U arrestuan për korrupsion, lihen në burg dy policët që “mbyllën sytë” para parcelave me kanabis

U arrestuan për korrupsion, lihen në burg dy policët që “mbyllën sytë” para parcelave me kanabis
Gjykata e Fieri lë në burg 2 policët, kryetarin e fshatit Cakran dhe 5 persona të tjerë, të cilët u arrestuan me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe kultivim të lëndëve narkotike.

Arrestimet e punonjësve të policisë dhe 5 personave të tjerë u realizuan pas një hetimi të prokurorisë dhe policisë së Fierit.

Të akuzuarit kanë dalë para togave të zeza në orën 10:30 të paradites së sotme ku nga avokatët e tyre është kërkuar jo “arrest me burg” por detyrim paraqitje por që nuk është pranuar nga organi i akuzës dhe i gjyqësorit Fier duke lënë në burg të akuzuarit për të vijuar me seanca të tjera deri në dhënien e vendimit.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit arrestojnë 2 punonjës policie dhe 5 shtetas të tjerë.

SHÇBA, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, në bazë të detyrimeve që rrjedhin nga Plani i Veprimit të MB për luftën kundër kultivimit të kanabisit, finalizuan me sukses operacionin “Cakrani 2019” për evidentimin dhe asgjësimin e disa parcelave të mbjella me bimë narkotike dhe kapjen e autorëve të tyre.

Ky operacion u zhvillua në kuadër të hetimeve të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2019, për veprën penale “Shpërdorim detyre“ dhe “Kultivim i bimëve narkotike” të parashikuara nga nenet 248 dhe 283 të Kodit Penal, hetim ky disa mujor në të cilin u aplikuan metodat speciale të hetimit.

Të arrestuarit

G.B., 48 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Kraps, Fier, me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Fier;

Z.K., 57 vjeç, lindur dhe banues në Buzëmadh, Fier, me detyrë Agjent i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Fier;

B.Xh., 62 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Kryeplak i fshatit Cakran, Fier;

G.M., 49 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier;

I.M., 39 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier;

E.Sh., 50 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier;

A.K., 25 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran Fier. /l.k./

Foto Google

 

loading...
loading...