“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Taulant Balla: Unë i thashë Edit të çonte ca “peshq” në Stamboll

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Taulant Balla: Unë i thashë Edit të çonte ca “peshq” në Stamboll
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Policia ka mundur të mbërthejë shtatë grupe kriminale, që kanë çuar 300 shqiptare ne Angli. Themi lajm i mirë, pasi kapja e tyre ka ndodhur pasi njerëzit kanë arritur në Britani...

E meqë ra llafi te policia. Ne biseduam me shokun Taulant Balla, i cili na vërtetoi se në momentin që akuzohet se ka qenë duke kërcënuar një punonjës policie, ai ka qenë duke peshkuar. Madje jo vetëm peshkonte, por ka qenë ideator i njërit prej udhëtimeve më të bukura me jetë, i gazetarëve fare të pavarur.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Taulant! Për mos ta zgjatur, se helbete është dita e parë e punës së administratës. Thatë që ditën për të cilën flitej në bisedën me ish-policin...

Taulant Balla: Po, po për peshk isha. Kam fakte. Kush nga populli më do, mund t'ia nxjerr ta shikojë e le të gjykojë vetë pastaj.

Antena: Po, mund t'ia u tregoni pa problem!

Taulant Balla: Ja kam një foto këtu në kraharor, që tregon se atë ditë kam qenë për peshk në Pogradec. Madje që ta dish ti, idenë për udhëtimin me avion, kryeministrit ia dhashë unë që andej.

Antena: Ju i dhatë idenë shokut Edi?! Po ky qenka një lajmi thënë ekskluzivisht për mua. E çuditshme vërtet kjo që po thoni.

Taulant Balla: E pse të duket çudi ty?!

Antena: Kryeministri ka plot intelektualë në parti, që kanë mbaruar shkollën fillore, e besoj se nuk ka shumë nevojë për ju ndaj. Gjithsesi, më tregoni sesi...

Taulant Balla: Për idenë e udhëtimit të gazetarëve, e kisha llafin. Atë ditë isha në Pogradec me një gazetar. Shkova të kapja peshk. Në atë moment më bie telefoni.

Antena: Ju ra në liqen? Po më vjen shumë keq. Ju paskan ikur lekët e ofertës...

Taulant Balla: E kisha llafin, më ra telefoni, d.m.th. zilja e tij. Kështu më keqkuptojnë shpesh mua, kur flas dhe shkruaj. Ishte Engjëlli...

Antena: Më duket se nuk jeni mirë me shëndet, shoku Taulant. Siç duket këto akuzat që po ju bëjnë këto kohë, ju kanë lënë pasoja. Flisni për engjëj dhe...

Taulant Balla: Kush nuk është mirë, unë?! Unë jam si kokrra e gështenjës së Streblevës. E kisha llafin, ishte Engëlli, ai Agaçi. Syri dhe veshi i majtë i shokut Edi. -Ku je,-më tha? -Jam këtu në Poradec,-i thashë. -Po edhe në atje po pret dru, mor hu?! -më tha ai.

Antena: Çuditem si ua ka thënë atë gjë! Ai e di zonën tuaj të prerjeve të drurëve?

Taulant Balla: Ç'është e vërteta preva disa pemë edhe në Poqradec, por jo me synimin për t'i shitur, të betohem. I preva për t'i vënë mbi ujë, meqë nuk kishte varkë në liqen, ku të hipja. -Çfarë peshku po gjuan?,-më tha Engjëlli. –Krap,-i thashë unë. Në atë moment lëvizi një trung, e desh rashë në liqen. Shyqyr që jam tip atleti, se do kisha rënë në ujë, me gjithë dokumentet e që kisha në gji.

Antena: Bela do ishte, vërtet. Megjithëse...

Taulant Balla: -Lëre trapin pa kapur dhe hajde se të kërkon shef Edi nesër, për të biseduar për një ide,-më tha Agaçi. Ka të bëjë me një udhëtim në Stamboll. A do që të shkosh ti, apo të dërgojmë ndonjë tjetër me...?

Antena: E keni llafin për udhëtimin me avionin e...?

Taulant Balla: Po pra, për atë. “Unë kam një punë shumë të rëndësishme me një shokun tonë deputet, -i thashë,-e në udhëtim dërgo ca peshq”, -i thashë.

Antena: Si peshq? Do dërgoni edhe peshq në Stamboll?!

Taulant Balla: "Peshq", e kisha për ata lloj gazetarë, që kanë ngrënë karremin që u kemi hedhur neve e nuk kanë nga të lëvizin. Më kupton?

Antena: Po, po tani po ju kuptoj shumë mirë, shoku Taulant.

Taulant Balla: Ja kështu! Kjo hedh poshtë alibinë që unë kam gisht, në çështjen e gishtit në këmbëzën e kobures, që kërcënoi atë policin.

Antena: Ju besojmë shoku Lanti! Përderisa në këtë që na thatë janë të përfshirë elementë si trungjet e pemëve, jemi të sigurt që ju nuk gënjeni aspak.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: