Thaçi reagon ndaj Hahn: Kosova e izoluar, BE-së nuk i bëhet vonë për ne!

Thaçi reagon ndaj Hahn: Kosova e izoluar, BE-së nuk i bëhet vonë për ne!
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i zemëruar me deklaratat e komisionerit europian për Zgjerim, Johanes Hahn, i cili tha se deklaratat e disa liderëve në Ballkan për ndryshim kufijsh janë të papranueshme – duke aluduar në deklaratat e Ramës e Thaçit për bashkim potencial të shqiptarëve në një union.

Thaçi shkroi në "Facebook" se Hahn deklaratat e tij i ka dhënë i ndikuar nga shqetësimi i Serbisë dhe se kjo qasje dëshmon që BE-së s’ia ndjenë për Kosovën.

“Komisioneri Hahn i prekur nga shqetësimet e Serbisë, paska shprehur zhgënjimin e tij për deklaratat që gjoja përfshijnë tendencat për krijimin e Shqipërisë së Madhe”, ka shkruar Thaçi.

“Për më tepër, ai paska shtuar se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me deklarata të tilla. Fatkeqësisht, një deklaratë e tillë e një komisioneri të BE-së dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri më tash, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën”.

“Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t’ia dijë fare. Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000”.

“Projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së”.

“Nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë. Dhe do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të fillojë ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”. /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: