Shuhet Pjetër Rodiqi, bashkëshorti i këngëtares Vaçe Zela

Shuhet Pjetër Rodiqi, bashkëshorti i këngëtares Vaçe Zela
Bashkëshorti i këngëtares Vaçe Zela, është ndarë nga jeta. Pjetër Rodiqi, është ndarë nga jeta në Shqipëri, ku ishte rikthyer pas 21 vitesh qëndrim në Basel të Zvicrës.

Daljen e fundit publike Pjetër Rodiqi e pati në emisionin ‘Soirée’, ku foli për njohjen dhe jetën me legjendën e muzikës shqiptare, Vaçe Zela.

E bija e tyre, Irma, në një reagim në rrjetet sociale, Irma Rodiqi shkruan:

Një yll më shumë iu shtua qiellit, për të ndriçuar edhe më fort pranë mamit. Me pikëllim të thellë, sot kam barrën e rëndë t’ju njoftoj për largimin nga kjo jetë të babait tim të shtrenjtë, Pjetër Rodiqi. Zoti e dinte dashurinë e tij të pafund për atdheun e dashur, prandaj edhe ia mundësoi ta kalojë këtë sëmundje të rëndë në Shqipërinë e tij të shtrenjtë, që nuk ia zëvendësuan dot kurrë as bukuritë e Vjenës, ku pat lindur, e as të Bazelit, ku për hir të dashurisë e përkushtimit ndaj familjes kaloi 21 vite të jetës së tij.

Unë e quaj veten vajzën më me fat në botë, që pata e do të kem gjithmonë në zemrën e në shpirtin tim një baba fisnik e me virtyte të rralla si ai. Me dashuri e mirënjohje të pafund për gjithçka që babai im i shtrenjtë përfaqëson për mua e për këdo që ka patur fatin ta njohë”.

Më herët, para pak muajsh, Pjetër Rodiqi kishte treguar njohjen dhe rënien në dashuri me artisten e njohur.

“Unë kam kryer shërbimin ushtarak në Lushnje dhe kënaqësia e vetme ishin ato shëtitjet që bënim dhe në të njëjtën kohë e vetmja qendër ishte Shtëpia e Kulturës. Nuk e dija as kush ishte Vaçja, as që ekzistonte. Unë e njoha duke luajt bilardo, kur edhe sot e kësaj dite nuk di të kem lozur ndonjëherë bilardo”, – tregoi Pjetër Rodiqi.

“Aty nisi ndjenja jonë. Shiko, Vaçja sa ç’qe këngëtare e mirë, aq ishte edhe e zgjuar. Ishte inteligjente me plot kuptimin e fjalës. Sa e madhe dhe e zgjuar. Më tërhoqi me intelektin e saj. Ne ishim të rinj atë kohë dhe kishim interes për letërsi, poezi e kështu gjërash”, – shtoi bashkëshorti i këngëtares.

I pyetur nëse ka qenë jeta e lehtë apo e vështirë me Vaçen, Pjetri përgjigjet: “Shiko, ka qenë e vështirë në kuptimin që Vaçja u bë e njohur pasi u njohëm ne. Unë deri vonë e kam pasur besdi që më thonin ‘burri Vaçes’… ndërsa tani, prezantohem ‘bashkëshorti i Vaçe Zelës’”.

“Sa e madhe ishte aq edhe e thjeshtë!”. – ka përfunduar Pjetër Rodiqi, bashkëshort i Vaçe Zelës.

loading...
loading...