Kujtimet e mia për ish-Kryeministrin, “Adil Çarçani, flori ishte dhe flori mbeti”

Kujtimet e mia për ish-Kryeministrin, “Adil Çarçani, flori ishte dhe flori mbeti”
Një portret për ish-Kryeministrin, ish luftëtarin e shquar antifashist, Adil Çarçani, që neofashistët e sotëm e konsiderojnë “kriminel”

Nga Sevo Tarifa

“Adil Çarçani, flori ishte, flori mbeti…” Kështu e quante Fushëbardha antifashistin e orëve të para, Adil Çarçanin.  Populli e vlerësonte Atdhetar të madh, Burrë shteti, Personalitet historik. Dhe  kur shkonte në fshatlindje, bashkëfshatarët thërrisnin me zë të lartë: “Gëzohu, o Fushëbardhë, shiko kush të ka ardhë”! Dhe mblidheshin, takoheshin e bisedonin përzemërsisht…

Adil Çarçan trëndafili, në ballë të shkëlqen ylli!

Është një nga vargjet e popullit, që e kishte në zemër birin e tij. Rruga nëpër të cilën ka ecur Adil Çarçani ka qenë e ngushtë, me kthesa, e thepisur, gjithë gurë. Pikërisht një rrugë e tillë i bën mirë formimit të njeriut, kalitjes së karakterit të tij. “Deri tek fama arrihet rrugëve të ngushta” (Viktor Hygo). “Në kujtesën e njerëzve mbetet ai, të cilin populli e ka dashur”, (Dostojevski). Adil Çarçani ka mbetur jo vetëm në kujtesën e fushëbardhasve, të krahinës së Kardhiqit, të Kurveleshit, por të qarkut të Gjirokastrës, të mbarë vendit.

Dashuria për Atdheun ishte motivi kryesor, i cili e shtyu  birin e Fushëbardhës që, bashkë me mbi njëqind shqiponja e zogj shqiponjash nga ky fshat, të marrë pushkën e të dale malit partizan, për të luftuar  me parullën “Vdekje Fashizmit-Liri popullit”. Dhe ndërsa shqiponjat vinin rreth në ato dymbëdhjetë male që i rrinë mbi kokë si kurorë gjigande këtij fshati, shqiponjat partizane nisën të fluturonin gjithandej vendit e jashtë tij. Dhe “kënga” e pushkës së tyre u dëgjua betejë më betejë, nga sulmi në sulm kundër pushtuesve nazi-fashistë dhe tradhtarëve të vendit. Zjarri i luftës partizane u ndez flake e nuk shuhej pa u fituar liria!

Adil Çarçani ishte nga luftëtarët e parë. Fillimisht vepronte me guxim ilegalisht në Tiranë. Partia e dërgoi me detyra në qarkun e Gjirokastrës. Më 1942 e nisi të punën në fshatlindjen e tij, Fushëbardhë. Këtu kishte filluar lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare. Muzafer Asqeriu hynte e dilte në  fshat, në krahinën e Kardhiqit e në qytet dhe ra duke luftuar trimërisht me armiq. Adil Çarçani vepronte me pseudonimin “Shkëndia”. Gjurmat e tij i gjejmë gjithandej. Në kontakte me shokë të vjetër frymëzohej. Në takim me ushtarë e milice bëri që disa nga këta të arratisen e të drejtojnë armën kundër fashizmit. Pjesëtar i çetës “Çerçiz Topulli”. U ngarkua me detyrën e të deleguarit në rrethinat e Tepelenës, ku u caktua përgjegjës i celulës. Ishte koha kur po formohej batalioni “Baba Abaz”, i cili u përfshi në Brigadën e VI Sulmuese. “Shkëndijës” iu besua detyra e shefit të seksionit politik të kësaj brigade. Këtej u emërua zëv. Komisar i Brigadës VII, pastaj komisar i Divizionit IV Sulmues.  Janë një varg i gjatë aksionet luftarake ku morri pjesë ky luftëtar e udhëheqës… Për meritat e tij u pranua: anëtar i PK në vitin 1942, veprimtar i shquar i Luftës ANÇ; kuadër i dalluar politik e ushtarak

Urtësia, një “lule e bukur” e virtyteve të tij

Pas çlirimit Adil Çarçani ishte një nga udhëheqësit e shquar të partisë e të shtetit. Anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH nga Kongresi IV 1961. Ka kryer detyra nga më të rëndësishmet në bazë e në qëndër:  sekretar politik i Komitetit Qarkor të Partisë në Durrës, pastaj në Shkodër me të njëjtën detyrë, më vonë ministër i minierave dhe gjeologjisë, zëvendëskryeministër dhe më 1982 Kryeministër. Burrë shteti. Kurdoherë në radhë të parë Njeri. Shquhej për dashuri e respekt ndaj njerëzve. Udhëheqës me fytyrë të ëmbël, fjalë të ngrohtë, interesim për shëndetin e njerëzve, me mall për luftëtarët e lirisë, shumë nga të cilët i njihte me emër; dëshira për të bërë më të mirën në zhvillimet e qyteteve e fshatrave.

Një here erdhi disa ditë në Gjirokastër me një grup specialistësh, arkitekësh e inxhinierësh, me vete kishte sjellë edhe harta e grafiqe, të cilat pasqyronin gjendjen dhe perspektivat e Gjirokastrës, investimet dhe veprat që parashikoheshin për industrinë, bujqësinë, shëndetësinë, arsimin e kulturën. Idetë e tij ishin si të një kryespecialisti. Dukej qartë kapaciteti dhe kompetenca e tij, niveli dhe cilësia e fjalës, vizioni që kishte për të ardhmen e këtij Qyteti Muze.  Na u bë zemra mal për panoramën që shpalosi, për horizontin që na zgjeroi, na dha optimizëm nga optimizmi i tij, urtësi nga urtësia e tij, buzëqeshje nga buzëqeshja e tij! Shumë ndryshime, përparime, zhvillime e zbukurime u bënë nga ato që referoi Kryeministri i kohës, por sa të tjera mbetën në mes të rrugës, madje në tranzicion u bë prapa …

Tërhiqnin vëmendjen biseda e tij me zë të ulët, propozime, kërkesa për të marrë mendime të bazës. Dëgjonte me kujdes, vlerësonte sugjerime, miratonte alternativa. Binin në sy dashamirësia, fisnikëria. Ishte kënaqësi ta dëgjoje, të bisedoje. Edhe kur nuk i pëlqente ndonjë mendim i kunërt, apo i padrejtë, nuk nxehej, Ishte i qetë, gjakftohtë, bindës, nuk fliste me arrogance, nuk qe prepotent. Urtësia ishte një “lule e bukur” e virtyteve të tij.

“Tek modestia radhiten margaritarë të moralit”

Ata që kanë pasur nderin të bashkëpunojnë me të mençmin Adil Çarçani, flasin me fakte për thjeshtësinë e tij karakteristike, për mirësitë e tij. Këto virtytet dukeshin qartë në takime me popullin, me vegjëlinë. Sa here shkonte me shërbime partie apo shtetërore në rrethe të vendit, nuk rrinte pa shkuar në bazë. Kur shihte ish partizanë, veteranë, bujq, blegtorë, mësues, mjekë, të njohur apo të panjohur, ndalonte, u afrohej dhe i takonte përzemërsisht. Njerëzve u bënte përshtypje modestia e tij, përzemërsia dhe buzëqeshja e tij. Njeri i rrogozit. Ndonjë i moshuar që e ka njohur kur ishin bashkë në Brigadën e VI ose të VII Sulmuese, shprehej: “Nuk ka partizan që të mos e ketë përqafuar komisar Adili!” Kështu e çmonin edhe minatorë, kur u shkonte në galeri, drejtues të ndërmarrjeve industriale e të kooperativave bujqësore, drejtorë e mësues shkollash, mjekë, ushtarakë, kuadro e aktivistë të organizatave të masave, deri dhe pionierë. Ai e kishte kurdoherë shpirtin në popull, në shokë e në miq të luftës e të punës. Populli ishte në zemrën e tij, ai ishte në zemrën e popullit!

Ishte i veçantë në mallin për vendlindjen. Rrugën drejt Fushëbardhës nuk do ta bënte pa ndalesa. Do takohej me njerëz. Kur shkoja me punë në Fushëbardhë, gjeja të freskëta gjurmët e tij. Pleq e veprimtarë shoqërorë më flisnin me kënaqësi që kishin në gjirin e tyre, siç thoshin ata, Adilin. Shpesh  here e gjente kohën dhe shkonte në festa të ndryshme që zhvilloheshin në rrethe. Veçanërisht kur ftohej në ato që kujtonin vitet e luftës, betejat partizane. Këtu takonte me gëzim shokë luftëtarë. I pyeste dhe kujtonte ngjarje të asaj kohe me barut të thatë. Shkonte në grupet e njerëzve që mblideshin si fshat dhe ulej e bisedonte me ta. Feste e kishin emrin, por njëherazi ato ishin edhe takime pune, që gjallëronin e gëzonin njerëzit, rritnin entuziazmin dhe mobilizimin e tyre. E kishim pare këtë pjesëmarrje sidomos në 7 gushtin e çdo viti, te rrapet e Prongji-Kardhiqit, në vendin ku ishte formuar Batalioni “Asim Zeneli”. Një mbrëmje. në një takim të ngushtë në Përmet, ku ishin, përveç shokut Adil, edhe shokët Haki Toska, Manush Myftiu, Shefqet Peçi, Rrapo Dervishi, Subi Bakiri etj, ra në sy korrektesa dhe qetësia e Kryeministrit. I ndritnin sytë. Atmosferën e ndiznin të tjerë, me gotën e rakisë në dorë. Shoku Adil qeshte dhe pinte fare pak. Atë dhe ndonjë tjetër nuk i ngacmonin dollibashët. Ishin të ftuar edhe disa kinezë ushtarakë, të cilët kënaqeshin me mjedisin e krijuar. Të nesërmen u zhvillua festa jubilare e Brigadës VI Sulmuese dhe rreth Kryeministrit e shokëve të tjerë udhëheqës u mblodhën partizanë, kush t’i takonte më parë.

Jam ndodhur disa here në mbledhje apo takime me kuadro e punonjës në Gjirokastër, Përmet e Tiranë,   ku ishte dhe shoku Adil Çarçani. Një ditë erdhi në Mashkullorë në një aktiv kombëtar për komunalen, që ishte përgatitur model personalisht prej tij. Fshati kishte marrë një pamje të re social-kulturore. Ishin rreth 300 pjesëmarrës nga gjithë vendi. Tregoheshin përvoja pune. Foli dhe Kryeministri. Bënin përshtypje fjalët e përzemërta, sjelljet e mira, kultura e tij. Në pushime e rrethuan pjesëmarrës dhe mashkulloiritë. Disa i njihte që nga koha e luftës, u fliste me emër! Këtyre u ndriste fytyra nga gëzimi, E pashë kryeministrin me sa kompetencë i ngrinte problemet komunale. Bëri vlerësime për ndryshimet e përparimet e Mashkullorës. Dallohej në kapjen e përgjithësimin e shembujve pozitivë. Edhe kritikën e bënte me lezet, me buzëqeshje. Interesohej e pyeste për shëndetin e njerëzve. Kjo u pa edhe në drekën që u shtrua në shtëpinë e Flamur Çanit, ku nuk kishte pak të ftuar e ai ishte kryemiku, por një shok i vërtetë, i dashur, fisnik, i thjeshtë.

Miqësia, një virtyt shpirtëror i Adil Çarçanit

Familja dhe personalisht Adil Çarçni dalloheshin për  mikpritje. Të shkoje në shtëpinë e tyre e ndieje veten si në shtëpinë tënde. Gjeje një mjedis të këndshëm, mirëseardhës, të ngrohtë, të sinqertë, që përshkohej nga dashuria, bujaria dhe respekti. E kam të freskët atë ditë kur në shtëpinë e tij në Tiranë, që ishte jashtë bllokut, shoqërova grupin këngëtar të Mashkullorës. Këta erdhën për të shkuar tek tre shokë udhëheqës, miq të dashur të Mashkullorës : tek Haki Toska, Shefqet Peci, Adil Carcani. Shkuam  tek dy të parët. Shokun Adil e lamë në fund që të rrinim më tepër. U njoftua për dëshirën e grupit këngëtar të mashkulloritëve që na befasuan me ardhjen e tyre në Tiranë, të veshur me kostumet popullore. “Me gjithë qejf, le të vijnë”, tha ai. Dhe pyeti : “po ku t’i pres, në zyrë apo në shtëpi?”. Iu shfaq mendimi se “ata s’kanë probleme për fshatin, që të vijnë në zyrë, duan në shtëpi dhe të këndojnë me juve”! “Mirëse të vijnë”, u përgjigj.

Tek porta kishte dale e na priste tok me bashkëshorten, Havanë e mirë, këtë grua të rrallë dinjitoze. Sa i çiltër dhe i gëzuar ishte ky çift i mrekullueshëm, që u kishin shkuar miq nga Mashkullora e luftës së Çerçiz Topullit, fshat i 29 dëshmorëve! Kryeministri uroi mirëseardhjen. Falënderoi që i shkuam në shtëpi. Pyeti me emër për mashkulloritë, për punët e kooperativës, për grupin e këngëtarëve. Fytyrat e këngëtarëve morën një pamje tjetër, të gëzuar! Dhe ia shkrepën këngës. Ia merrte Malua, ia kthente Mufiti, këndonte dhe i zoti i shtëpisë. Të tjerët iso. Kënga vente zile. Gjëmoi shtëpia. Oh, sa bukur! Kryeministrit i dukej sikur ndodhej në Mashkullorë! Fytyra e çelur tregonte zemrën e bardhë e të hapur të tij dhe kënaqësinë e veçantë. La gjithë ato punë të rëndësishme të shtetit dhe priti mashkulloritë, kënga labe e të cilëve dëgjohej deri jashtë dhe ata që kalonin rrugës, ndalonin e dëgjonin  sikur të ishte ndonjë dasmë apo festival !

E paharruar do të jetë edhe një ditë tjetër, kur erdhën po nga Mashkullora disa aktivistë të kulturës, të cilët donin të takonin Kryeministrin e t’i incizonin zërin, fjalën dhe figurën, të regjistronin kujtimet për Mashkullorën, për kohën e luftës e të pasçlirimit. Ai pranoi me kënaqësi. Nuk i kurseu ato dy orë për këtë fshat. Dhe tregoi kujtime të bukura, të qarta, modeste, që i mungonin muzeut të fshatit. Foli për atdhetarizmin e Mashkullorës, mbante mend emra luftëtarësh, traditat e fshatit, mikpritjen e tij e sa çaste të tjera.

Me përzemërsi e miqësisht priste jo vetëm vendës, por edhe miq të huaj. Një here isha i pranishëm, kur priti një mik i huaj, që kishte kërkuar të takohej me kryeministrin. Ai ishte neozelandezi Tejlor, që jetonte në Shqipëri, se në vendin e tij ndiqej si revolucionar. Ishte me profesion stomatolog dhe kur erdhi tërë klinikën e tij të pasur ia dhuroi Klinikës Qendrore të Tiranës. Miku ngrinte probleme sidomos për naftën, për bujqësinë, për blegtorinë. Kryeministri e dëgjonte me vëmendje dhe mbante shënime, si një nxënës i vullnetshëm dhe i kujdesshëm. Kur shoku Adil dha mendime të tij, mikut i bënte përshtypje thjeshtësia e Kryeministrit, aftësia që i zotëronte shumë mirë këta sektorë. Krenohesha që një udhëheqës shqiptar e një neozelandez bisedonin aq miqësisht e sinqerisht. Kryeministri u shtrua vendçe me mikun, i cili sa dolëm nga ai takim interesant miqësor, ndër të tjera më tha: “Keni kryeministër të mirë shumë si Njeri dhe tepër të aftë për punët e shtetit. Tamam Burrë shteti“.

Shpesh herë takoja në Tiranë motrën e tij, Nevron, bashkëshorten e shokut tonë, Sadik Bocaj. Dhe e pyesja për shëndetin e shokut Adil. E kush  nuk e njihte udhëheqësin e urtë Adil Çarcanin? Kudo ka punuar me ndërgjegje të lartë e besnikëri për zbatimin e detyrave, për forcimin e pushtetit popullor, të ekonomisë e të kulturës, për mbrojtjen e atdheut. Deputet i Kuvendit Popullor që nga Legjislatura e dytë.

***

Kështu do të kujtohet nga bashkëkohësit e brezat e ardhshëm Adil Çarcani, ky nxënës dhe bashkëpunëtor besnik i Envëer Hoxhës, udhëheqës i talentuar, punëtor i palodhur e njeri popullor e shembullor, që edhe në dallgët e jetës, të luftës e të punës qëndroi i palëkundur, konsekuent, me Atdheun në zemër, i patjetërsuar, siç e ka përcaktuar populli i Fushëbardhës: “Adil Çarçani, flori ishte dhe flori mbeti”.

E, zotërinj neofashistë, ky është Adil Çarçani, jo ai që ju e quani “kriminel”! Po të ishte “kriminel” ky atdhetar  madh, si do të quhej ai ballist vrastar ose dejtues i Ballit që jepte urdhër për të pushkatuar, varur në litar apo djegur ne zjarr komunistë, antifashistë e deri njerëz të pafajshëm, mos vallë “patriot?! Kurrën e kurrës! Kush u ka shërbyer fashistëve është bashkëpunëtor i tyre, kolaboracionist, kriminel, jo atdhetar, por atdheshitës…

loading...
loading...