“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Rrëfehet analisti i “Antenës...”: Ja pse dibranët nuk bëhen tapë si më parë!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Rrëfehet analisti i “Antenës...”: Ja pse dibranët nuk bëhen tapë si më parë!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” para ca e ca ditësh këqyri studimin, ku tregohej se sa lekë harxhojnë banorët e qarqeve të vendit, për duhan dhe pije alkoolike. Pasi lexuam artikullin, biseduam hapur dhe pa hile, me një prej analistëve të rubrikës sonë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena...: Përshëndetje shoku analisti! Pa humbur kohë fillojmë me çështjen e studimit të harxhimeve për pije dhe duhan, në qarqet e vendit. Në gjykimin tuaj, si shpjegohet që vendin e parë në përdorimin e tyre e zë Qarku i Lezhës?

Analisti: Për mua, ishte e pritshme kjo gjë. Ka vite që e kam menduar se kështu do të ndodhte, e ja studimi i vuri vulën. Pastaj aty jo më kot ndodhet fshati Kallmet, nga e cila gjithë bota romake ka marrë emrin e të tillës verë.

Antena...: Në ç'kuptim e thoni që nuk jeni i suprizuar nga lezhianët?

Analisti: Po si mos të pijnë të gjorët lezhianë, kur shikojnë se kush i përfaqëson në Kuvendin e Shqipërisë. Nga një vend bregdetar me frymë letrare, Sali Berisha ai kriptokomunisti i katandisi në këtë derexhe që është sot.

Antena...: Flisni fiks fare si shoku Rama në televizion, e radio.

Analisti: Mos ma kujto atë, se i jam hidhnuar. Ma ka bërë me hile.

Antena...: Ja u ka bërë me hile Kryeministri?! Nuk e besoj. Mesa di unë ai ju dërgon verë çdo ditëlindje dhe madje reklama për rubrikën tuaj në median e jokazanit.

Analisti: Edhe kujt mua, që kur i plasi problemi i djalit të deputetit milioner, gjithë vëmendjen e përçova te ajo vajza që jetonte mirë, pa punuar asnjë ditë. Kryeministër leshi! Ka kohë që nuk e zgjidh qesenë. Na meroi.

Antena...: Doni të thoni, ju mundoi. Në ç'kuptim thoni që...?

Analisti: Më ka lënë me të njëjtat shpërblime, të disa viteve më parë. Nuk i ka ngritur fare, pavarësisht inflacionit që po më rrënon xhepin dhe grryen vilën time të ndërtuar në Gjirin e Lalzit.

Antena...: Në fakt unë erdha të qaja hallet e vendit, jo tuajat, shoku analist. Ç'ju bëri përshtypje tjetër në studimin e...?

Analisti: Hallin e kam te rënia e konsumimit të alkoolit në Shkodër dhe Korçë. Kjo rënie do sjellë ndryshime në mënyrën e sjelljes, apo biheivjoriste, siç i themi neve në gazetari.

Antena...: Në ç'kuptim e thoni këtë, shoku analist?

Analisti: A e imagjinon ti një shkodran jo qejfli?! Apo një djalë korçar i cili teksa ha kërnacka, pi ujë. E në vend që të këndojë serenata, do ulet me mamkën para derës së shtëpisë, e do merret me llafe për gjitonen.

Antena...: Shkojmë më lart. Si e shpjegoni rënien e konsumit të pijeve alkoolike dhe duhanit në Dibër, në krahasim me një vit më parë?

Analisti: Kanë filluar ta mbledhin mendjen dibranët, e nuk e vrasin më si më parë. Tani e dinë që edhe në disa legjislatura në Kuvend, i njëjti deputet që është tani, do jetë. Vetëm nëse nuk do ketë më ato 300 mijë eurot  për t'i dhënë Ramës...

Antena...: Si e shpjegoni rënien e konsumit të pijeve alkoolike në Gjirokastrës?

Analisti: Unë çuditem që ka ende gjirokastritë që harxhojnë lekë në pije. Si duket do jenë ata që jetojnë në pallate. Ata që kanë shtëpi private, rakinë dhe duhanin i bëjnë vetë...

Shënim: ‘Antena Jashtë Familjes’ është një rubrikë e përditshme nga Helidon Tahiraj shkruar ekskluzivisht për ‘Albanian Free Press’

Shpërndajeni me miqtë tuaj: