I forti i Serbisë do të zgjidhet president

I forti i Serbisë do të zgjidhet president
Ai është i kudogjendshëm, vetëinskenohet si politikan, që lufton i palodhur për të mirën e popullit. Kreu i qeverisë, Aleksandar Vuçiç dëshiron të bëhet tani edhe president i Serbisë, po të ishte për të që në raundin e parë. Përditë ai inaguron fabrika të reja, segmente autostradash, madje edhe një sallë sporti në një shkollë fshati ua dorëzon banorëve vetë Vuçiç.

Bashkë me të udhëtojnë shumë gazetarë, nga të cilët shumë pak vetë guxojnë t'i bëjnë pyetje kritike, por edhe përkrahësit e partisë së tij, që e ndjekin pas me kolona autobusësh. Simpatizantët që punojnë në administratën publike marrin pushim. Partia e Progresit mendon për të gjitha.

Zlatko Minić nga “Transparency Serbia“ pyet, nëse duhet të jetë gjithmonë një funksionar i lartë ai që inaguron një shkollë apo një segment autostrade. „Raportojnë mediat për një rast të tillë, apo dëgjohet vetëm melodia e lavdisë për kryetarin?" Përgjigjen e ofrojnë statistikat -përveç një gazete me tirazh të vogël dhe një transmentuesi kabllor, të gjitha mediat ofrojnë himne lëvdatash për kryeministrin. Zyra për Studimet e Shoqërisë, një Think-Tank e Beogradit ka llogaritur se Vuçiçi zë më shumë kohë transmentimi, në lajmet televizive se 10 kandidatët e tjerë së bashku.

Pushteti shëtit me Vuçiçin

Kush i njeh zakonet e politikës ballkanike, mund të hutohet disi: Pse një politikan relativisht i ri (47 vjeç), që pretendon se është kryeministri më i suksesshëm në "historinë e re" serbe, do ta ndërrojë postin më të rëndësishëm në vend me atë të presidentit? Sepse si në Gjermani, edhe në Serbi, presidenti ka më shumë funksion përfaqësimi. Jovo Bakić nga Universiteti i Beogradit, Fakulteti i Filozofisë thotë se „në Serbi kushtetuta nuk ka ndonjë vlerë, Pushteti do të ndërrojë vend, varësisht se cilin post mban Vuçiçi." Mazhoranca është e fortë, një sërë partnerësh të koalicionit e mbështesin atë në garën presidenciale.

Por posti i presidentit ka në Serbi një efekt psikologjik, si autokrati, Slobodan Milošević, ashtu edhe demokrati, Boris Tadić qeverisnin më me dëshirë nga zyra presidenciale. Udhëheqja e qeverisë pastaj i jepet një marionete. E Vuçiç ka shumë të tillë në mesin e ministrave të tij. Sipas filozofit Bakić,  “kemi në pushtet një garniturë autoritare. Dështimi do të ishte një katastrofë e madhe për ta”.

Kryeministri akuzohet, se e trajton shtetin si pronën personale: Punët dhe tenderat ndahen sipas zemërgjerësisë së partisë, mediat përdoren si armë propagandistike, ndërkohë që pensionet shkurtohen dhe disa mijëra vetë largohen nga vendi. Jashtë vendit, Vuçiqi paraqitet si njeri pragmatik, si dikush që çon përpara reformat dhe garanton stabilitetin. Vëzhguesit shohin me sy kritik edhe vizitat e tij në Berlin e Moskë. Sipas tyre ai do vetëm të ofrojë pamje të bukura me politikanë të fuqishëm. Nëse vijnë kritika nga jashtë - Merkel e preku temën e lirisë së mediave dhe të drejtave të njeriut në Serbi - ato injorohen nga mediat vendase.

Lufta për balotazhin

Analistët zgjedhorë parashohin një fitore nga 50-60% për Vuçiqin. Prandaj thjesht dalja në balotazh do të ishte si një mrekulli e vogël, sepse konkurrenca e Vuçiqit nuk ka ndonjë përqasje të madhe në media, dhe më shumë bën fushatë-guerilase në rrjetet sociale.

Rivalët që mund t'i afrohen më shumë Vuçiqit janë: Ish-Avokati i Popullit, Saša Janković, i cili në pesë vitet e fundit ka dokumentuar shumë afera të qeveritarëve dhe rivalët politikë e kanë halë në sy. Tjetri: Vuk Jeremić, ish-ministër i Jashtëm, i cili në garën për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, u rendit i dyti pas António Guterres. Në çështjet kryesore të politikës serbe ata përgjigjen si Vuçiqi: Po për BE dhe bashkëpunimin me Rusinë, Jo për pavarësinë e Kosovës.

Pushtetarët shohin rrezik tek këta dy kandidatë. Gazetat e afërta me qeverinë i cilësojnë Janković dhe Jeremićin si “psikopatë”, "agjentë të huaj”, "kandidatë të NATO-s”.

Mesazhi i veshur me të bardha

Edhe dy kandidatë të tjerë luftojnë për vendin e dytë: nacionalisti radikal Vojislav Šešelj, dikur mentori politik i Vuçiqit dhe që u lirua nga Tribunali i Hagës në instancën e parë. Ndërsa politikani tjetër, më pak i njohur është Luka Maksimoviç. 27 vjeçari ka zgjuar vëmendje të madhe dhe entuziazmon sidomos rininë serbe. Ai paraqitet me pseudonimin Ljubiša Preletačević – i Bardhi, ai vesh kostume të bardha dhe parodizon politikanët: Herë premton të sjellë një det në Serbi, herë kërkon nga politikanët 720 milionë euro për mbështetjen që u jep. Analisti Dušan Janjić analizon fenomenin e Luka Maksimovićit. “Ai është një mesazh: Politikanët nuk janë për gjë. Basta.” Ka madje disa sondazhe që e shohin satirikun në vendin e dytë, me 12% të votave. Nëse Aleksandar Vuçiq nuk ia del në raundin e parë, serbët do të shkojnë sërish në kutitë e votimit më 16 prill.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: