Ndahet nga jeta e bija e Abaz Kupit, “i mbijetoi persekutimit komunist për 45 vite si një luftëtare e pamposhtur”

Ndahet nga jeta e bija e Abaz Kupit, “i mbijetoi persekutimit komunist për 45 vite si një luftëtare e pamposhtur”
Ndahet nga jeta Hyrije Kupi, vajza e Abaz Kupit, një nga gratë që përjetoi persekutimet e tmerrshme gjatë regjimit komunist.

Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, dha lajmin, teksa tha se “mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Hyrije Kupit, vajzës së Abaz Kupit, një prej luftëtarëve më të mëdhenj në mbrojtje të nderit, lirisë, demokracisë dhe kufijve të Shqipërisë”.

Sipas Bashës, “Hyrije Kupi e njohu internimin që fëmijë, kur pushtuesit italianë e internuan familjarisht, për shkak të qëndresës heroike që i babai i saj, Abaz Kupi bëri ndaj forcave pushtuese”.

“Por për ironi të fatit, Hyrije Kupi u shndërrua në ikonë të qëndresës ndaj forcave antishqiptare pas largimit të trupave të huaja nga vendi”.

Lulzim Basha bëri edhe një përshkrim të jetës së vështirë dhe persekutimeve çnjerëzore që përjetoi Hyrije Kupi, gjatë regjimit diktatorial në Shqipëri, fill pas mbarimit të luftës e derisa ra regjimi komunist, duka ia dalë të mbijetonte, apo siç e përshkroi Basha, si një “luftëtare e pamposhtur”.

“Nga viti 1946-1991, e bija e Abaz Kupit njohu internimin e pandërprerë prej regjimit diktatorial që mori me dhunë pushtetin. Regjimi nuk mund të pranonte trimërinë e Abaz Kupit dhe as trashëgiminë e tij familjare, krahinore e politike. Prandaj tentoi ta mbyste zërin e trimërisë, duke persekutuar drejtpërdrejt familjen e tij.”

“Hyrije Kupi ishte dhe u dëshmua e bija e të atit. Bashkëvuajtëse dhe dëshmitare e krimeve çnjerëzore në kampin e Tepelenës, si dhe dhunës e terrorit që të internuarit përjetuan në kampet e Vlorës e të Lushnjes, ajo mbijetoi si një luftëtare e pamposhtur dhe pas vitit 1991, së bashku me bashkëshortin e saj, Viktor Dostin, të birin e nacionalistit Hasan Dosti, u shndërruan në aktivistë të radhës së parë për zbardhjen e krimeve të diktaturës, rehabilitimin e të përndjekurve politikë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”.

“U gjendem pranë familjeve Kupi dhe Dosti në këtë humbje të madhe dhe u them se jemi dhe duhet të ndihen krenarë për kujtimin dhe trashëgiminë që po lë pas Hyrije Kupi Dosti. U prehtë në paqe!”, ishte mesazhi që dha kreu i PD-së, Basha, për ndarjen nga jeta të Hyrije Kupit. /Afp.al/

loading...
loading...