“Fund dhunës ndaj grave", Rama paralajmëron masa të rrepta: Nuk mjafton të themi 'shko ankohu në polici!'

“Fund dhunës ndaj grave", Rama paralajmëron masa të rrepta: Nuk mjafton të themi 'shko ankohu në polici!'
Në fjalën e tij në forumin e dytë Rajonal me temë “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”, Rama tha se qeveria shqiptare do të nxjerrë një propozim për dhunuesit e grave në familje.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të ketë një ligj që do të parashikojë masa të rrepta për autorët e dhunës në familje.

“Shumë shpejt do dalim me një propozim, që do jetë shumë i rreptë sa i përket dhunuesve dhe autorëve të dhunës në familje. Burrat duhet të marrin përgjegjësi. Dhuna ndaj grave është një krim i rëndë", theksoi Rama. - "Do të dalim me një propozim. Duhet të kemi një ligj që të inkuadrojë të gjitha frikërat e burrave, në mënyrë që të kemi gra më të lira. Duhet t’u ofrojmë grave një mbrojtje të drejtpërdrejt dhe të menjëhershme".

"Kam marrë shumë mesazhe nga njerëz, jetojmë në një vend të vogël, jemi të gjithë kushërinj. Nuk ka asnjë ditë të vetme që unë të mos marr një mesazh nga një grua që është nën kërcënim dhe është e pambrojtur."

"Nuk mjafton thjesht ti themi shko ankohu në polici. Duhet që të ofrojmë një garanci të drejpërdrejtë. Edhe burrat që janë të dyshuar që të veprojnë në këtë mënyrë duhet të largohen nga shtëpia dhe të izolohen. Se ku dhe si kjo është një pikëpyetje shumë e madhe”, tha Rama.

Kryeministri, Edi Rama, vazhdon të promovojë rritjen e rolit të grave në vendimmarrje. Nisur nga përvoja e tij në krye të bashkisë dhe qeverisë, Rama thotë se nëse kërkon njerëz për muhabet zgjidh gjithmonë burra, por nëse kërkon punë duhet të zgjedhësh gra.

Kryeministri Rama shtoi se është bërë një rrugë të gjatë përpara, në këtë drejtim.

"Sot kemi 50% të këshillave bashkiakë me përfaqësi grash, në qeveri kemi më shumë gra sesa burra. 60% e pozicioneve drejtuese tona në administratën publike mbahen nga gratë. E gjitha kjo është një meritë."

Në Forumin e dytë Rajonal me temë “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë” ishin të ftuar edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, si dhe ministrja e Shëndetësisë dhe e Çështjeve Sociale, Ogerta Manasterliu./Afp.al

loading...
loading...