PD i dërgon prokurorisë të dhënat konkrete për dënimin e Valdrin Pjetrit në Itali

PD i dërgon prokurorisë të dhënat konkrete për dënimin e Valdrin Pjetrit në Itali
Partia Demokratike i dërgon prokurorisë të dhënat konkrete që publikoi një ditë më parë për dënimin e Valdrin Pjetrit, për trafik droge në Itali. Me anë të një shkrese zyrtare që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, i kërkohet Prokurorisë që ta mbajë të informuar mbi procedurat e verifikimit që ka nisur për Pjetrin dhe rezultatet e deri tanishme të këtij verifikimi. Sipas PD, organi i akuzës ka vepruar me vonesë, duke mos marrë parasysh dokumentet që ata kanë nxjerrë rreth 2 javë më parë.

“Për fat të keq, ky reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit. Sipas këtyre të dhënave, rezulton se Valdrin Pjetri është i dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike.”- thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.

loading...
loading...