
“Ballkani Perëndimor është konsumuesi kryesor i sigurisë së BE-së. Tani, 30 vite që kur kemi përfituar nga angazhimi i jashtëzakonshëm në rajon, ne duhet të shihemi si diçka më shumë se një rast studimi; ne duhet të bëhemi pjesë e zgjidhjeve, veçanërisht në luftimin e të gjitha llojeve të ekstremizmit që po destabilizojnë rajonin dhe vende të tjera”, tha Jahjaga.
Këto komente ajo i bëri në Tryezën e Rrumbullakët për Siguri në Evropë që u mbajt në Maltë. Tryeza e diskutimit u moderua nga Ambasadori Wolfgang Ishinger, ndërsa pjesëmarrëse ishin gra që janë të përfshira në proceset e bërjes së politikave për siguri në vende të ndryshme të BE-së.
Ish-presidentja Jahjaga tërhoqi vërejtjen për rrezikun që mund të ketë mungesa e unitetit politik të BE-së në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
“Përmirësimi i raporteve ndërmjet shteteve të rajonit, veçanërisht në mes të atyre që dikur ishin në luftë me njëri-tjetrin, duhet të bëhet përkushtim dhe kusht për anëtarësim në BE. Por, fatkeqësisht ideja për, siç quhet, Evropën “multi-speed” e që duket se po bëhet realitet në rajonin e Ballkanit mund të dëmtojë tmerrsisht shumë vendet më të vogla si Kosova në periudhën afatgjatë”, theksoi Jahjaga. /e.a/