Rama paralajmëron, "gjyqtarët dhe prokurorët e përjashtuar do të rikthehen të japin llogari"

Rama paralajmëron, "gjyqtarët dhe prokurorët e përjashtuar do të rikthehen të japin llogari"
Kryeministri Edi Rama lëshoi edhe më herët akuza për prokurorin e Durrësit, Arian Ndoja, por gjatë takimit të përjavshëm me “platformën bashkëqeverisëse”, kreu i qeverisë e ka paralajmëruar atë, duke e marrë shembull, se bashkë me të tjerë nuk do t’i shpëtojë dot ndëshkimit.

Rama tha se Ndoja bashkë me prokurorët e gjyqtarët e tjerë të korruptuar, do të japin llogari për pasurinë e tyre, kur të vihet drejtësia e re.

Ndër të tjera, kryeministri ka deklaruar se asnjë prokuror dhe gjyqtar nuk do t’i shpëtojë dot paratë e zeza të krimit dhe shpërblimet e majme të përfituara nga organizatat kriminale, edhe pasi "Vetting"-u i përjashton. Sipas Ramës, të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët, që shkarkohen nga Vetting-u, do të rikthehen për të dhënë llogari, kjo në fakt kërkesë e Gjermanisë për çeljen e negociatave.

“Qytetarët nuk e hedhin fjalën në erë, por kur na adresohen, marrin përgjigje. 34 mijë ankesa kanë marrë përgjigje pozitive, ndërsa kur qytetarët të dëshpëruar na drejtohen për sistemin e drejtësisë, por ne nuk kemi mundësi të ndërhyjmë", theksoi Rama.

Ai dha edhe shembullin konkret. "Ju e patë vetë javën e kaluar, të transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë me përfaqësues të interesave të krimit, që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit, por ama kur vjen puna te ndërhyrja në proces, kjo është e pamundur për qeverinë, për pushtetin ekzekutiv, sepse Kushtetua përcakton qartë kufijtë e çdo pushteti dhe kufizimet që ne kemi, pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon", u shpreh kryeministri, lidhur me gjendjen e sistemit të drejtësisë.

"Fatkeqësisht po shohim se pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ, sepse shumë prokurorë e gjykatës që janë të zhytur deri në fyt, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton ‘të kapin, çfarë të kapim’. Ata nuk kuptojnë që ndërtimi i sistemit të ri të drejtësisë kërkon kohë", shtoi Rama, duke paralajmëruar se prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar do të rikthehen për të dhënë llogari mbi pasuritë e tyre dhe vendimet që kanë marrë.

"Ata që Vetting-u i përjashton, do të rikthehen para prokurorëve dhe gjykatëse për të dhënë llogari për pasurinë e tyre, të jenë të sigurt. Edhe ata që bëjnë krime për të përfituar para të zezë, apo shpërblime të majme nga organizata kriminale, drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë”./Afp.al

 

loading...
loading...