Luanët sulmojnë makinën, momente tmerri për dy gra dhe dy fëmijë brenda automjetit (VIDEO)

Luanët sulmojnë makinën, momente tmerri për dy gra dhe dy fëmijë brenda automjetit (VIDEO)
Dy femra dhe dy fëmijë u përballën me një lukuni luanësh, që iu turrën automjetit të tyre pranë Parkut Safari të West Midlands në Britaninë e Madhe.

“23-vjeçarja Abi Tudge dhe mikesha e saj 28-vjeçare Jaz Reynolds, ndodheshin brenda automjetit tip Hunday kur konstatuan praninë e grabitqarëve ndër më të frikshmit e planetit”, raporton Daily Mail.

Në sedijen e pasme, ishin dy fëmijë që ato i kishin sjellë për t’u zbavitur.

Sulmi i luanëve zgjati për afro 50 minuta, ndërsa kafshët iu turrën makinës, duke e gërvishtur me putra.

“Nuk bërtisnim dot, edhe pse ishim të tmerruara, që të mos frikësonim edhe më shumë fëmijët që ndodheshin në sedijen e pasme”, ka treguar një prej femrave.

Brenda automjetit, katër pasagjerët jetuan minuta terrori, duke patur frikë se xhamat mund të thyheshin dhe të gjendeshin në dhëmbët e kafshëve të egërsuara.

Makina mbeti e bllokuar brenda parkut, pasi porta e daljes ishte bllokuar nga rojet e sigurisë.

Parku Safari i West Midlands konfirmoi se dalja e rrethimit ishte e mbyllur përkohësisht për shkak të afërsisë së kafshëve me portën, por theksoi se askush nuk kishte qenë në rrezik real.

Stafi i parkut erdhi dhe qetësoi luanët e egërsuar, pastaj hapi portat që automjeti i bllokuar të vazhdonte rrugëtimin. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto dhe Video: Daily Mail