Ambasada amerikane: Zgjedhjet të rregullta, jemi në krah të popullit shqiptar

Ambasada amerikane: Zgjedhjet të rregullta, jemi në krah të popullit shqiptar
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka dhënë një reagim në lidhjet me votimet e zhvilluara gjatë ditës së djeshme në Shqipëri.

Ambasada amerikane në reagimin e saj, shkruan se “Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt”.

Por ambasada pranon se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave. Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë. Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë”, shkruhet në reagim.

Ambasada amerikane në Tiranë u bën thirrje udhëheqësve politikë që të respektojnë shtetin ligjor dhe të punojnë brenda institucioneve të ngritura për të përcaktuar rrugën përpara për demokracinë shqiptare.

“Në këtë çast, ne iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të respektojnë shtetin ligjor dhe të punojnë brenda institucioneve të ngritura për të përcaktuar rrugën përpara për demokracinë shqiptare, përfshi përparimin me reformat e rëndësishme zgjedhore të rekomanduara nga ODIHR. Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin nga Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara janë në krah të popullit shqiptar si një vend partner, një mik dhe një aleat”, shkruhet më tej në reagim.

Ambasada amerikane në Tiranë shprehet se është e përkushtuar të ndihmojë për forcimin e shtetit ligjor dhe ndërtimin e një demokracie më të fortë dhe një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët.

loading...
loading...