë gjithëbotërore qeverisë shqiptare për të siguruar zhvillimin paqësor të popullit vëlla shqiptar.

Për këto qëllime e duke parë nevojat e mëdha të Shqipërisë dhe gjithë kampit socialist, me iniciativë të qeverisë sovjetike dhe miratimin e qeverisë shqiptare, u krijua baza ushtarako-detare në gjirin e Vlorës, ku është ribazuar një sasi e caktuar e forcave dhe teknikës ushtarako-detare të Bashkimit Sovjetik. Krijimi i kësaj baze u është përgjigjur interesave të të gjithë kampit socialist dhe para së gjithash, interesave të RPSH-së.

Në bazë u vendos një bashkëpunim vëllazëror i marinsave sovjetikë dhe shqiptarë dhe ajo, shpejt filloi të plotësojë me sukses detyrat e vendosura para saj. Njëkohësisht duke filluar në mes të vitit të kaluar, gjendja në bazën e Vlorës ka ndryshuar, sigurisht jo për fajin tonë.

Pala shqiptare duke mbajtur një linjë jo miqësore në marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik, ka krijuar një situatë të padurueshme për marinsat sovjetikë dhe si rezultat i saj, baza faktikisht ka humbur aftësinë luftarake të saj dhe veprimtaria e saj duket e paralizuar.

Qeveria sovjetike nuk e quan të domosdoshme të ndalet në të gjitha rastet e marrëdhënieve jomiqësore dhe jo rrallë, edhe veprimeve provokative të ushtarakëve shqiptarë ndaj detarëve sovjetikë dhe familjeve të tyre. Në dokumentet respektive që i janë adresuar qeverisë shqiptare, janë pasqyruar një pjesë e këtyre fakteve. Kuptohet që mbi marrëdhëniet  midis vendeve socialiste nuk mund të gjykohet mbi bazën e fakteve të veçanta. Por me keqardhje të thellë, në rastin e dhënë fjala është jo për fakte të veçanta, por për veprime jomiqësore të parapërgatitura, që sistematikisht kryhen nga persona shqiptarë me përgjegjësi në lidhje me punonjësit sovjetikë, që realisht minon bazat e miqësisë së popujve sovjetikë dhe atij shqiptar, dhe në kundërshtim me principet e internacionalizmit ndërkombëtar.

Gjendje jonormale në bazën e Vlorës

Pala sovjetike jo një herë ka tërhequr vëmendjen e qeverisë shqiptare për gjendjen jonormale, që është krijuar në bazën e Vlorës.

Njëkohësisht, nga pala shqiptare asnjë lloj mase për rregullimin e kësaj gjendje nuk është marrë. Në të kundërt, qeveria shqiptare për në çdo adresim tonin është përpjekur të justifikojë sjelljet jomiqësore, justifikon dhe veprimet provokative të autoriteteve ushtarake shqiptare si rezultat i të cilave situata në Bazën e Vlorës të acarohej. Vetëm në sajë të ngritjes politike të nënoficerëve e marinarëve u arrit që të shmangen komplikimet serioze dhe përplasjet midis marinarëve sovjetikë dhe atyre shqiptarë.

Me qëllim eliminimin e gjendjes jonormale në bazën ushtarake detare, likuidimin e lindjes së fërkimeve dhe incidenteve midis marinarëve sovjetikë dhe shqiptarë, gjithashtu në interes të ngritjes së gatishmërisë luftarake të forcave ushtarake-detare që ndodhen në këtë bazë, qeveria sovjetike bëri propozimin, i cili u miratua në vendimin e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës. Me këtë vendim, u parashikua që shërbimet e anijeve dhe armatimit të Flotës në bazë, të kryhen vetëm nga ekuipazhet sovjetike, me qëllim që drejtimi i tyre të realizohet nga një komandë unike sovjetike, e cila do jetë e varur nga Komandanti Suprem i Forcave të Bashkuara Ushtarake të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, deri në rivendosjen e marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona, kur mund të kthehemi në principet e para të lidhjeve tona reciproke, në të gjitha fushat ekonomike dhe bashkëpunimit ushtarak.

Me keqardhje, qeveria shqiptare e refuzoi vetë këtë vendim (propozimin) dhe vazhdoi ta çojë punën drejt përkeqësimit të situatës në bazë dhe drejt acarimit të marrëdhënieve midis Bashkimit Sovjetik dhe RPSH .

Në këto kushte, qeveria sovjetike ishte e detyruar të merrte këtë vendim, tashmë të aprovuar edhe nga Komiteti Politik Konsultativ, për largimin e forcave ushtarako-detare që ndodhen në Bazën e Vlorës.

Qeveria sovjetike, duke synuar në rregullimin e shpejtë të këtyre problemeve, që lidhen me gjendjen në Bazën e Vlorës, pranoi propozimin e qeverisë shqiptare të RPSH për një takim në qytetin e Tiranës, të përfaqësuesve të plotfuqishëm të të dy vendeve për diskutim të çështjeve të mësipërme dhe ka caktuar për këto qëllime delegacionin e saj. Delegacioni sovjetik kryesohet nga N. P. Firjubin, zëvendës-ministër i Punëve të Jashtme të Bashkimin Sovjetik, në përbërje edhe T.T.Antonov, zëvendës i parë i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, N.D.Sergejev, zëvendës-shef i Shtabit kryesor të Flotës Luftarako-Detare, S. T. Astavin, drejtues i Sektorit të Pestë për Europën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, ashtu siç është rënë dakord. Delegacioni mbërriti në Tiranë më 18 maj, ku me dëshirën e palës shqiptare, deri më 20 maj të këtij viti, do zhvillohen bisedimet në lidhje me largimin e forcave ushtarako-detare sovjetike dhe teknikës nga Vlora. Dhe në këtë rast, qeveria e Bashkimit Sovjetik udhëhiqet nga një synim, nga një qëllim: të përmirësohen marrëdhëniet midis vendeve tona. Pikërisht për këtë i është dhënë porosi delegacionit sovjetik edhe një herë, të deklarojë se qeveria sovjetike përforcon gatishmërinë e saj, të lërë në Vlorë gjithë forcat ushtarako-detare sovjetike dhe të qëndrojë mbi kushtet e propozuara nga qeveria sovjetike e Bashkimit Sovjetik dhe të miratuara nga Komiteti Politik Konsultativ.

Me rrjedhën e propozimit nga pala shqiptare, delegacioni sovjetik ishte gati të fillonte bisedimet mëngjesin e 19 majit. Njëkohësisht udhëheqësi i delegacionit shqiptar, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të RPSH, shoku Halim Budo, duke mos hapur mbledhjet, madje duke mos komunikuar përbërjen e delegacionit shqiptar, bëri deklaratën në të cilën akuzoi pa baza qeverinë sovjetike sikur ajo po mban me paramendim ushtarakët shqiptarë në BRSS, që studionin në shkollat ushtarako-detare. Po kështu, kryetari i delegacionit shqiptar, hodhi shprehje të trasha e ofenduese në adresë të qeverisë sovjetike.

Delegacioni sovjetik, duke shfaqur vullnetin e mirë dhe pa u lëkundur, i udhëhequr nga detyrat e qeverisë sovjetike për arritjen e marrëveshjes reciproke për largimin e forcave ushtarako-detare dhe teknikës nga Vlora, i propozoi delegacionit shqiptar të fillojë bisedimet duke e quajtur si të pabazë përpjekjen e delegacionit shqiptar që të lidhë çështjen e “sajuar” të pengesave për kthimin e marinarëve ushtarakë shqiptarë, me çështjen e cila është objekt i diskutimeve.

Delegacionit shqiptar iu tha se pretendime të tilla janë absurde, me karakter provokativ, përderisa askush dhe asnjëherë nuk i vë pengesa kthimit të ushtarakëve shqiptarë nga Bashkimi Sovjetik.

Pavarësisht nga kjo, udhëheqësi i delegacionit shqiptar, madje në ditën e mbërritjes në RPSH të grupit të parë të marinarëve shqiptarë me aeroplanin e zgjedhur sovjetik, në përputhje me grafikun e hartuar me ambasadorin e RPSH në Moskë, vazhdonte të fliste sikur ambasadës së tyre nuk i jepej mundësia për takime me ushtarakët shqiptarë dhe ata ndodhen të arrestuar e në izolim. Kuptohet se kjo që nga fillimi e deri në fund, ishte një sajim i ulët.

Të tilla veprime të palës shqiptare, që tani u bënë shumë të qarta, ishin të drejtuara në ndërprerjen e bisedimeve dhe të pengonin largimin e forcave ushtarako-detare dhe teknikës nga Vlora.

Qeveria sovjetike, natyrshëm nuk mund të anashkalonte sjelljen e ish-atasheut ushtarak shqiptar, Gjeneral Major Ramohitos, i cili në bisedat me kursantët shqiptarë lëshonte shpifje për politikën e jashtme të Bashkimit Sovjetik dhe sulme të ashpra në marrëdhëniet e Partisë Komuniste dhe qeverisë sovjetike, për më tepër, gjatë kalimit nëpër institucionet mësimore sovjetike, ai mundohej t’u jepte garanci kursantëve shqiptarë duke i nxitur ata për veprime provokative.

Në vend që të gjykonte veprimet provokative të Ramohitos në BS, qeveria shqiptare, pa asnjë bazë, kërkoi largimin nga Shqipëria të atasheut ushtarak pranë Ambasadës së BRSS në Tiranë, Kolonelit Rura, duke e shpallur atë “Person i padëshiruar”. Koloneli Rura, siç është e ditur nga shteti shqiptar, më tepër se 7 vjet, me ndërgjegje dha ndihmë në ndërtimin e Forcave Ushtarake të RPSH dhe në forcimin e miqësisë sovjeto-shqiptare. Ai nuk i ka dhënë asnjë sjellje qeverisë shqiptare, që ajo të merrte një masë të tillë aspak normale.

Bisedimet në Tiranë, që lidhen me problemin e largimit të forcave detare edhe njëherë treguan se qeveria shqiptare, si dhe më parë, vazhdon të zërë një pozicion jomiqësor ndaj BS dhe ndërmerr masa të paramenduara, që drejtohen në acarimin e mëtejshëm midis dy vendeve tona. Qeveria shqiptare, përsëri, negativisht u soll edhe ndaj propozimit të përsëritur të qeverisë sovjetike për qëndrimin e forcave ushtarako-detare dhe të teknikës në Vlorë e të miratuara nga Komiteti Politik Konsultativ.

Duke mos llogaritur kushtet e arsyeshme të propozimit, qeveria shqiptare, me këtë qëndrim dhe me ndërgjegje të plotë vendoset në rrugën e likuidimit të bazës ushtarako-detare të Vlorës, që është mbështetje e rëndësishme e Traktatit të Varshavës.

Në këto kushte, qeveria sovjetike me keqardhje është e detyruar që këtë vendim, tashmë të miratuar nga Komiteti Politik Konsultativ për largimin e forcave ushtarake dhe teknikës që ndodhen në Vlorë, ta zbatojë. Duke vendosur këtë propozim, qeveria sovjetike shpresonte që qeveria shqiptare do ta kuptojë drejt këtë masë të domosdoshme dhe do rimarrë hapat e duhur për të mos lejuar përkeqësimin e mëtejshëm në bazë dhe do tregohet solidare në bashkëveprimin në largimin nga Vlora të të gjitha forcave ushtarake detare e tërë teknikës sovjetike.

Duke mos qenë dakord me këtë propozim, qeveria shqiptare vazhdon ta çojë punën drejt keqësimit të mëtejshëm të situatës në bazë dhe acarimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Për këtë flet dhe fakti që deri tani nga Vlora janë larguar vetëm një pjesë e forcave ushtarako-detare dhe teknikës sovjetike, ndërsa 4 nëndetëset sovjetike, baza lundruese “Nemcinov”, 10 anije te vogla mbiujëse, 22 anije ndihmuese dhe një sasi e rëndësishme e armatimit, teknikës, materialet dhe inventari tjetër, ishin të rrëmbyera nga pala shqiptare.

Kjo ishte kryer nga qeveria shqiptare pavarësisht se në letrën e vet, në përgjigje për vendimin e Komitetit Politik Konsultativ, premtonte se do të jepte të gjithë ndihmën në largimin nga Vlora të forcave ushtarake dhe teknikës sovjetike. Kuptohet që qeveria sovjetike nuk mund të jetë dakord me veprime në thelb pirateske të autoriteteve shqiptare, të cilat janë të palejueshme, jo vetëm për vendet me marrëdhënie reciproke (socialiste) por në përgjithësi edhe midis vendeve që kanë marrëdhënie diplomatike normale.

Jo besnikëri ndaj kampit socialist

Veprime të tilla të qeverisë shqiptare nuk kanë asnjë ngjashmëri me deklaratat e udhëheqësve shqiptarë, për besnikërinë ndaj kampit socialist, “Për dashurinë dhe miqësinë e përjetshme ndaj BRSS”. Duke u vendosur në rrugën e politikës jomiqësore në marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik, qeveria shqiptare shkatërroi bazën mbi të cilën u ndërtua më parë bashkëpunimi ynë ushtarak dhe me këtë ka shkelur marrëveshjet në këtë fushë midis BRSS dhe Shqipërisë, të firmosura në kushte krejtësisht të tjera.

Në lidhje me rrëmbimin e 4 nëndetëseve, bazës lundruese “Njemeinov”, 10 anijeve mbiujëse, 22 anijeve ndihmuese, armatimit, teknikës dhe inventarit tjetër, qeveria sovjetike shpreh protestën e vendosur kundër këtyre veprimeve të pazakonta të qeverisë shqiptare dhe kërkon kthimin e të gjitha anijeve sovjetike, armatimit, teknikës dhe gjithë inventarit tjetër, që është pronë e popullit sovjetik.

Vetëkuptohet se qeveria sovjetike nuk mund ta lejojë që marinarët sovjetikë që kryejnë shërbimin në Shqipëri, në interes të sigurisë së mbrojtjes të të gjithë kampit socialist, të ndodhen në kushtet e padurueshme që janë krijuar nga pala shqiptare në Bazën Ushtarako-Detare të Vlorës, sepse kjo do përdorej për keqësimin e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare dhe do dëmtonte unitetin dhe aftësinë mbrojtëse të vendeve socialiste.

Duke marrë parasysh këtë, qeveria sovjetike ka urdhëruar ministrin e Mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik të kthejë të gjithë ushtarakët sovjetikë, që në kohën e tanishme ndodhen në anijet që janë rrëmbyer nga autoritetet shqiptare dhe në objektet e tjera.

Qeveria sovjetike shpreson që qeveria shqiptare dhe RPSH do bashkëveprojnë për kthimin në atdhe të këshilltarëve dhe instruktorëve ushtarakë që ndodhen në Vlorë.

Qeveria sovjetike porosit Ministrinë e Mbrojtjes të BRSS, që të bashkëveprojë me autoritetet shqiptare për dërgimin në RPSH të gjithë marinarëve ushtarakë shqiptarë që ndodhen ne Rusi, në afatet për të cilat do bien dakord me Ambasadën e RPSH në Moskë”.

 

 

loading...
loading...