Protesta e PD-LSI, Basha: Largimi i Ramës është i panegociueshëm!

Protesta e PD-LSI, Basha: Largimi i Ramës është i panegociueshëm!
Kryetari i PD, Lulzim Basha, në fjalën e tij para mbështetësve të opozitës që po proteston para kryeministrisë, deklaroi se beteja e tyre do të vazhdojë jo vetëm me largimin e kryeministrit Edi Rama, por deri sa të garantohen të gjitha të drejtat, si në vendet evropiane.

“Kjo betejë nuk do të mbarojë me largimin e Edi Ramës, por vetëm kur të kemi vendosur kushtet për Shqipërinë si gjithë Evropa”, tha Basha.

“Largimi i kreut të qeverisë është i panegociueshëm”, deklaroi Basha. Sipas tij, zgjidhja politike duhet të vijë fillimisht duke liruar nga qelitë të arrestuarit për sulmet ndaj KZAZ-ve, dhe se në qeli, sipas Bashës, duhen futur ata që kanë vjedhur votat, duke ju referuar përgjimeve të publikuara në median gjermane “Bild” për dosjet hetimore në Shqipëri, 184 dhe 339.

Nuk mund të ketë proces politik pa dënuar personat që, sipas Bashës, janë të përfshirë në shit-blerje të votave. Basha tha se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor, dhe se Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë është krijuar për të qenë në terren më 30 qershor.

“Beteja do të vazhdojë në çdo vend”, tha Basha.

“Edi Rama marshon drejt gushtit të shtetit, drejt votimeve pa opozitën, me KQZ të paligjshme, me karta identiteti të paligjshme. Ta dijë mirë Edi Rama se nuk ka zgjedhje më 30 qershor, nuk bëhet asnjë hap pas. Aleanca qytetare është në këmbë. Beteja vazhdon qytete më qytet, fshat më fshat. Demokracia është në këmbë kundër krimit. Çdo tentativë për të provokuar shqiptarët do të dështojë, ndërsa 30 qershori do të jetë varreza politike e Edi Ramës dhe e Rilindjes. Këto mesazhe të qarta, që shumëkush prej jush i di fare mirë, i bëjmë sonte të qarta për këdo që nuk i di. Nuk do të ketë më në Shqipëri zgjedhje me Edi Ramën. Nuk do të ketë proces politik pa dënuar hajdutët e votave. Ky është standardi i Evropës dhe Perëndimit. Nuk ka paqe pa drejtësi, nuk ka zgjedhje pa drejtësi”, tha Basha.

loading...
loading...