Hapja e kutive në Lezhë, reagon PD: Proces farsë për t’u hedhur hi syve njerëzve

Hapja e kutive në Lezhë, reagon PD: Proces farsë për t’u hedhur hi syve njerëzve
Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso shprehet se vendimi i KQZ për të hapur 11 kuti votimi në Lezhë bëhet thjesht për t’u hedhur hi syve shqiptarëve.

Në një status në Facebook, Kaso thotë se Partia Socialiste në këto qendra ndihet e sigurt se nuk ka pasur manipulim.

Sipas tij “qëllimi është që t’i tregohet botës mbarë se votimet ishin të rregullta e të vlefshme, jo vetëm këtu por në mbarë vendin”.

“Nën shembullin e ndritur të "marifetit" me Idajet Beqirin, KQZ ka vendosur që nesër, në vijim të një kërkese ankimore për Bashkinë Lezhë, të hapë dhe të kontrollojë rregullshmërinë e procesit të 30 Qershorit vetëm për 11 qendra votimi ku PS ndihet e sigurt që s’ka patur manipulime. Qëllimi, jo fort i fshehur është që t’i tregohet botës mbarë se votimet ishin të rregullta e të vlefshme, jo vetëm këtu por në mbarë vendin. Ajo që e nxjerr bllof këtë skemë farsë "dorëzimi të kontrolluar" është se nga frika se mos del në shesh manipulimi me listat e zgjedhësve, në këto qendra, KQZ ka vendosur të mos ta hapë fare kutinë e materialeve zgjedhore. Pra, thënë shkurt e me dy fjalë: Proces farsë për t’u hedhur hi syve njerëzve”, shkruan Kaso në reagimin e tij.

 

loading...
loading...