Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, ende asnjë ofertë konkrete nga kandidatët për kryeministër

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, ende asnjë ofertë konkrete nga kandidatët për kryeministër
Qeveria e re e Kosovës pas zgjedhjeve te 6 tetorit, do të duhet të përballet me temën e dialogut me Serbinë, pavarësisht vështirësive dhe pengesave që mund të ketë në këtë proces.

Kjo është një kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare e kryesisht e SHBA-së, e theksuar disa herë nga i ngarkuari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer.

Kosova tani gjendet në fushatë zgjedhore dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është tema për të cilën kanë shfaqur pikëpamjet e tyre edhe kandidatët për kryeministër të Kosovës.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani, thotë se në rast fitoreje, dialogun me Serbinë do ta udhëheqë vetë ajo.

Kandidati tjetër për kryeministër nga koalicioni AAK dhe PSD, Ramush Haradinaj i cili u dorëhoq nga posti i kryeministrit dhe që gjatë qeverisjes së tij u vendos taksa 100% ndaj mallrave të Serbisë, thotë se ky vendim për taksën i ka treguar Serbisë që Kosova nuk hyn në dialog me kushte, ashtu siç po kërkon Serbia.

Ndërkohë, lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti,  thotë se  në rast se zgjidhet kryeministër, fillimisht duhen rishqyrtuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun Kosovë-Serbi. Ai thotë se, me qeverinë e tij do te formojë një ekip negociator ku do të shqyrtohet secila fushë.

Unitet të spektrit politik për dialogun e ardhshëm me Serbinë po kërkon kandidati i Nismës për kryeministër të Kosovës, Fatmir Limaj. Ai i kërkoi spektrit politik kosovar një unitet për t’iu qasur dialogut me Serbinë, një unitet, sipas të cilit kishte munguar në mandatin e kaluar të legjislativit.

Kandidati i PDK-së për kryeministër Kadri Veseli akoma në këtë fazë nuk ka dalë me ndonjë qëndrim për dialogun e ardhshëm më Serbinë në rast se zgjidhet kryeministër. Në këtë fazë të fushatës ai është përqendruar  në temën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Analistët politikë nga ana e tyre, thonë se ata nuk kanë parë ndonjë opsion të qartë në qasjen e kandidatëve për kryeministra lidhur me dialogun me Serbinë.

Vendet e QUINT-it, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova pezullimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe rifillimin e dialogut, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese ndaj të dyja palëve.

loading...
loading...