“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një ngjarje reale, të ndodhur në ishullin Limnos të Greqisë. Ishte muaji shtator i vitit 1993, pra çerek shekulli më parë. Atë kohë isha për pak kohë në Greqinë fqinje. Më bënte përshtypje, që teksa grekët ziheshin me njëri-tjetrin, i thoshin të zënit të tyre "malaga". Edhe tjetri ia kthente po me të njëjtin përcaktim. Thoja me vete: Si ka mundësi që i thonë tjetrin "më lagu", ndërkohë që ai nuk e kishte lagur fare kundërshtarin. Ndoshta është pretekst për t'u zënë, mendoja. Prisja që i shari, apo ai që shante të rrëmbente ndonjë kazmë, a lopatë e t'ia këpuste tjetrit m'u në çaçkë të kokës. Por kjo nuk ndodhte, megjithëse përreth kishte plot vegla të tilla. Ndoshta nuk duan që objektet e punës t'i përdorin për qëllim, qëllimin e të kundërshtuarit, thosha me vete.
Më bënte përshtypje se asnjë prej grekëve të ofenduar, nuk përdorte thikën që e mbanin për të prerë litarët, apo që shërbenin për të ngritur kovat me llaç. Ndoshta nuk kanë nishan si ne shqiptarët, në nguljen e thikës, i thosha vetes.
Pasi vërejta këto fenomene, ia thashë një greku çudinë time.
Bisedova me të në anglisht. Ja përafërsisht bashkëllafosja e bërë me të.
- Më vjen çudi, -i thashë, -që ju grekët kur sherroseni me njëri-tjetrin, nuk kaloni në dhunë fizike, si është e mundur?
Ai m'u përgjigj: -Edhe ne grekët jemi gjaknxehtë si ju, sigurisht, e ndoshta më shumë se ju, se këtu ka më tepër diell. Por nuk e vazhdojmë sherrin, se humbasim shumë. Ndëshkohemi duke u futur në burg, e humbasim punën, lidhjet me familjen, e shumë të tjera.
-Sa mirë do të ishte që kjo të ndodhë edhe në Allvani, -i thashë.
-Do ndodhë edhe te ju, më tha.
U gëzova.
–Por do ca kohë! 25-30 vjet, - shtoi greku.
Më mbeti ne mend përgjigja e tij.
Kanë kaluar 25 vjet nga kjo ngjarje dhe ne shqiptarët kur zihemi, nuk pushojmë, por e vazhdojmë me mjete të tjera, duke futur një arsenal të tërë armësh...
Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj