SHQIPËRIA PO ZBRAZET, SE NUK KA SHPRESË – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

SHQIPËRIA PO ZBRAZET, SE NUK KA SHPRESË – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shqipëria po zbrazet. Dihej si fakt që, një numër i madh, sidomos të rinj, janë drejtuar nëpër Europë, për të kërkuar azil e për të ngritur të ardhmen aty. Ndjenja e pasigurisë dhe shpresës për të ardhmen, në një vend që nuk u siguron asgjë, normal që do të prodhojë një shkallë të madhe ikjeje. Por nuk mjafton me kaq. Tashmë, edhe ritmi i rritjes së popullsisë, është stopuar dhe, për herë të parë, numri i vdekjeve është më i lartë se i lindjeve. Vetë Instituti i Statistikave na jep këtë panoramë, duke theksuar se është ulur kështu numri i popullsisë nga ndryshimi i raporteve lindje/vdekje. Por kur statistikat nga jashtë vijnë të tilla se, me këto ritme – pra, si të largimit nga vendi, ashtu dhe nivelit të rritjes së popullsisë, - në vitin 2100, Shqipëria do të përfundojë me një popullsi prej 800 mijë banorësh, atëherë situata bëhet më alarmante. Të tillë e ka patur në vitet ’20 –’30, të shekullit të kaluar.

Deri pak kohë më parë, kjo dukej e pamundur. Ndërsa në shtetet e tjera europiane, ishte rritur shqetësimi i plakjes së popullsisë dhe rritjes së ulët të shtimit të saj, në Shqipëri as mund të mendohej diçka e tillë. Mund të ishim të varfër, të pazhvilluar, por pasuria më e madhe, ka qenë se popullsia ishte me moshë mesatare të re dhe niveli i rritjes së popullsisë i lartë. Tashmë, në pak vite, kjo gjë ka ndryshuar. Kjo së pari se, edhe pas 30 vitesh pluralizëm, vijojnë ende valët e emigracionit. Ndodhi, së pari, në fillim të viteve ’90. Më pas, në ’97 dhe tashmë, në këto vite, duket një valë e tretë. Pavarësisht se të ikur për një jetë më të mirë ka në çdo kohë, këto që përmendem quhen valë emigracioni, ku njerëzit ikin nga sytë këmbët në masë. Në rastin e tanishëm, ky largim është më i heshtur dhe për faktin se nuk shkohet si më parë, me anije të grabitur ose me skafe trafikantësh. Liberalizimi i vizave ka mundësuar që shumëkush, mund të ndjekë rrugën e tij drejt vendeve të BE-së dhe atje të kërkojë azil e mundësi punësimi. Shifrat se sa janë në këto vende, vijnë nga vetë relacionet e shteteve të BE-së, të cilat e shohin me shqetësim këtë dukuri, aq sa mund të vihet në diskutim dhe liberalizimi i vizave për gjithë shqiptarët. Ndaj, ulja e kësaj dukurie, ka qenë dhe një nga detyrat për integrimin e vendit në strukturat europiane.

Shqiptarët ende ikin. Vetëm kohët e fundit janë riatdhesuar 500 shtetas shqiptarë, nga vende si Franca, Belgjika dhe Gjermania. Dhe, si masë konkrete për ndaljen e kësaj dukurie të braktisjes së vendit, Ministria e Brendshme pati lajmëruar se ka përgatitur një dosje për në prokurori, për agjencitë që merren me udhëtimet turistike. Por ende nuk dihet se, çfarë është bërë me këtë dosje.

Shqiptarët nuk kanë asnjë shans të përfitojnë status si azilkërkues, për t’u legalizuar si emigrantë ekonomikë në vendet e Bashkimit Europian, pasi vetë statusi si një vend i sigurt, nuk ua mundëson këtë. Megjithatë, ata vijojnë të ikin, duke shfrytëzuar çdo mundësi udhëtimi drejt Europës a më përtej. Ndërkohë që vendi zbrazet, në mediumet politike deklamohet se po ndërtojmë shtet dhe tashmë nuk na mbetet tjetër, veçse që këtu duhet të ndërtojmë të ardhmen. Sidoqoftë, shqiptarët ikin, ikin nga sytë këmbët, megjithëse e dinë se pak shanse kanë të përfitojnë statusin, pasi e dinë se jemi vend i sigurt e për këtë arsye, do t’i riatdhesojnë në Shqipëri.

Çdo qeveri natyrshëm që duhet të merret me çështjen e dinjitetit të vendit dhe në këtë rast, mbushja e shesheve të qyteteve europiane, me shtetasit e tu që kërkojnë azil, padyshim që ul vlerat dhe njollos fytyrën e shtetit. Pasi mesazhi që jep nga jashtë, është se nuk arrin të mirëmbash qytetarët e tu, t’u garantosh të ardhme, se nuk di të menaxhosh këtë pasuri të madhe njerëzore, e cila detyrohet që, kontributin e saj, ta japë jashtë e të përdoret përtej kufijve të tu. Problem është se, çfarë bëhet për këta njerëz, që t’u sigurosh shpresë dhe punë, vëmendje dhe shërbim, në mënyrë që të jenë kontribuues për vendin dhe jo krahë të tepërt pune.

Shifra e rritjes së punësimit duke zbritur ata që punonin dikur në të zezë, rezulton e papërfillshme me raportet e rritjes së popullsisë. Plus që nga vetë maxhoranca e kaluar trashëguam gjithashtu një papunësi të lartë në shkallë vendi. Me kaq pak vende pune rezulton se krahët e tepër e që nuk arrijnë të sigurojnë jetesën me një punë të ndershme, të jenë shtuar. Në këtë aspekt ne vërtet i bie të jemi vend i sigurt sipas parametrave evropiane, po jemi ne zgrip ekonomik mbijetese kur papunësia është kaq e rënduar.

Ndaj dhe shqiptarët vijojnë dhe ikin. Ritmi i kërkesave për azil në vendet europiane vërtet ka rënë krahasuar me një vit më parë kur ngjiteshim në krye të listave. Por më tepër sesa ndryshim mendjeje është kuptueshmëria që do të kthehen e do tu shkojnë dëm dhe paratë me të cilat do të udhëtojnë për në Evropë. Ndërkaq qeveria po e trajton çështjen e azilkërkuesve thjesht si një ndër pikat për tu përmbushur në dosjen e integrimit të vendit në BE. Pra thjesht si një detyrim ndaj kritereve për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe jo si një detyrim për qytetarët e vet, të cilët ndërkaq mbeten krahë të tepërt pune.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: