KRIZA ITALIANE NDIKON PËR NEGOCIATAT E SHQIPËRISË – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

KRIZA ITALIANE NDIKON PËR NEGOCIATAT E SHQIPËRISË – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Bursat europiane dhe Wall Streeti kanë pësuar tronditje, si pasojë e krizës italiane. Rritja e peshës së partive euroskeptike dhe mundësia që në zgjedhjet e reja të pritshme, ato të shtojnë votat e rezultatin, ka sjellë një pështjellim të madh mbi vetë të ardhmen e BE-së, kur Italia si ekonomia e tretë europiane, mund të futet në një proces të ngjashëm me çfarë ndodhi me Britaninë e Madhe. Por kjo krizë ka dhe anën e saj pozitive, të paktën për vendet e tjera si Shqipëria, që kërkojnë të ecin më tej në proceset e integrimit drejt Unionit Europian. Është e qartë se, zyrtarët e Brukselit nuk janë dashamirë ndaj një qeverie të ardhur nga forca populiste dhe që shprehen kritikë me politikat që ndjek BE-ja. Por gjithashtu, po bëhet evidente se, vetë BE-ja duhet t’i nënshtrohet reformave të brendshme për t’iu përgjigjur kërkesave të reja të kohës dhe zhvillimeve politike që po ndodhin dhe po shtrihen në shumë nga vendet europiane. Vetë presidenti francez Macron u shpreh se, rruga që duhet të ndiqet është ajo e reformimit të brendshëm dhe jo ajo e zgjerimit me anëtarë të rinj në BE.

Por Macroni nuk e kishte llogaritur krizën italiane. Tashmë, pas tronditjes që solli dalja e Britanisë së Madhe nga Unioni, dhe kur në Itali po shtohen më tej zërat antieuropeistë pas ndërhyrjeve për të bllokuar qeverinë e koalicionit 5 Yjet dhe Lega, gjërat mund të marrin për më keq, jo vetëm për çka ndodh në Itali, por që mund të rezonojë dhe në Spanjë, Portugali e Greqi. Në këto kushte, për teknokratët e Brukselit nuk mjafton vetëm rruga e reformave. BE-së i duhen edhe disa suksese, i duhet të mbetet një pol tërheqës e që mbetet dinamik, ndaj vendimi për t’i hapur rrugë vendeve të Ballkanit është një prej tyre.

Deri disa ditë më parë, të paktën për Shqipërinë dhe Maqedoninë, dukej se ishte vendosur një bllok për të mos u ngutur me procesin e negociatave. Pavarësisht rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian për të vijuar procesin me këto dy vende, skepticizmi i shprehur qartazi nga vendet më me peshë të BE-së, si nga Gjermania, Franca e Holanda, e bënin thuajse të pamundur që në qershor vendet anëtare të jepnin dritën jeshile për hapjen e negociatave për anëtarësim me këto dy vende. Tashmë, situata duket e ndryshuar. Sinjalet pozitive kanë nisur të shtohen dhe lobimi që të avancohet me Shqipërinë dhe Maqedoninë, po bëhet pikërisht nga zyrat qendrore të Brukselit. Ka ende skeptikë të fortë në qarkullim, por sidoqoftë retë në horizont nuk janë aq të zeza sa përpara një muaji. Dhe deri në qershor, mund të davariten për të shkuar te një vendim pozitiv.

Për këtë duhet t’ia dimë për nder krizës politike që po ndodh te fqinjët tanë. Frika se çfarë po ndodh në Itali, ka hapur papritur një deriçkë të vlefshme për ne, për të avancuar në procesin e negociatave. Gjithsesi, zhvillimet politike në gadishullin e çizmes nuk mbeten çështje e brendshme mes Italisë, as dhe thjesht e marrëdhënieve të saj me BE-në. Duket si një preambulë për gjithë çka po përjetohet në shumë vende të tjera të Unionit dhe që, natyrisht, do të ketë pasoja afatmesme e afatgjata se çfarë do të ndodhë me BE-në. A do të shkohet drejt forcimit të unitarizmit të BE-së apo do të kemi një riforcim të hegjemonizmit kombëtar sipas shteteve të veçanta që e përbëjnë Unionin?

Prishja e mundësisë që, Italia të qeverisej nga marrëveshja e koalicionit midis 5 Yjet dhe Legas, ka shkaktuar tension jo vetëm në Itali. Për këtë janë shprehur dhe politologë e studiues nga gjithë hapësira europiane, duke e parë pra, jo thjesht si një dukuri italiane, por europiane. Ndërhyrja e presidentit Mattarella që nuk pranoi të mandatojë për ministër të Financave, Paolo Savonan, një kritik i thekshëm i politikave që ndjek BE-ja, dhe iniciativa e tij për të promovuar një qeveri teknike me kryeministër të propozuar prej tij, ka sjellë një batare sulmesh, jo vetëm ndaj presidentit, por dhe ndërhyrjeve të BE-së, Gjermanisë e Francës, për të mos lejuar një qeveri italiane skeptike ndaj BE-së. Bashkë me ta akuzohen dhe lobet financiare, çka ka sjellë që Salvini dhe Di Matteo të dalin dhe si mbrojtës së interesave të italianëve ndaj politikës së bankave dhe të financës së lartë. Kryeministri i propozuar Cottarrelli, duket se nuk do të formojë qeverinë dhe po tërhiqet. Dhe ndonëse presidenti duket se bën një hap pas, duke iu drejtuar koalicionit qeverisës që të bëjnë një qeveri të re, por me politika pro BE-së, Salvini dhe Di Matteo e cilësojnë shantazh dhe duken të vendosur për zgjedhje të reja parlamentare që mund të bëhen dhe brenda verës. Me sa duket, lëvizja e re e populistëve mund t’i bëjë më të fortë me zgjedhjet e reja, por kështu shumica e re mund të shpaloset më hapur dhe më qartë në qëndrimet kundër BE, më vonë. Basti është i rëndë dhe duket se do të ketë pasoja, jo vetëm për Italinë, por dhe për vetë të ardhmen e BE-së. Pasi partitë populiste po e shtojnë gradualisht peshën e tyre elektorale vit pas viti, në gjithë Europën dhe kjo mund të sjellë jo vetëm konfiguracione të reja politike, por dhe një drejtim tjetër të Unionit karshi të tjerëve.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: