“Arrest shtëpie” për ish-deputetin, çfarë tha Bardh Spahia në sallë. Reagon opozita: Gjyq politik

“Arrest shtëpie” për ish-deputetin, çfarë tha Bardh Spahia në sallë. Reagon opozita: Gjyq politik
Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-deputetin e Partisë demokratike, Bardh Spahia.

Akuzat në ngarkim të Spahisë janë: “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Arrestimi ka ardhur pas ngjarjeve të tre ditëve më parë në një KZAZ, ku iu vu flaka materialeve zgjedhore.

Pas komunikimit të akuzës, ish-deputeti ka deklaruar se bëhet fjalë për një arrestim dhe për akuza politike.

“Sot jemi përballë një përplasje të fortë politike e sociale. Protestuesit kanë vepruar sepse nuk mund të lejojnë që të uzurpojnë një objekt publik pronë e bashkisë Shkodër. Për këtë kemi marrë informacion nga ana e policisë. Jemi drejtuar nga pallati i Sportit tek shkolla. Morëm informacion se kishte tension dhe u drejtuam atje për të qetësuar situatën. Duke kërkuar që situata të qetësohej, sepse ishte e tensionuar. Materialet zgjedhore ndodheshin në një ambient të pambrojtur dhe aty ka pasur njerëz të paautorizuar. Ne kishim detyrë për të qetësuar njerëzit. Veprimet e arrestimit tim kanë prapaskenë politike. Mendoj që gjykata duhet ta shohë dhe vlerësojë siç duhet dhe bazuar në ligj”, ka thënë Spahia në seancën e sotme.

Edhe avokati i tij, Ivi Kaso, ka pranuar praninë e Spahisë në KZAZ, por arsyeja, sipas mbrojtjes ishte e ligjshme.

“Ai ka qenë duke ushtruar një të drejte të ligjshme si përfaqësues i popullit si funksionar i një partie politike”, ka qenë arsyetimi i avokatit Ivi Kaso.

Avokati gjithashtu ka pretenduar se arrestimi ka qenë i paligjshëm dhe në shkelje te procedurave.

Megjithatë, ish-deputeti do të vazhdojë të jetë i arrestuar, ndonëse do të qëndrojë i mbyllur në shtëpinë e tij.

Vendimi ka ngjallur reagimet e menjëhershme të opozitës.

“Gjyq politik. Është pjesë e provokimit që Edi Rama dhe banda në pushtet i bën aleancës për mbrojtjen e demokracisë. Ishte aty thjesht për të qetësuar situatën”, tha ish-deputeti Flamur Noka.

“Edi Rama ta harrojë se mund të frikësojë opozitën dhe qytetarët. Data 30 nuk është datë zgjedhjesh. Rama mund të bëjë zgjedhje në partinë e tij por jo në Shqipëri. Edi Rama ta harrojë datën 30. Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira pa Edi Ramën, Shqipëria do të ketë shumë shpejt zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Noka.

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar gjithashtu kundër vendimit për të akuzuarit e tjerë për ngjarjen e tre ditëve më parë.

“Kjo është diktaturë! Drejtësia e kapur nga kryeministri antikueshtues lë në burg dy policët bashkiak Alfred Nikolli dhe Gentian Bytyçi u vendos të mbahen peng si të burgosur politike.

Edhe tre të tjerët, Adi Garuci, Aleks Ndoi dhe Oraldo Thepi do të duhet të qëndrojnë në arrest shtëpie. Të gjithë këta janë heronjtë tanë, heronjtë e zgjedhjeve të lira e të ndershme, heronjtë e fjalës së lirë! Asnjë hap pas! Përballë kryeministrit-fatkeqësi kombëtare!” shkruan Voltana Ademi në një status në rrjetet sociale.

Në protestën e një dite më parë, PD ka denoncuar arrestimet e mbështetësve të opozitës, të cilët i ka konsideruar “të burgosur politikë” dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Spahisë dhe të arrestuarve të tjerë në protestat opozitare. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

loading...
loading...