Acta non verba (veprim jo fjalë). Ja pse u tërhoq Basha më 21 qershor, pas kërcënimit amerikan!

Acta non verba (veprim jo fjalë). Ja pse u tërhoq Basha më 21 qershor, pas kërcënimit amerikan!
Nga Spartak Ngjela

Këtë kërkojnë shqiptarët nga politika amerikane - veprim dhe jo fjalë, kundër korrupsionit të lartë shtetëror. Dhe po shihet që kjo po ndodh sot, kur shteti po goditet nga antishteti për të destabilizuar shoqërinë.

Korrupsioni i lartë e goditi shtetin, por tani ka humbur.

Ndërkombëtarët ishin më të fortë në luftën kundër agresionit antishtet të Partisë Demokratike. Korrupsioni Berisha dhe grupi i tij nuk arritën dot asgjë në planet e tyre për destabilizim. Por as politikën perëndimore nuk e lëkundën dot me agresivitetin e tyre dhunues.

"Nëse do të ushtroni dhunë rrugësh, ne do t'ju shpallim organizatë terroriste të terrorit ndërkombëtar”; i tha politika e lartë amerikane Lulzim Bashës. Dhe tërheqja e tij u pa të premten në datën 21 qershor.

Pas kësaj nuk mund të ketë më asgjë destabilizuese në Shqipëri, duan apo nuk duan inspiruesit e anarkizmit, në Shqipëri apo jashtë saj.

Shteti nuk mund të goditet më nga antishteti.

l.

Shteti i kërcënuar nga antishteti ndodh të jetë kështu për dy arsye nxitëse: e para - kur shteti kërkon të asgjesojë krimin e organizuar, kurse vetë krimi i organizuar kundërvepron e hidhet në sulm me krim për të shkaktuar pështjellim shoqëror; dhe, e dyta, kur marrëzia ka pushtuar një pjesë të politikës drejtuese të vendit.

Në Shqipëri duket se janë në veprim të dy këta kushte arsyetuese. Njëri, kushti i parë, ka karakter terrorist; kurse tjetri, kushti i dytë, ka karakter psikik. I pari është me natyre të theksuar kriminale dhe kërkon që të trembë ligjin apo politikën me akte terroriste; kurse i dyti, duke qenë psikik, ka të bëjë me shumë me gjendjen emocionale.

Me e përgjithshmja për këtë gjendje emocionale është frika nga ndëshkimi, sepse, kur grupet e korruptuara qeveritare me përkrahje në shoqëri, kërcënohen nga ligji, e humbasin qetësinë psikike dhe degradojnë në marrëzi. Por marrëzia e tyre, si rregull, vjen dhe transmetohet te përkrahësit e zjarrtë që kanë, të cilët ose janë të prirë ndaj një interesi abstrakt, ose janë bashkëpunëtorë me korrupsionin shtetëror, ose pastaj janë thjesht simpatizantë të pasionuar të forcës politike që aspiron për pushtet politik.

Kështu po ndodh edhe në Shqipëri.

ll.

Gjithsesi tani korrupsioni është krejt i pafuqishëm. Politika perëndimore e kërcënoi me prova, dhe e ka neutralizuar gjendjen.

Shpresën e fundit korrupsioni e pati tek një dekret fantazëm i presidentit Ilir Meta. Por nuk krijoi dot gjë. Kohët e fantazmave juridike nuk kanë jetë në hapësirat perëndimore. Kurse ai dekret fantazëm po e çon Metën drejt shkarkimit, dhe po të mos tregohet pragmatik, mund ta drejtojë përkundrejt akuzës penale.

Në fakt, Meta duhet të largohet se e ka humbur ekuilibrin nga frika e antikorrupsionit. Edhe ky po lodhet kot. Provokon politikën amerikane, dhe provokon ambasadorët me psikologjinë e Çorovodës. Dhe ata qeshin me të, sepse ia dinë arsyen pse i bën: është i trembur.

Dhe koha po ecën drejt rrafshimit të korrupsionit shqiptar, i cili nuk ka shpresë.

Por gjithçka varet nga data 30 qershor. E cila nuk duhet të ndryshojë.

Suksesi i parë i madh i antikorrupsionit është zhvillimi i zgjedhjeve në 30 qershor. Në këtë ditë vdes përfundimisht njëri krah i korrupsionit shqiptar, shteti forcohet dhe në korrik fillon aktiviteti i SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Domethënë fillon seleksionimi i individëve që do të akuzohen nga SPAK dhe do të konfiskohen sipas ligjit të antimafies.

E tillë është situata, dhe kështu do të zhvillohet, në këtë rrugë...

loading...
loading...