E KEQJA E NXJERR KOKËN NË PORTE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

E KEQJA E NXJERR KOKËN NË PORTE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Një histori e re e denjë për librat e verdhë në portin e Durrësit. Kapen miliona euro që transportoheshin nëpërmjet makinave të porositura nga jashtë. Euro të futura në thasë, por që, këtë radhë, nuk kanë kode se kujt i përkasin. Ndryshe nga librat me detektivë - që në fund zgjidhin misterin - kjo ngjarje, si shumë të tjera, do të mbetet në faqet e verdha të gazetave, për tu harruar më pas. Askush nuk di gjë dhe askush nuk do t’i dalë për zot miliona eurove të braktisura nëpër bagazhe makinash. Paksa paradoksale, pasi dhe organet e hetimit, deri më tani, kanë heshtur dhe nuk kanë përcjellë asnjë pistë. Madje, nuk do të jetë çudi të përfundojë si rast, ku dikush ka harruar pa dashje ca miliona euro. Pasi kështu, rastësisht, porositësi do të kishte rezultuar të kishte bërë investim me bonus rastësor, ndërsa po rastësisht do të gjente euro shtesë në makinën e blerë.

Në vend të organeve të hetimit, çështja është bërë domen i politikës. Akuza e kundërakuza, tallje dhe shpërfillje. Skema sërish mbetet e njëjtë. E njëjtë me atë çfarë ndodhi po në portin e Durrësit muaj më parë, ndërsa u sekuestruan 630 kg kokainë. Dhe atëherë, çfarë duhet ta dëgjonim nga organet e akuzës, e mësuam nga deklaratat e shpërndara të politikës që akuzojnë kundërshtarin. Edhe atëherë, sasia e kokainës kishte qenë e harruar në një ngarkesë bananeje, dhe tani për tani të dyshuar mbeten vetëm një shofer transporti dhe administrator i firmës. Sipas gjasave, dhe në rastin “Toyota”, e njëjta skenë teatrore do të vihet në zbatim.

E keqja po e nxjerr kokën nëpër porte, por në fakt gjendet kudo e shpërndarë. Të gjitha rastet që kanë mbushur median gjithë këto kohë - nga çështja Tahiri, për të vijuar me Babalen e deri në aksionet policore në portin e Durrësit - në trajtimet e tyre, më tepër sesa komentohen si veprimtari kriminale e malavitës në vend, do të atashohet me doemos me fajtorë politikë. Duket sikur nuk duam ta shkëpusim politikën nga krimi, veçse kështu po i sigurojmë një mbrojtje më të fortë vetë krimit të organizuar. Edhe në rast se, një eksponent politik ka bashkëpunuar ose është i lidhur me krimin, ta mbash shënjestrën te fakti se krimi dhe politika është një, do të thotë të mos kesh fare shpresë se diçka do të ndryshojë. Pasi këta politikanë, duam a nuk duam ne, do t’i votojmë sërish pas tre a katër vitesh, e kështu qerthulli do jetë i mbyllur me krimin brenda. Në vend të kësaj, mbase do të ishte më mirë që akuzat të ishin të personalizuara dhe jo politike. Pasi bashkëpunëtori dhe krimi do të veçoheshin, duke krijuar një ndarje a, më së paku, një plasaritje midis lidhjeve të supozuara ose të vërteta midis politikës dhe krimit. Të paktën, do të futej frika se gjithsesi, krimi dhe aktiviteti kriminal mund të ndëshkohen.

Jemi të dënuar të përballemi me dukurinë e korrupsionit e të krimit të organizuar, dhe këtë nuk mund ta bëjmë duke vijuar të bëjmë pis njëri-tjetrin për qëllime politike. Vetë ndërkombëtarët theksojnë se, ndërsa jemi në këtë krizë besimi dhe ku korrupsioni e krimi po akaparojnë shtetin, kjo vjen se jemi larg demokracisë funksionale, ku institucionet janë eficiente. Kjo është dhe thembra e Akilit e dobësisë së shtetit. Të çorganizuara, të frikësuara nga pesha e politikës dhe të mikluara dhe nga milionat e botës së krimit, institucionet tona nuk funksionojnë. Këtë e tregojnë vetë çështjet e hapura dhe ku asgjë nuk shkon deri në fund. Çështje që kanë të bëjnë si me shpërdorime, ashtu dhe me akuza më të rënda, ku përfshihen dhe emra të botës së politikës.

Duke qenë hetime të hapura ndaj personave të tillë publikë dhe zyrtarësh të lartë, natyrisht që këto kanë marrë vëmendjen kryesore. Por panorama e hetimeve, duket më e gjerë. Sipas raportimeve, gjatë këtyre viteve janë qindra dosje të cilat prokuroria nuk i ka ndjekur dhe në to përfshihen politikanë, zyrtarë të lartë, por dhe biznese VIP, që kanë abuzuar me taksat e tatimet. Nëse e shohim nga një këndvështrim më i gjerë, pra, situata është që s’di nga ta kapësh më parë. Dhe kjo thjesht në aspektin e institucionit të akuzës. Pasi në pasojat që mund të sjellë në jetën politike, këtë ende nuk mund ta themi me siguri.

E veçanta në këtë trafik të madh dosjesh ndaj njerëzve me pushtet, në këtë lumë akuzash për lidhje me krimin që vijnë nga të dyja anët e politikës, ose dhe në babëzinë për përfitim të bizneseve të caktuara, është se nuk kemi institucione të drejtësisë që mund ta përballojnë këtë fluks. Pas dy vjetësh që kemi një kushtetutë të re dhe kur afatet ishin që deri një vit më parë të kishim prokurori dhe gjykata të reja, gjithçka ende vijon të konsumohet me ligjet e vjetra dhe me institucione të cilat kanë dalë jashtë afateve ligjore. Duke shtuar këtu edhe faktin që, shumica e gjykatësve dhe prokurorëve, merakun kryesor kanë se si të kalojnë vetingun dhe jo të bëjnë punën e tyre, gjendja është në kolaps. Në drejtësi sot, mbizotëron frika e të ardhmes dhe joprofesionalizmi për të ushtruar drejtësi. Dhe kjo ndodh po për faj të politikës, që ka penguar rrjedhjen normale drejt institucioneve të reja dhe zbatimin e reformës në drejtësi.

Sidoqoftë, pengesat në drejtësi duket se po kthehen në bumerang për vetë politikën, përderisa paniku ka përfshirë edhe vetë atë, për të ardhmen e saj. Nëse po shohim shumë zhvillime, vjen jo vetëm pse një pjesë e anijes po fut ujë, por dhe po bëhet një luftë e ashpër për t’ia ngecur kundërshtarëve se, kush duhet të paguajë faturën e dëmeve. Gjithsesi, ndërsa lufta midis tyre ende është në vijim, do të kemi të tjera të reja të bujshme. Krisja e sistemit diku do lëshohet më keq dhe diga do të çahet!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: