"Zgjedhjet më të pazakonta", si po pasqyrohen votimet në Shqipëri nga mediat ndërkombëtare

"Zgjedhjet më të pazakonta", si po pasqyrohen votimet në Shqipëri nga mediat ndërkombëtare
Kaos institucional, demokraci në krizë, situatë politike e tensionuar, votime pa kundërshtarë.

Këto janë disa nga frazat me të cilat agjencitë më të njohura të informacionit në botë po përshkruajnë procesin zgjedhor të së dielës në Shqipëri.

Në artikullin e saj, gjiganti britanik, " BBC", i cilëson zgjedhjet vendore të 30 qershorit më të pazakontat që nga rrëzimi i komunizmit në fillimvitet 90.

Pasi rendit akuzat e opozitës, aktet e presidentit Ilir Meta dhe kundërreplikat e kryeministrit Edi Rama, media angleze nuk sheh shpresë për pajtim politik mes palëve.

Sipas BBC, fituesit e zgjedhjeve në Shqipëri veprojnë me qasjen "fitimtari i merr të gjitha", dhe është pikërisht ky mentalitet që nuk i lë opozitës taktikë tjetër përpos protestave në rrugë.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, i komenton zgjedhjet e fundit vendore si episod të një krize demokracie të nisur në muajin shkurt, kur deputetët e opozitës u larguan nga parlamenti dhe zgjodhën rrugën si mjet presioni ndaj qeverisë.

Në artikull citohen fuqitë perëndimore, ambasada amerikane dhe delegacioni i Bashkimit Europian, me thirrjet për garantimin e procesit elektoral dhe shmangien e dhunës.

Gazeta italiane "La Stampa" e hap mbulimin e saj për Shqipërinë me një intervistë të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duke vendosur në titullin e artikullit një frazë të ish-zyrtarit të lartë demokrat se "këto zgjedhje kurrsesi nuk mund të quhen të lira".

Shërbimi amerikan i lajmeve, Associated Press, gazeta "Uashington Post" dhe dhjetëra media amerikane, po ashtu renditin shkurtimisht shkaqet e konfliktit politik disamujor.

Zgjedhjet e 30 qershorit po raportohen gjerësisht edhe në mediet greke, serbe, maqedonase e ato të Kosovës.

BBC thekson se zhvillimi i tyre do të jetë vendimtar për vendimin që Bashkimi Europian pritet të marrë rreth negociatave për anëtarësim në muajin tetor.oranews

 

loading...
loading...